Ekspozita Kulturore e Rrugës së Mëndafshit pritet t'i japë forcë të re nismës "Një brez, një rrugë"
2023-09-06 19:21:13

 

Foto: Ekspozita e 6-të Kulturore Ndërkombëtare e Rrugës së Mëndafshit (Dunhuang) filloi në qytetin Dunhuang, në provincën Gansu të Kinës Veriperëndimore, 6 shtator 2023. / CGTN

Ekspozita e 6-të Kulturore Ndërkombëtare e Rrugës së Mëndafshit (Dunhuang) nisi të mërkurën në qytetin Dunhuang të provincës Gansu të Kinës Veriperëndimore.

Ekspozita dyditore me temë "Lidhja e botës: Shkëmbimet kulturore dhe mësimi i ndërsjellë midis qytetërimeve", do të përfshijë veprimtari që përqendrohen në ndërtimin e përbashkët të nismës "Një brez, një rrugë" të propozuar nga Kina dhe në trashëgimin e promovimin e kulturës së Dunhuang-ut, për të ndihmuar zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.

Duke vënë në dukje se edicioni i parë i ekspozitës Dunhuang filloi në vitin 2016, Li Shulei, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe kreu i Departamentit të Publicitetit të Komitetit Qendror të PKK-së, tha në ceremoninë e hapjes se ekspozita ka nxitur forma të ndryshme shkëmbimesh kulturore dhe ka ndërtuar një urë për të ndihmuar popujt përgjatë "Një brez, një rrugë" të forcojnë njohjen e ndërsjellë.

Foto: Më tepër se 1 200 të ftuar nga vende si Turkmenistani e Madagaskari, si dhe përfaqësues të UNESCO-s, ndjekin ceremoninë e hapjes së Ekspozitës së 6-të Kulturore Ndërkombëtare të Rrugës së Mëndafshit (Dunhuang), 6 shtator 2023. / CGTN

Ky vit shënon përvjetorin e 10-të të nismës "Një brez, një rrugë". Në këtë pikëfillim të ri është e rëndësishme të zgjerohen shkëmbimet njerëzore e bashkëpunimi ndërkombëtar, për të shtuar një forcë më të thellë kulturore në ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë", shtoi Li.

Gjatë veprimtarisë dyditore, ekspozita të ndryshme, duke përfshirë atë për rripat prej bambuje, pritet të tregojnë historinë e trashëgimisë unike historike dhe kulturore të Dunhuang-ut, një ndalesë e rëndësishme në Rrugën e Mëndafshit që ka dëshmuar integrimin e qytetërimeve.

Foto: Pjesëmarrësit duke biseduar para se të fillojë ekspozita, 6 shtator 2023. / CGTN

Ekspozita e Dunhuang-ut është një veprimtari e madhe e gjithanshme në nivel kombëtar, me temën e  shkëmbimeve kulturore ndërkombëtare përgjatë Rrugës së Mëndafshit. Që nga fillimi më 2016, Ekspozita Kulturore Ndërkombëtare e Rrugës së Mëndafshit është mbajtur 5 herë.

Më tepër se 1 200 të ftuar nga vende si Turkmenistani e Madagaskari, si edhe përfaqësues të UNESCO-s, morën pjesë në ceremoninë e hapjes.(Artan)