Pasditen e së martës, presidenti kinez Xi Jinping u takua në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me presidenten e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq Mirjana Spoljaric Egger.
Foto:Xinhua
Xi Jinping-u vlerësoi punën e frytshme të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në çështjet humanitare ndërkombëtare që nga krijimi 160 vjet më parë dhe kontributet e rëndësishme të Kryqit të Kuq për paqen dhe përparimin botëror.
Kreu i shtetit i Kinës vuri në dukje se bota sot po përjeton ndryshime të mëdha të papara në një shekull dhe shoqëria njerëzore po përballet me shumë sfida. Në rrethana të tilla, Kina nuk qëndron me duar kryq, por forcon bashkëpunimin me vendet e tjera të botës për të kërkuar së bashku zgjidhje dhe për të promovuar ndërtimin e një komuniteti me fate të përbashkëta për gjithë njerëzimin. “Unë parashtrova ndërtimin e përbashkët të nismës ‘Një brez, një rrugë’, Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global, me shpresën që të punojmë me të gjitha vendet e tjera të botës për zhvillim ekonomik, përmirësimin e jetesës së njerëzve e përfitime të ndërsjella, duke ofruar idetë dhe projektet e Kinës për forcimin e qeverisjes globale dhe menaxhimin e çështjeve humanitare,” u shpreh ai.
Foto:Xinhua
Xi Jinping theksoi më tej se humanitarizmi është konsensusi më madhor që mund të bashkojë qytetërime të ndryshme. Konceptet e kulturës tradicionale kineze, si "Dashamirësit kanë simpati edhe për të tjerët" dhe "Mos u bëj të tjerëve atë që nuk do që të të bëjnë ty" janë të përbashkëta me parimet e Kryqit të Kuq. Duke ndjekur konceptin e vendosjes së njerëzve në plan të parë, Kina ka fituar betejën më të madhe kundër varfërisë në historinë njerëzore. Përballë epidemisë së COVID-19, Kina jo vetëm ka mbrojtur jetën dhe shëndetin e banorëve të saj, por gjithashtu ka kryer operacionin më të madh humanitar në botë në historinë e vet. “Faktet kanë vërtetuar se Kina është një mbështetëse, pjesëmarrëse dhe kontribuuese aktive në kauzën ndërkombëtare humanitare. Kina është e gatshme të bashkëpunojë më ngushtë me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe të japë kontribute të rëndësishme në promovimin e kauzës së paqes dhe përparimit të njerëzimit”, tha presidenti kinez Xi Jinping.
Stafi kinez i Kryqit të Kuq punojnë në Siri të goditur nga tërmeti, shkurt 2023(Foto:VCG)
Ndërsa znj. Spoljaric i shprehu në takim urime Kinës që u bë vendi me numrin më të madh të fituesve në edicionin e 49-të të Çmimeve “Nightingale”, gjë që tregon vlerësimin e lartë të organizatës së saj dhe komunitetit ndërkombëtar për arritjet e zhvillimit të punës humanitare të Kinës. Kina ka respektuar dhe ka zbatuar gjithmonë të drejtën humanitare ndërkombëtare. Ndërtimi i përbashkët i "Një brez, një rrugë" ka promovuar zhvillimin e botës dhe ka ndihmuar kauzën globale humanitare. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq vlerëson lart rolin dhe kontributet e rëndësishme të Kinës në kauzën humanitare ndërkombëtare dhe pret thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Kinën për të dhënë së bashku kontribute të reja në promovimin e paqes e zhvillimit botëror dhe të kauzave ndërkombëtare humanitare.(Zhang Yan/Artan)