Foto nga VCG
Të hënën ishte Dita e Medias në kuadër të Ekspozitës Ndërkombëtare të Automjeteve të Gjermanisë. Kjo ekspozitë zhvillohet në qytetin e Munihut dhe do të zgjatë 6 ditë. Përfaqësuesit nga fushat e mikromobilitetit, të biçikletave e automjeteve, si edhe të furnizuesve, do të shfaqin teknologjinë e re të automjeteve, metodat e udhëtimit të zgjuar dhe krijimin e risive të transportit.
Numri i ekspozuesve nga jashtë Gjermanisë u rrit 17 % në krahasim me edicionin e kaluar, duke zënë 50 % të numrit të përgjithshëm. Ndër ta, numri i ekspozuesve kinezë u shtua dyfish në krahasim me vitin 2021 dhe Kina ka ende me numrin më të madh të ekspozuesve përveç vendit pritës, Gjermanisë.
Në ekspozitë, prodhuesit e automjeteve, furnizuesit e pjesëve të këmbimit dhe prodhuesit e zgjidhjeve teknologjike nga Kina tërhoqën vëmendje të madhe. Mendohet se zhvillimi i shpejtë i industrisë së automjeteve të Kinës në drejtim të makinave elektrike e inteligjente, lëshimit të ulët të karbonit e digjitalizimit ka ofruar mundësi të reja dhe ka sjellë shtysë të re për zinxhirët globalë të industrisë dhe furnizimit.
Jürgen Mindel, drejtori menaxhues i Shoqatës së Industrisë së Automjeteve të Gjermanisë, tha në një intervistë për CMG-në se Kina është quajtur vendlindja e dytë e kompanive gjermane të automjeteve, sepse Kina është tregu më i madh në botë dhe është partnere në transformimin dhe ngritjen e nivelit të industrisë:
"Industria gjermane e automjeteve është e rrënjosur fort në Kinë. Vitet e fundit e kemi ndier thellësisht zhvillimin e fortë dhe gjallërinë inovative të industrisë së automjeteve të Kinës. Prandaj jemi shumë kënaqur që jo vetëm kompanitë gjermane janë aktive në Kinë, por edhe makinat kineze shihen shpesh në rrugët evropiane. Nuk është e vështirë të shihet nga Ekspozita e Automjeteve e Shangait në prill të këtij viti se Kina është shumë përpara në krijimin e risive e në fusha të tjera dhe ka shumë gjëra që ia vlen të mësohen nga Gjermania. Në të ardhmen, të dy vendet kanë perspektiva të gjera për bashkëpunim në fushën e lëvizshmërisë, duke përfshirë transportin e qëndrueshëm, digjitalizimin dhe drejtimin autonom të makinave."
Foto nga VCG
Zv.sekretarja e Shoqatës së Industrisë së Automjeteve të Kinës, Liu Yan, vuri në dukje se ekspozita e automjeteve e Gjermanisë njihet si "erëtreguesi" i industrisë së automjeteve dhe ndërmarrjet kineze nëpërmjet pjesëmarrjes në të mund të shfaqin rezultatet e krijimit të risive dhe fuqinë e automjeteve kineze në mbarë botën.
"Të gjithë e dini se gjatë dhjetëra vjetëve, bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe Gjermanisë në industrinë e automjeteve ka luajtur rol për nxitjen e zhvillimit ekonomik të të dy vendeve. Që kur 'Volkswagen' i Gjermanisë ka hyrë në tregun kinez, bashkëpunimi kino-gjerman në industrinë e automjeteve ka vazhduar të përparojë. Kina është bërë tregu më i madh për markat gjermane të makinave në botë. Bashkëpunimi me kompanitë gjermane gjithashtu ka promovuar mjaft zhvillimin e industrisë kineze të automjeteve. Në këtë ekspozitë në Mynih, numri dhe përmasa e ekspozuesve nga prodhuesit kinezë të automjeteve dhe kompanitë teknologjike të zinxhirit të furnizimit arritën një rekord të lartë. Ky është gjithashtu shembull i bashkëpunimit të vazhdueshëm me përfitime të përbashkëta nga bashkëpunimi kino-gjerman," theksoi ajo.
Yan Min, përgjegjësi për tregun europian i kompanisë "Sanhua Automotive", tha se baza e besimit të ndërmarrjeve kineze për hyrje në tregun botëror është nga hapja dhe zhvillimi me cilësi të lartë i Kinës, kurse pjesëmarrja e kompanive kineze në ekspozitat e nivelit të lartë mund të tregojë vendosmërinë e Kinës për të mësuar nga palët e ndryshme dhe për të bashkëpunuar me to me leverdi reciproke.
"Kjo është hera e tretë që marrim pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Automjeteve të Gjermanisë, që ka një histori të gjatë. Në dy ekspozitat e mëparshme, e kuptuam thellësisht se kompanitë kineze dhe kompanitë e huaja, veçanërisht ato evropiane, janë shumë përplotësuese dhe perspektivat për bashkëpunim në fushën e automjeteve me energji të reja të orientuar drejt së ardhmes janë shumë të gjera. Këtë herë morëm pjesë përsëri, pasi, nga njëra anë, shpresojmë të vazhdojmë ta përdorim platformën e ekspozitës për të shfaqur teknologjinë e përparuar të produkteve të menaxhimit termik dhe për ta ndihmuar industrinë evropiane të automjeteve të fokusohet te makinat elektrike nëpërmjet zgjidhjeve inovative të Kinës dhe, nga ana e tjetër, duam të forcojmë bashkëpunimin me pjesëmarrësit për të nxitur zhvillimin e vazhdueshëm në drejtim të makinave inteligjente, lëshimit të ulët të karbonit dhe qëndrueshmërisë," theksoi Yan Min.
Foto nga VCG
Ekspozita Ndërkombëtare e Automjeteve e Gjermanisë, që fillimisht quhej Panairi Ndërkombëtar i Makinave i Frankfurtit, organizohet një herë në dy vjet. Ajo është një nga ekspozitat me ndikim më të madh dhe me përmasa më të mëdha në fushën e automjeteve në botë. Edicioni i sivjetshëm do të zhvillohet nga 5 deri më 10 shtator dhe parashikohet se do të tërheqë 400 mijë vizitorë. (Çang Çuo)