Kryeministri kinez merr pjesë në mbledhjen e liderëve ASEAN+3
2023-09-06 20:10:38

Kryeministri kinez Li Qiang mori pjesë në Mbledhjen e 26-të të Liderëve ASEAN - Kinë, Japoni dhe Kore e Jugut (10+3), që u zhvillua të mërkurën në kryeqytetin indonezian Xhakartë.

Kryeministri kinez Li Qiang(i gjashti nga e djathta) del në fotografi me liderë të tjerë të samitit 10+3(Foto:Xinhua)

Kreu i qeverisë kineze vuri në dukje se mekanizmi i bashkëpunimit 10+3 ka kaluar sprovat e shumë krizave dhe po luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e zhvillimit dhe të lulëzimit rajonal. “Ne, pjesëtarët e këtij mekanizmi, madje e gjithë Azia, kemi një vatër të përbashkët, interesa dhe mundësi të përbashkëta. Duhet të nisemi nga zhvillimi paqësor i Azisë, duke kërkuar pikat e përbashkëta e duke mënjanuar dallimet, për të ndërtuar një bashkësi me fate të përbashkëta të Azisë. Duhet t’i japim përparësi zhvillimit të bashkëpunimit rajonal, duke shpërfillur ndërhyrjet e ndryshme dhe duke eksploruar mundësitë e bashkëpunimit, për të gjetur një rrugë zhvillimi më të qëndrueshëm, më dinamik dhe më përfshirës”, tha kryeministri kinez.

Ai paraqiti një propozim prej tre pikash.

Së pari, të nxitet në vazhdimësi integrimi ekonomik rajonal, duke çliruar më shumë mundësi bashkëpunimi brenda kornizës së traktatit të RCEP-it, me anën e nxitjes së qarkullimit të lirë të faktorëve të prodhimit dhe zgjerimit e ngritjes së nivelit të tregtisë e të investimeve. Pala kineze shpreson se Hong-Kongu mund të gjejë mbështetje nga të gjitha palët për t’u anëtarësuar në këtë traktat.

Së dyti, të thellohet pandërprerë ndarja e punës dhe bashkëpunimi rajonal në sektorin industrial, duke nxitur përmirësimin e zinxhirëve të furnizimit në mënyrë të qëndrueshme.

E treta, të forcohet më tej roli udhëheqës i risive tekniko-shkencore. Kina është e gatshme të thellojë bashkëpunimin me palët e ndryshme në fusha si ekonomia digjitale, energjia e pastër e makinat me energji të re, duke kultivuar më shumë pika të rritjes ekonomike.

Në mbledhje, kryeministri Li paraqiti edhe qëndrimin e Kinës për lëshimin e ujit të ndotur radioaktiv të Japonisë, duke theksuar se trajtimi i ujit të ndotur radioaktiv nga centrali i dëmtuar i Fukushimës ka të bëjë me mjedisin ekologjik oqeanik global dhe shëndetin e gjithë njerëzimit. Sipas tij, pala japoneze duhet të mbajë si duhet detyrimet e veta ndërkombëtare dhe të zhvillojë konsultime të plota me vendet fqinje e palët e tjera të interesuara, duke e trajtuar me përgjegjësi këtë çështje.(Zhang Yan/Artan)