Studiues të rinj në një institut kërkimor të optikës pranë Akademisë së Shkencave të Kinës në provincën Anhui, më 18 prill 2023/ foto nga Xinhua
Autoritetet kineze kanë publikuar një sërë masash për të inkurajuar shkencëtarët e rinj të talentuar që të marrin përsipër më shumë përgjegjësi kërkimore në nivel kombëtar, për të reduktuar presionet me të cilat përballen për promovimet në punë dhe çështjet e panevojshme administrative.
Në një udhëzues të publikuar nga Këshilli i Shtetit kërkohet që departamentet përkatëse, duke përfshirë universitetet, institutet kërkimore dhe laboratorët kryesorë, të caktojnë më shumë shkencëtarë të rinj në pozicione dhe projekte kyçe, të investojnë më tepër financiarisht për ta dhe të adresojnë shqetësimet dhe sugjerimet e tyre, në mënyrë që ata t'i përkushtohen me gjithë zemër kryerjes së kërkimit shkencor.
Udhëzuesi kërkon që shkencëtarët nën 40 vjeç të shërbejnë në të paktën gjysmën e pozicioneve drejtuese dhe ato kryesore në misionet dhe projektet kombëtare shkencore që trajtojnë shqetësime të rëndësishme.
Shkencëtarët nën 45 vjeç duhet të emërohen në të paktën një të tretën e paneleve të ekspertëve që vlerësojnë performancën e projekteve të ndryshme shkencore të nivelit kombëtar. Për të mbështetur më mirë financiarisht shkencëtarët e rinj, Fondacioni Kombëtar i Shkencave Natyrore të Kinës, një institut i administruar nga Ministria e Shkencës, do të ketë më shumë se 45 për qind të projekteve që sponsorizon të udhëhequra nga shkencëtarë nën 40 vjeç për t'i ndihmuar ata në kërkimet e tyre.
Sipas draftit, buxhetet e kërkimit dhe zhvillimit duhet të favorizojnë projektet e pavarura të fazës së hershme nga shkencëtarët nën 35 vjeç, duke inkurajuar institutet të ndajnë më shumë se gjysmën e buxheteve të tyre bazë për kërkim dhe zhvillim për projekte të tilla.
foto nga CFP
Për të adresuar shqetësimet e shkencëtarëve të rinj në lidhje me marrjen e promovimeve dhe titujve profesionalë, udhëzuesi kërkon që institutet të përcaktojnë standardet e vlerësimit të performancës dhe promovimit të tyre në mënyrë të arsyeshme, duke shtuar se institutet duhet të kundërshtojnë fuqishëm gjykimin e shkencëtarëve vetëm nga numri i punimeve të tyre të botuara.
Vlerësimi i instituteve gjithashtu nuk duhet të varet nga numri i punimeve dhe çmimeve të botuara si kriter, në mënyrë që institutet mos të ndjejnë nevojën për ta kaluar atë presion te shkencëtarët individualë.
Në udhëzues kërkohet gjithashtu që institutet të ndihmojnë shkencëtarët e rinj të shmangin burokracinë duke ndërmarrë veprime të tilla si thjeshtimi i procedurave të rimbursimit, shmangia e aktiviteteve të panevojshme të marrëdhënieve me publikun dhe zvogëlimi i numrit të çështjeve të panevojshme administrative.
Institutet duhet të kujdesen që shkencëtarët e rinj të mund t'i kushtojnë të paktën 80 për qind të kohës së tyre kryerjes së kërkimit shkencor. Udhëzuesi vuri në dukje se institutet duhet t'i kushtojnë më shumë vëmendje plotësimit të nevojave shëndetësore dhe financiare të shkencëtarëve të rinj.
Po ashtu, ata inkurajohen të garantojnë pagat e duhura, kohën e pushimit vjetor dhe kontrollet e shëndetit fizik dhe mendor, si dhe duhet të përpiqen të ndihmojnë shkencëtarët me gjetjen e strehimit dhe shkollave për fëmijët e tyre. Këto masa vijnë pasi Kina po kërkon të rrisë aftësitë e saj shkencore dhe teknologjike në mënyrë që të arrijë qëllimin për t'u bërë një fuqi udhëheqëse globale në shkencë dhe teknologji deri në vitin 2035.
Ministria e Shkencës bëri të ditur se nga viti 2012 deri në 2021-shin, rreth 450.000 studentë kanë fituar doktoraturë dhe rreth 20.000 studiues pas doktoraturës janë punësuar çdo vit për të punuar në entet kërkimore në mbarë vendin.
“Ne do t'i shtyjmë punëdhënësit në nivel vendor që të kenë plane të detajuara për këto masa”,- bëri të ditur ministria përmes një deklarate shpjeguese, duke shtuar se do të vlerësojë zbatimin dhe do të zgjidhë problemet e shfaqura në përputhje me rrethanat.