Foto nga VCG
Kina i trajton gjithmonë marrëdhëniet me ShBA-në në bazën e respektit të ndërsjellë, të bashkëjetesës paqësore e të bashkëpunimit me leverdi të përbashkët dhe është e angazhuar për të ecur në rrugën e bashkëjetesës me ShBA-në si dy vende të mëdha, vuri në dukje zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Mao Ning në një konferencë të rregullt shtypi të martën. Ajo u shpreh gjithashtu se Kina i përkrah dhe i inkurajon gjithmonë shkëmbimet njerëzore me ShBA-në.
Mao theksoi se gjatë mbi 40 vjetëve pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e ShBA-së, shkëmbimet njerëzore kanë qenë gjithmonë një burim i pashterëshëm energjie për zhvillimin e lidhjeve dypalëshe.
Tani Kina e ShBA-ja kanë krijuar 284 binjakëzime ndërmjet provincave e shteteve dhe qyteteve të tyre, duke nxitur shumë projekte të bashkëpunimit konkret dhe duke sjellë përfitime të mëdha për popujt e dy vendeve. Pas epidemisë, shkëmbimet njerëzore dhe mes qarqeve të ndryshme rifilluan, sepse forcimi i shkëmbimeve në fusha të ndryshme ndërmjet të dy vendeve është dëshira e të dy popujve dhe përputhet me interesat thelbësore të të dy vendeve. Shpresojmë se pala amerikane do të ecë në të njëjtin drejtim me palën kineze, për të realizuar konsensusin e arritur nga liderët e të dy vendeve gjatë takimit në Bali, duke përkrahur shkëmbimet e bashkëpunimin ndërmjet të dy vendeve në fusha të ndryshme dhe duke nxitur kthimin e marrëdhënieve kino-amerikane në rrugën e zhvillimit të shëndetshëm e të qëndrueshëm," u shpreh zëdhënësja Mao Ning. (Çang Çuo)