Malda Lika
Nga 1- 5 shtator mbahet edicioni i parë i filmit për të rinj ‘Tirana European Youth Film Festival’ (TEYFF). Kjo është një sipërmarrje jo fitimprurëse, misioni i së cilës është të hapë një dritare të re të kinemasë evropiane në Tiranë, si dhe të promovojë vizionet e aftësitë e regjisorëve në një nga festivalet e filmave më të mirë që është zhvilluar në kryeqytet deri më sot. Ky është edicioni i parë, por të rinjtë premtojnë se ‘do të mbahet mend energjia dhe njerëzit e tij për një kohë të gjatë’. Festivali u zhvillua në një interval kohor prej 5 ditësh, nga 1-5 shtator në dy vende të ndryshme si Qendra e Artit “Agimi” dhe Piramida e Tiranës, ku janë shfaqur 9 filma me protagonistë regjisorë të rinj nga e gjithë Evropa.
Motoja e festivalit erdhi nën logon; ‘Çdo kineast e mban mend herën e tij të parë… në Tiranë.’ Një nga të rinjtë, pjesë e stafit të këtij festivali është Malda Lika, e cila ka studiuar për kinema dhe media. Ajo na ka treguar disa detaje rreth festivalit për Radio Ejani.
CMG: Si nisi “Tirana European Youth Film Festival” (TEYFF)?
Malda Lika: Si fillim nisi në kuadër të Tiranës që u shpall “Youth Capital” pra “Kryeqyteti i Rinisë” . Ky projekt është ideuar që në vitin 2022, por për disa shkaqe u shty dhe ja më në fund u realizua. Jemi shumë të lumtur që ia arritëm ta realizojmë këtë nismë, sepse kryefjala jemi ne rinia. Nga organizimi jemi të gjithë mosha shumë të reja, duke nisur që nga vullnetarët që janë 14 -15 vjeç, por edhe ne që jemi pjesë e stafit jemi të rinj, unë personalisht jam 23 vjeç. Filmat që marrin pjesë janë të gjitha nga regjisorë të rinj, por jo vetëm të rinj nga mosha pasi e veçanta e këtij festivali është që të jenë filmat e tyre të parë të karrierës, filmi i tyre i parë debutues, prandaj mban emrin “Tirana European Youth Film Festival” (TEYFF) sepse është vepra e tyre e parë.
CMG: Si arritët të kontaktonit me të rinj nga vende të ndryshme? Malda Lika: Festivali si çdo festival tjetër ka vendosur thirrjen që kërkojmë aplikantë që të sjellin filmat e tyre ‘FilmFreeway’, platforma që përdoret nga çdo festival në të gjithë botën. Ne kemi patur 300 aplikime dhe nga këto janë përzgjedhur nëntë filma, pra ka qenë një përzgjedhje shumë e fortë. Këto nëntë filma janë shfaqur në Qendrën e Artit “Agimi” dhe te Piramida e Tiranës, ku gjatë mbrëmjes përfundon me festa, sepse duke qenë një festival rinor, e kemi menduar që të kemi një ndërthurrje të festave dhe të filmave.
CMG: Janë dy konkurrentë shqiptarë dhe 7 të huaj të ndarë në pesë ditë.
Malda Lika: E vërtetë dhe çdo filmi i kemi dhënë mundësinë që të projektohet dy herë minimumi, një herë paradite dhe një herë pasdite, e shpërndarë në ditë të ndryshme. Përveç filmave, shumë të rëndësishme në këtë festival janë dhe realizimi i tre Masterclass, e fokusuar tek tema e filmit të parë. Kjo është një mënyrë e mirë për t’u mësuar të rinjve se si është të realizosh filmin tënd të pare, me këshilla nga regjisorë dhe artistë shumë të njohur shqiptarë. Po ashtu kemi edhe dy të ftuara speciale Alba Amira Ramadanin, e cila është një aktore që e ka nisur karrierën e saj në skenat ndërkombëtare dhe aktoren Anna Safroncik, një aktore e njohur italiane, që e kemi parë sidomos tek “100 Vitrinat” etj.
CMG: Si e ka pritur Anna këtë ftesë për të qenë në këtë edicion të parë të filmit për të rinj?
Malda Lika: Anna e ka pritur ftesën shumë mirë, duke u influencuar edhe nga fakti që Tirana dhe Shqipëria janë bërë kryefjala e turizmit dhe për atë ka qenë një mundësi shumë e bukur, që të vinte në Shqipëri, sepse ne përveç filmave dhe festave, kemi menduar edhe për disa aktivitete për ti njohur më tepër me Tiranën.
Aktorja Anna Safroncik (Foto nga instagrami)
Keti Luarasi në edicionin e parë të TEYFF
E ftuar për të celur këtë sezon të parë të “Tirana European Youth Film Festival” ishte dhe nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Keti Luarasi, e cila theksoi: “Mirë se keni ardhur miq të vjetër e të rinj nga e gjithë Evropa. Është fantastike që këtë mision ne e kemi kthyer në realitet e vazhdojmë ta kemi si vizionin tonë për të gjithë kohën që do jemi në Bashki. Mbështesim rininë tonë, i kthejmë qendrat e harruara në vepra arti, që të sjellim kulturën për të gjithë rininë dhe komunitetin tonë. Do doja të falenderoja Qendrën e Artit “Agimi”, Agjencinë e industrisë kreative ‘Tirana Film Office’, të cilët bën të mundur realizimin e këtij festivali, i cili do të vazhdoj ciklin e tij për shumë kohë në Tiranë. Ka qenë një gjë fantastike, që na dha neve mundësinë për të patur gjithë Europën në Tiranë për gjithë vitin 2022, ndërkohë këtë vit do e kemi sërish gjithë Europën pasi është ‘Viti Europian i Sportit’. E startuam këtë festival, duke u dhënë mundësinë këtyre të rinjve, por e dhe gjithë të rinjve të Europës, për të inspiruar njerëzit dhe të rinjtë e tjerë, që të ndjekin gjurmët e tyre” ka përfunduar Luarasi.
Misioni i këtyre të rinjve është që të pasurojnë, edukojnë, të argëtojnë, dhe të nxitin dialogun kulturor duke festuar përsosmërinë kinematografike në çdo gjuhë. Kjo është një mënyrë e mirë për të zbuluar një valë të re talentesh , duke shfaqur 5 regjisor të huaj dhe dy shqiptarë teksa deputuan në filmat e tyre, ku në përfundim do të ndahen edhe çmime. Në mbrëmjen e fundit më datën 5 shtator në orën 19.00 pranë Agimi Art Center, do jetë e ftuar aktorja e mirënjohur Anna Safroncik. Ajo i bashkohet ditës së fundit të festivali për t’ju bashkuar në një bashkëbisedim me të gjithë ndjekësit e saj. Ky projekt mbështet nga Bashkia Tiranë.
Intervistoi: Sava Lena