Udhëheqësi i ri ushtarak i shtetit afrikan Gabon u betua në pozitën e kreut të shtetit kalimtar të hënën, pak ditë pas rrëzimit nga pushteti të Presidentit Ali Bongo, familja e të cilit udhëhiqte vendin prej pesë dekadash.
Gjenerali Brice Clotaire Oligui Nguema u betua në pallatin presidencial, para shumë zyrtarëve qeveritarë, udhëheqësve ushtarakë dhe lokalë në kryeqytetin Libreville. Zoti Oligui është kushëri i presidentit të rrëzuar Bongo dhe ka shërbyer si truprojë e babait të tij të ndjerë. Gjenerali Oligui po ashtu ka shërbyer si kreu i gardës republikane.
Mes ovacionesh, zoti Oligui tha se ushtria mori pushtetin pa gjakderdhje dhe premtoi mbajtjen e zgjedhjeve të lira, demokratike dhe të besueshme.
“Me qeverinë e re, të përbërë nga njerëz me përvojë, do t’u japim të gjithëve mundësi të shpresojnë”, tha ai.