Eurostat: Të rinjtë në BE jetojnë me prindërit deri në moshën 26-vjeçare
2023-09-06 15:43:05

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Zyra Europiane e Statistikave (Eurostat) ka publikuar të dhënat për vitin 2022 lidhur me moshën mesatare të të rinjve në vendet e BE-së që largohen nga shtëpitë e tyre familjare.

Sipas raportit, në vendet e BE-së, të rinjtë largohen nga shtëpitë e prindërve mesatarisht në moshën 26.4-vjeçare, përcjell “ATSH”.

Gratë largohen nga shtëpitë familjare më herët, rreth moshës 25.4-vjeçare, ndërsa burrat fillojnë të jetojnë të pavarur në moshën 27.3 vjeç.

Finlanda është vendi ku të rinjtë largohen nga shtëpia në moshën më të hershme midis vendeve të BE-së, mesatarisht 21.3 vjeç. Në renditje, ajo pasohet nga Suedia me 21.4 vjeç, Danimarka me 21.7 vjeç dhe Estonia me 22.7 vjeç.

Të rinjtë në Holandë largohen nga shtëpia në moshën 23-vjeçare, në Francë 23.4 vjeç dhe në Gjermani 23.8 vjeç.

Në Kroaci, fëmijët i lënë prindërit në moshë më të madhe, mesatarisht 33.4 vjeç, kurse në Sllovaki mesatarja është 30.8 vjet, në Greqi 30.7 dhe Bullgari e Spanjë 30.3 vjeç.(Elona)