Rubina Bejaj
Rubina Bejaj është 9-vjeç dhe nxënëse e shkëlqyer në shkencat ekzakte. Ajo ka një talent të spikatur në pikturë, ndoshta sepse nëna e saj është piktore e njohur, ndërsa babai arkitekt. Rubina 4 vjeçare kur ka prekur penela dhe telajo dhe familja e saj ka kuptuar talentin që ka ajo për pikturën. Në një bisedë për Radio Ejani, nxënësja Rubina Bejaj tregon sfidat, përditshmërinë dhe ëndrrat për të ardhmen e saj.
CMG: Rubina këtë bisedë e nisim me ty, si një personazh. Çfarë mendon ti kur sheh veten?
Rubina Bejaj: Jam e vogël në moshë, por tek vetja shoh Rubinën si piktore, si lexuese dhe nxënëse e mirë.
CMG: Kur ka filluar pasioni për pikturën?
Rubina Bejaj: Unë kam qenë shumë e vogël kur në dhomën time nisa të pikturoj. Kam qëndruar gjithmonë pas mamit dhe babit, ata të dy e duan shumë pikturën. Ka qenë kjo një nxitje që unë të bëhesha piktore. Të gjitha pikturat e mia që në fillim kanë qenë të bukura.
CMG: Të thonë shpesh që e ke pasion të lindur?
Rubina Bejaj: Po. Mami më thotë që unë kam lindur piktore, pasi arrij t’i realizoj të gjitha gjërat bukur dhe këtë gjë e kam bërë qëkurse kam qenë ende 4-vjeç. Sot pikturoj më bukur edhe më mirë, me kalimin e kohës unë jam përmirësuar.
CMG: A të mbështesin shoqet apo edhe mësueset për të ndjekur ëndrrën tënde?
Rubina Bejaj: Të gjithë më kanë mbështetur. Shoqet dhe mësuesja edhe gjithë të tjerët besojnë se unë bej piktura të bukura dhe po ja dal që të jem një piktore e mirë, pa lënë pas mësimet. Unë i dua shumë shoqet , kam shumë shoqe.
CMG: Çfarë të pëlqen të pikturosh më tepër?
Rubina Bejaj: Më tepër më pelqen të pikturoj portrete njerëzish dhe kafshësh. Unë kam dy kafshë të preferuara që janë qeni dhe papagalli.
CMG: Pse përzgjodhe si kafshë të preferuar qenin dhe papagallin?
Rubina Bejaj: Unë kam pasur një papagall në shtëpinë time, por ai nuk jeton më. Ka qenë kafsha ime e preferuar e doja shumë, ndaj dhe i kam dedikuar një pikturë. Ndërsa qenin e kam përzgjedhur sepse është një kafshë e dashur edhe shumë besnike.
CMG: Cilat janë ëndrrat e tjera që ti ke?
Rubina Bejaj: Unë kam ëndërr edhe të behem arkitekte, përveç pikturës. Por une do ndalesha pak tek ëndrrat që të tjerët kanë për mua. Më kanë shtyrë përshembull të behem mjeke, por unë nuk e dua atë gjë. Gjyshja ime shpesh më thotë të bëhem një mjeke, por pasioni im i lindur është piktura.
CMG: Si do t’i motivoje të vegjlit e tjerë?
Rubina Bejaj: Duke qenë se unë kam vazhduar ëndrrën time që është piktura do doja që gjithë fëmijët e botës të ndjekin ëndrrat e tyre.
Do të doja që edhe prindërit t’i mbështesin më shumë fëmijët në gjërat që duan.
CMG: A ke ndonjë përshëndetje të veçantë?
Rubina Bejaj: Po kam për vëllain tim të vogël, Leudritin. Ai e ka këtë emër sepse ne kemi menduar së në jetën tonë ka lindur një dritë. Vëllai im është gjithçka që kam. E dua shumë.
Intervistoi: Megi Latifi