“HRW” kërkon ndalimin e përdorimit të municioneve thërrmuese
2023-09-06 10:24:59

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Organizata “Human Rights Watch” ka ngritur alarmin mbi pasojat e përdorimit të municioneve thërrmuese. Në raportin “Monitorimi i municioneve thërrmuese 2023”, të publikuar më 5 shtator, organizata bën të ditur se dëmet e shkaktuara te civilët nga përdorimi i municioneve thërrmuese dhe transferimet e fundit të armëve tregojnë nevojën urgjente që të gjitha shtetet t’i bashkohen ndalimit ndërkombëtar të municioneve thërrmuese, citon “Panorama”.

“Municionet thërrmuese janë armë të neveritshme që janë të ndaluara globalisht pasi shkaktojnë dëme dhe vuajtje të menjëhershme dhe afatgjata te civilët”, - tha Mary Wareham, drejtoreshë për mbrojtjen nga armët në “Human Rights Watch” dhe redaktore e raportit të ri.

“Është e papërgjegjshme që civilët ende të vdesin nga sulmet me municione thërrmuese 15 vjet pasi këto armë janë shpallur të paligjshme”, - shtoi ajo.

Municionet thërrmuese mund të gjuhen nga toka me artileri, raketa, predha mortajash apo të hidhen nga avionët. Ato zakonisht shpërthejnë në ajër, duke shpërndarë bomba të shumta më të vogla në një zonë të gjerë. Shumica e bombave më të vogla që lëshohen nga këto armë dështojnë që të shpërthejnë menjëherë, por ato mund të shkaktojnë lëndime dhe të vrasin pa dallim për vite me radhë. Sikurse minat tokësore, ato duhet të pastrohen dhe shkatërrohen.

Gjatë vitit 2022, rreth 95 për qind e viktimave nga municionet thërrmuese ishin civilë, u tha në raport. Sulmet me municione thërrmuese vranë ose plagosën të paktën 987 persona në vitin 2022 dhe 890 prej viktimave ishin në Ukrainë. (Elona)