Foto nga Chinanews.com
Ditët e fundit u zhvillua në Pekin Forumi i 2-të Ndërkombëtar i Ekonomisë Meteorologjike, ku pjesëmarrësit shkëmbyen thellësisht mendime mbi temën "Ndryshimi i klimës dhe energjia e re". Në forum u publikuan edhe shumë rezultate të rëndësishme, si "Raporti i klimës 'Një brez, një rrugë'".
Në sfondin e temperaturave globale që thyejnë vazhdimisht rekorde dhe ngjarjeve ekstreme të motit dhe klimës që ndodhin shpesh, parandalimi dhe pakësimi i fatkeqësive, reagimi ndaj ndryshimeve klimatike dhe zhvillimi i ekonomisë meteorologjike janë bërë fokusi i komunitetit ndërkombëtar.
Foto nga Chinanews.com
Sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore Meteorologjike Petteri Taalas vuri në dukje në fjalimin e tij se, me intensifikimin e ndryshimit të klimës, ngjarjet ekstreme të motit janë më të shpeshta dhe shumë vende kanë shënuar rekorde të reja të temperaturave të larta. Sipas tij, në pesë vjetët e ardhshëm ngrohja globale ka të ngjarë ta tejkalojë pragun e ngrohjes të përcaktuar në Marrëveshjen e Parisit.
"Sipas situatës së tanishme, në fundin e këtij shekulli ngrohja globale do të rritet 2.5-3 celsius dhe ndryshimi i klimës do të ketë ndikime negative mbi vende të ndryshme, duke përfshirë Kinën. Ndryshimi i klimës do të shkaktojë probleme si shkrirja e akullnajave, intensifikimi i stuhive tropikale, përmbytjet, thatësirat, valët e të nxehtit dhe përkeqësimi i cilësisë së ajrit. Nëse prirja negative vazhdon deri në vitet '60 të këtij shekulli, do të ketë gjithnjë e më shumë ndikime negative mbi vendet dhe zhvillimin ekonomik," theksoi ai.
Foto nga VCG
Taalas tha se Kina është bërë një udhëheqëse në fushën e meteorologjisë në botë, ndërkohë që po e ndan përvojën e vet me vendet e tjera.
"Organizata Botërore Meteorologjike po promovon shërbime të përmirësuara të paralajmërimit të hershëm dhe metoda të reja të monitorimit të gazit serrë. Kam mësuar me kënaqësi që Kina ka investuar për të zhvilluar departamentin e saj meteorologjik gjatë tre dekadave të fundit dhe është bërë një ndër udhëheqëset në fushën e meteorologjisë në botë. Ju keni satelitë shumë modernë, sisteme vëzhgimi shumë moderne dhe burime të pasura kompjuterike me performancë të lartë. Ju gjithashtu keni trajnuar talente dhe keni forcuar vazhdimisht bashkëpunimin ndërkombëtar. Jemi shumë të lumtur që shohim se Kina është e gatshme të bashkëpunojë me vendet e tjera për të ndarë përvojat," vuri në dukje ai për medien kineze.
Foto nga VCG
Ndryshimi i klimës lidhet ngushtë me problemet e energjisë. Tani Kina po kryen rregullimin e strukturës së vet industriale e energjetike dhe po zhvillon energjinë e re, duke nxitur shndërrimin e modelit të vet ekonomik mbi bazën e tregut dhe duke dhënë kontribut pozitiv për përballin e ndryshimit të klimës dhe zhvillimin e vazhdueshëm. Në vitin 2015 Kina propozoi një nismë madhore për të ndërtuar internetin global të energjisë, e cila mori mbështetje të gjerë dhe përgjigje pozitive nga komuniteti ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë, praktika e internetit të energjisë të Kinës gjithashtu ofron referencë për transformimin global të energjisë. Liu Zehong, nënkryetar i Organizatës për Zhvillimin dhe Bashkëpunimin e Ndërlidhjes Globale të Energjisë, theksoi:
"Deri në fundin e vitit 2020, kapaciteti i instaluar për prodhimin e energjisë së përtëritshme i Kinës arriti në 1.21 miliardë kilovatë, me kapacitete të instaluara të energjisë ujore, të erës, diellore dhe të biomasës që renditen të parat në botë. Në vitin 2022, prodhimi vjetor i energjisë arriti në 270 milionë kilovatorë, lëshimet vjetore të dioksidit të karbonit janë ulur me 2.26 miliardë tonë, 37 projekte të transmetimit të tensionit ultra të lartë përfunduan dhe u vunë në punë e kapaciteti i transmetimit ndërmjet provincave dhe rajoneve arriti në 300 milionë kilovatë. "
Si një nga veprimtaritë e Panairit Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime të Kinës 2023, Forumi Ndërkombëtar i Ekonomisë Meteorologjike publikoi edhe shumë rezultate të rëndësishme, duke përshirë raportin "Shërbimet e integruara të motit e klimës në përkrahje të kalimit drejt energjisë neto zero", që ofron rastet më të mira të praktikës për shërbimet e motit, dhe "Raportin e klimës 'Një brez, një rrugë'", që nxit njohjen e ndërsjellë të vendeve përgjatë "Një brez, një rrugë" dhe ndihmon ndërmarrjet të "dalin jashtë vendit." (Çang Çuo)