Ulet konsumi i energjisë elektrike gjatë verës 2023
2023-09-05 09:44:35

Masat për kursimin e energjisë (Foto Gazeta Dita)

Masat për kursimin e energjisë (Foto Gazeta Dita)

Më 30 gusht  Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaroi  se gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, janë mbi 120 MWH energji të instaluara për vetëkonsum nga biznese dhe abonentë familjarë, nga panelet diellore.

Ky burim alternativ energjie, së bashku me punën e punonjësve të Operatorit Shtetëror të Energjisë Elektrike(OSHEE) për uljen e humbjeve teknike dhe jo-teknike në rrjet, kanë sjellë uljen e konsumit të energjise elektrike në vend. Për muajt qershor dhe korrik 2023, konsumi i energjisë elektrike ka qenë dukshëm më i ulët se qershori dhe korriku i vitit 2022.

Ulja e konsumit të energjisë elektrike dhe pakësimi i abuzimeve me të janë objektiva të qeverisë, e cila ka nisur zbatimin e strategjisë së diversifikimit të burimeve energjetike. Sidomos, si vend kemi mundësi të mëdha për uljen e shpërdorimeve me energjinë.

Sipas specialistëve të energjitikës, një e gjashta e energjisë që harxhojmë shpërdorohet. Po si shpërdorohet?

Kursimi i energjisë elektrike (Foto Buletini Ekonomik)

Kursimi i energjisë elektrike (Foto Buletini Ekonomik)

Duke harruar ndezur dritat e rrugëve në mëngjes me dritë të ditës(ndodh rëndom edhe tani që qeveria ka vendosur masa kontrolli për harxhimin e energjisë elektrike). Duke harruar drita ndezur në zyrat e shtetit dhe privatit, apo në dhomat tona gjatë mbrëmjes e natës, duke e lënë gjithë ditën e natën ndezur dushin, duke e harruar derën e frigoriferit hapur, qoftë dhe për pak minuta, apo duke larë rroba me kazanin e lavatriçes të mbushur pak. Duken gjëra të rëndomta, por përbëjnë miliona euro shpërdorim brenda një muaji.

 

Ka shumë mënyra për ta kursyer energjinë elektrike dhe për të bërë që të kemi nevojë jo më shumë se 14 mijë megavat-orë në ditë(ndoshta kufiri për t’ia dalë pa fashë gjatë muajve tetor 2023-shkurt 2024)

 

Po si? Së pari, të fikim dritat, kompjuterët, televizorin, telefonin, kondicionerin dhe çdo pajisje tjetër, përpara se sa të na zërë gjumi. Vetëm me këtë hap të thjeshtë mund të kursejme shumë. Po sa? Përllogaritjet nga shoqata serioze të shoqërisë civile, flasin për rreth 1.3 milionë euro energji e konsumuar m kot çdo muaj nga mbi 600 mijë familjet tona dhe nga bizneset dhe zyrat shtetërore.

 

Panelet diellore (Foto Anem)

Panelet diellore (Foto Anem)

Së dyti, nëse kemi pajisje që nuk përdoren(edhe karikues celularësh, etj.), por ama i mbajmë në prizë. Duhet t’i heqim nga priza.

 

Sa kursejmë po ta bëjmë? 300 mijë euro në muaj për të mbi 600 mijë familjet tona. Nuk është pak. Ia vlen që për këto pajisje të përdorim një prizë zgjatuese me shumë dalje, në mënyrë që të mund t’i fikim të gjitha, me një prekje të vetme.

 

Së treti, duhet të bëjmë kujdes me kondicionerin dhe dushin. Kto pajisje na kurdisin në harxhim të kotë energjie. Kondicionerin është mirë ta mbajmë në intervalin nga 18 deri në 20 gradë. Kur lahemi dhe mbushim vaskën me ujin e dushit, na qëllon jo pak herë ta harrojmë ujin e ngrohtë që po e mbush dhe ta derdhim së koti. Ose ta mbajmë të ndezur dushin, edhe pse nuk kemi synim të lahemi gjatë gjithë ditës së punës.

 

Kondicioneri dhe dushi janë “fajtorë” për harxhim të kotë energjie elektrike në muaj në nivel 5.6 milionë eurove për mbi 600 mijë familjet tona(apo një mijë lekë të reja harxhim i kotë mesatarisht për familje). Kondicioneri është i tillë edhe për bizneset dhe sipërmarrjet shtetërore.

 

Lavatriçja është harxhuesja numër një e energjisë elektrike ne Shqiperi dhe jo vetem, pas ngrohjes me korent. Nëse i lajmë rrobat me ujë të ftohtë, do të kursenim ndjeshëm elektricitet. Nëse lavatriçja jonë ka karakteristika të veçanta për kursimin e energjisë, atëherë do të ishim dyfish të fituar.

 

Nga harxhimi kot i energjisë prej lavatriçes(e mbushim kazanin në një të tretën, lajmë në 90 gradë rroba që shumë mirë lahen në 30 gradë apo me ujë të ftohte, etj.), të 650 mijë familjet tona humbin mesatarisht 500 lekë të reja në muaj ose 2.7 milionë euro.

 

Kursimi i energjisë (Facebook)

Kursimi i energjisë (Facebook)

Po ashtu, për çdo familje tonën, në vend të llampave të vjetra inkandeshente, ia vlen të investojmë tek llampat LED, të cilat janë jo vetëm të përballueshme, por edhe kursejnë goxha energji. Të gjitha kursimet, nga çdo burim, edhe për administratën shtetërore, do të na bënin të harxhonim 3-4 mijë megavat-orë energji elektrike më pak në ditë.

 

Duhet të shikojmë sa përputhen dritaret e dyert tona me dimrin që po afron. Një shtëpi më e izoluar kursen 20 përqind të energjisë për ngrohje. Vetëm në këtë mënyrë, ky kursim do të na mundësonte që çdo ditë t’i kërkojmë në nëndor dhe dhjetor 2023 OSHEE-se mesatarisht 13-14 mijë megavat-orë, dhe jo 16-17 mijë megavat-orë në ditë. Shifrat e fundit nënkuptojnë tharrjen e shpejtë të liqenit të Fierzës, rezervuarit tonë kryesor energjitik, si dhe blerjen e energjisë shumë të shtrenjtë nga jashtë, në nivel të 35-40 përqind të nevojave.

 

Rënia e konsumit të energjisë elektrike në shkallë vendi, e deklaruar nga zvkryeministrja e vendit,  përbën një lajm ogurmirë edhe për perspektivën e mos-vendosjes së fashës 800 kv gjatë muajve tetor 2023 dhe më tej në muajt e ftohtë të dimrit 2023-2024, për shkak të nevojës për të importuar nga jashtë energji me çmime shumë të larta.

Fatos Çoçoli