Pekini: Tajvani nuk ka të drejtë të anëtarësohet në OKB
2023-09-05 21:26:43

Zëdhënësja e diplomacisë kineze Mao Ning ritheksoi të martën se Tajvani nuk ka asnjë bazë, arsye apo të drejtë për t'u anëtarësuar në OKB-në ose në organizata të tjera ndërkombëtare që kërkojnë qenien shtet.

Foto:VCG

Foto:VCG

Mësohet se në një konferencë shtypi të organizuar ditët e fundit, autoritetet e Tajvanit listuan "katër thirrje" për pjesëmarrjen e Tajvanit në OKB dhe pretenduan se do të ftonin "aleatët diplomatikë" që t'i dërgonin një letër të përbashkët sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, duke i kërkuar atij të korrigjonte interpretimin “e gabuar” të Rezolutës nr. 2758 të OKB-së.

Në përgjigjen e saj, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Mao Ning tha në një konferencë të rregullt shtypi të martën se Tajvani është pjesë e Kinës. Duke shpërfillur këtë fakt dhe bazë ligjore, autoritetet e Partisë Demokratike Progresive (DPP) të Tajvanit kanë shtrembëruar Rezolutën 2758 të OKB-së, duke sfiduar hapur parimin e njohur ndërkombëtarisht të “një Kine”, dhe duke përhapur gënjeshtra për të realizuar "pavarësinë e Tajvanit". Këto provokime separatiste janë jashtëzakonisht të rrezikshme.

Zëdhënësja vuri në dukje që në sesionin e 26-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 25 tetor 1971, u miratua rezoluta 2758 me një shumicë dërrmuese, e cila “vendos t'i rikthehen të gjitha të drejtat Republikës Popullore të Kinës dhe të njohë përfaqësuesit e qeverisë së saj si përfaqësuesit e vetëm të ligjshëm të Kinës në Kombet e Bashkuara", duke u dëbuar menjëherë përfaqësuesit e autoriteteve të Tajvanit nga vendi që ata zinin në mënyrë të paligjshme. Mao tha se që nga ajo kohë, propozimi i "përfaqësimit të dyfishtë", i bërë nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera, për të ruajtur vendin e Tajvanit në OKB u bë një copë letër për në koshin e mbeturinave.

"Një herë e përgjithmonë, rezoluta nr. 2758 e OKB-së zgjidhi, politikisht, juridikisht dhe proceduralisht, çështjen e përfaqësimit të të gjithë Kinës, përfshirë Tajvanin, në OKB. Ajo gjithashtu e bëri të qartë që mund të ketë vetëm një vend që përfaqëson Kinën në OKB dhe nuk ekziston problemi i të ashtuquajturave 'Dy Kina' ose 'Një Kinë, një Tajvan'", shtoi znj. Mao.

Zëdhënësja e diplomacisë kineze Mao Ning në konferencën e shtypit të së martës, 5 shtator, Pekin(Foto: Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

Sipas saj, që nga miratimi i rezolutës nr.2758, OKB-ja dhe agjencitë e saj të specializuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare e rajonale e kanë zbatuar me rigorozitet këtë vendim dhe në bazë të parimit të “Një Kine”, 182 vende kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën. Parimi i “Një Kine” është bërë prej kohësh një normë e njohur botërisht në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe një konsensus i njohur gjerësisht në komunitetin ndërkombëtar.

"Çdo çështje që ka të bëjë me pjesëmarrjen e rajonit të Tajvanit në aktivitetet e organizatave ndërkombëtare duhet të trajtohet në kuadrin e parimit të ‘Një Kine’. Tajvani nuk ka asnjë bazë, arsye apo të drejtë për t'u anëtarësuar në OKB ose organizata të tjera ndërkombëtare që kërkojnë qenien shtet," shtoi zëdhënësja.

Ajo përsëriti se të dyja anët e ngushticës së Tajvanit i takojnë së njëjtës Kinë e Tajvani është pjesë e territorit të Kinës. Edhe pse të dyja palët kanë qenë politikisht kundër njëra-tjetrës për një kohë të gjatë, sovraniteti shtetëror dhe integriteti territorial i Kinës nuk janë ndarë kurrë. Kjo është statuskuoja reale e çështjes së Tajvanit. Spekulimi i autoriteteve të DPP-së për pjesëmarrjen e Tajvanit në OKB është në fakt një përpjekje për të krijuar një përshtypje të rreme të "Dy Kinave" ose "Një Kine, një Tajvani", duke sfiduar rendin ndërkombëtar me OKB-në në qendër të mbështetur nga ligji ndërkombëtar.

Mao vuri në dukje se autoritetet e DPP-së kanë promovuar "pavarësi progresive" dhe kanë nxitur "desinicizimin", ndërsa disa forca të jashtme e kanë shmangur parimin e “Një Kine” dhe kanë mashtruar dhe mbështetur veprimtaritë separatiste për "pavarësinë e Tajvanit". "Janë ata, e askush tjetër, që po minojnë statuskuonë dhe paqen e qëndrueshmërinë e ngushticës së Tajvanit. Ata janë përgjegjës për dëmtimin e gjendjes aktuale të ngushticës," u shpreh zëdhënësja.

Foto:VCG

Pesë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Shtetit të OKB-së(Foto:VCG)

"Më lejoni të theksoj se çështja e Tajvanit është thjesht punë e brendshme e Kinës dhe zgjidhja e saj është një çështje e 1.4 miliardë kinezëve në të dy anët e ngushticës së Tajvanit," tha Mao, duke shtuar se autoritetet e DPP-së nuk do të kenë sukses në kërkimin e mbështetjes së jashtme për të inkurajuar veprimtaritë e tyre separatiste. Sipas saj, Rezoluta nr. 2758 e OKB-së nuk duhet të sfidohet dhe parimi i “Një Kine” është i palëkundur.(Zhang Yan/Artan)