Foto: Pishtari "Flaka e përjetshme" i Lojërave të 19-ta Aziatike në Hangzhou të provincës Zhejiang të Kinës Lindore. / CMG
Stafeta e pishtarit për Lojërat e 19-ta Aziatike në Hangzhou të provincës Zhejiang të Kinës Lindore do të nisë të premten nga qyteti organizator, njoftoi në një konferencë shtypi të mërkurën komiteti organizator.
Stafeta do të fillojë nga Hangzhou dhe pastaj do të kalojë nëpër Huzhou, Jiaxing, Shaoxing, Ningbo, Zhoushan, Taizhou, Wenzhou, Lishui, Jinhua dhe Quzhou, po në provincën Zhejiang, përpara se të kthehet në Hangzhou për ndalesën përfundimtare në 20 shtator.
Përfaqësuesit e 11 qyteteve i morën pishtarët në konferencën e shtypit. Do të ketë 2 022 pishtarmbajtës, të moshës 14 vjeç deri 84 vjeç, prej të cilëve 732 janë femra dhe 275 nga qarqet sportive.
Foto: Përfaqësuesit e 11 qyteteve marrin pishtarët e Lojërave të 19-ta Aziatike në një konferencë shtypi në Hangzhou të provincës Zhejiang të Kinës Lindore, 6 shtator 2023. / Uebsajti zyrtar i Lojërave Aziatike të Hangzhou-t
Pishtari, i quajtur "Flaka e përjetshme", frymëzohet nga qytetërimi Liangzhu, rrënojat e të cilit ndodhen në Hangzhou dhe që simbolizon trashëgiminë e kulturës kineze nëpërmjet brezave për 5 000 vjet.
Rrugët e kalimit të pishtarit janë projektuar me karakteristika të ndryshme të secilit nga 11 qytetet. Për shembull, rruga në Hangzhou ka të bëjë me historinë e zhvillimit vendor. Në Wenzhou, rruga do të tregojë historinë e gjatë të këtij qyteti si një port tregtar. Në Lishui do të theksohet energjia rinore.
Lojërat e 19-të Aziatike do të zhvillohen nga 23 deri më 8 tetor dhe do të përfshijnë 481 konkurrime në 61 disiplina të 40 sporteve. Medalja e parë e artë do të jepet më 24 shtator, ndërsa ndeshja e parë e sporteve elektronike do të zhvillohet gjithashtu po atë ditë si një veprimtari zyrtare ku jepen medalje në historinë e Lojërave Aziatike.(Artan)