OKB: Kemi hyrë zyrtarisht në epokën e emigrimit klimaterik
2023-09-06 16:02:35


Foto nga CFP

Kemi hyrë zyrtarisht në epokën eemigrimit klimaterik, deklaroi drejtoresha e përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM) të Kombeve të Bashkuara (OKB), Amy Pope.

Në një deklaratë me shkrim, në kuadër të Samitit të Klimës në Afrikë,që zhvillohet në kryeqytetin e Kenias, Nairobi, Pope bëri thirrje për hapa konkretë për të trajtuar vështirësitë lidhur me ndryshimin klimaterik dhe lëvizjen e njerëzve, përcjell “ATSH”.

“Samiti është takimi më i madh i liderëve të vendeve afrikane, ministrave, përfaqësuesve të institucioneve të OKB-së, partnerëve humanitarë dhe zhvillimit, sektorit privat dhe rinisë në historinë e kontinentit”,- theksoi Pope, duke theksuar se samiti do të jetë një mundësi e mirë për të trajtuar efektet në rritje të ndryshimit klimaterik mbi lëvizjen njerëzore në Afrikë.

“Vendet e Afrikës, teksa ndodhen në mesin e vendeve më të pambrojtura kundër efekteve të ndryshimit klimaterik, po përjetojnë efekte të tmerrshme të krizës së klimës të tilla si thatësira, përmbytje, temperatura të larta ekstreme dhe ngritja e nivelit të detit. Në vitin 2022 është regjistruar se mbi 7.5 milionë njerëz në Afrikë janë zhvendosur për shkak të fatkeqësive natyrore”, tha Pope.

“Kemi hyrë zyrtarisht në epokën e emigrimit klimaterik”, theksoi Pope, duke shtuar se ka nevojë për zgjidhje urgjente që të trajtojë lidhjen midis ndryshimit klimaterik dhe lëvizshmërisë njerëzore në shkallë kontinentale.

“Banka Evropiane ka raportuar se rreth 105 milionë njerëz mund të bëhen emigrantë në Afrikë për shkak të ndryshimit të klimës nëse nuk kalohet në veprime efektive dhe të vazhdueshme deri në fund të vitit 2023 në Afrikë”, tha Pope.

Sipas saj, IOM-i mund të sigurojë kontribut në luftën e vazhdueshme me efektet e ndryshimit klimaterik mbi Afrikën. (Elona)