Plazhi i Velipojes
Velipoja edhe këtë sezon mirëpriti turistë të shumtë, duke arritur kulmin në muajin gusht, kur priti deri në 100 mijë turistë në ditë. Pushues nga Shkodra, që e kanë Velipojën plazhin e tyre, nga i gjithë Veriu e sidomos nga Kosova, janë çdo vit të pranishëm në Velipojë, ndërsa sivjet joshja mediatike e plazheve shqiptare ka sjellë në Velipojë edhe pushues italianë, rumunë, spanjollë e kanadezë, për të cilët ky plazh ishte një zbulim.
30 kilometra nga qyteti i Shkodrës, sot një nga qendrat turistike më të vizituara në pjesën veriore shqiptare, ndodhet plazhi Velipojë, një nga vendet më tërheqëse për turistët.
Plazhi i Velipojës me ujin e tij të pastër dhe të kthjellët ndërthuret me gjelbërimin e pishave që pushtojnë gjithë bregdetin. Peizazhi i tij i bukur e bën për vete pushues të shumtë çdo vit. Për pushuesit, plazhi i Velipojës ofron rehati dhe siguri, madje për shumë nga ta, ky plazh mbetet i preferuari.
I njohur për rërën e pastër me veti kuruese dhe ditët e ngrohta, plazhi i Velipojës është vendpushimi i duhur për ata që duan të shijojnë plotësisht diellin dhe detin. Me një peizazh të larmishëm, ku ndërthuret me hijeshi deti, rëra, lumi, kodra, pylli, laguna e fusha, plazhi i Velipojës është gjithçka që pushuesit mund të kërkojnë. Në Velipojë dominon turizmi familjar.
E ndërsa në pjesën tjetër të plazheve shqiptare, çmimet pësuan rritje gjatë këtij sezoni, në Velipojë, çmimet treguan më stabilitet, kjo si për çmimet akomoduese, ashtu edhe për ato të konsumit, të bareve apo të restoranteve. Ky tipar e bëri Velipojën edhe më të dashur për pushuesit, të cilët në fakt e preferojnë shumë si plazh dhe nuk heqin dorë lehtë prej saj.
Velipoja ka një kapacitet prej 35 000 shtretërish dhe çdo vit në Velipojë pushojnë rreth 200 000 pushues në sezon.
Plazhi shtrihet në gjatësi rreth 14 kilometërshe, prej grykëderdhjes së Bunës e arrin deri tek zona e quajtur “Rana e Hedhun”, në afërsi të Shëngjinit. Ajo që të tërheq vëmendjen në këtë plazh, përveç detit shumë të pastër, ajrit me oksigjen kurativ, është edhe rëra e imët e errët e pasur me jod, si një nga përbërësit shërues të kësaj rëre.
Për të kuptuar arsyen e kësaj ngjyre, që ka lidhje me përqëndrimin e pazakontë të jodit, duhet pasur parasysh se pjesa më e madhe e buzëdetit të Velipojës, ishte para viteve ’90, një zonë e egër dhe që ruhej si një zonë ushtarake çka ka bërë të ruajë natyralitetin e saj.
Plazhi ofron hapësira të pafundme të mbushura me pisha të buta bregdetare, ujë të kthjellët dhe të pastër, rezervate natyrore, laguna dhe ishuj që ndërrojnë formë.
Çfarë të bëni në Velipojë ?
Plazhi i Velipojës ofron relaksin dhe argëtimin nën rrezet e diellit për tre muajt e sezonit veror. Sportet ujore dhe argëtimet në rërën e plazhit janë aktivitete që i japin gjallëri këtij plazhi. Në Velipojë ndodhen disa hotele, qëndra rezidenciale për pushuesit dhe një resort i madh. Në Velipojë, pushimet nuk janë aspak rutinë, pasi Velipoja është një plazh i mrekullueshëm për të gjithë.
Pranë lagunës së Vilunit pushuesit mund të drekojnë në një piknik të këndshëm me familjen, ose në një nga restorantet e shumtë, nën freskinë që ofrojnë pishat, duke dëgjuar cicërimat e zogjve dhe duke shijuar pamjen që ofron Laguna e Vilunit dhe shpendët e shumtë shtegtar.
Gjithashtu, në Velipojë ndodhet edhe një hapësirë e gjelbërt dhe shlodhëse, Parku Natyror i Velipojës, që ofron një kontakt të drejtëpërdrejtë me natyrën. Pushuesit e përdorin mjaft këtë mundësi duke shëtitur me biçikleta brenda parkut, ose në këmbë, nën hijen e pemëve të larta dhe të rrethuar nga një bimësi e shumëllojshme.
Ka prej atyre që preferojnë një shëtitje mbi kalë, duke provuar ndjesinë e lirisë, mes pyllit ku ndihen cicërimat e zogjve dhe gjallon një faunë e pasur, ose të tjerë që preferojnë të flenë përjashta buzë detit, për të parë lindjen e diellit në mëngjes.
Disa mund të bëjnë ecje me kilometra të gjata, pasi është ndër plazhet më të gjata në Shqipëri, ose mund të kalojnë kohë të mrekullueshme duke peshkuar.
Për të rinjtë surprizat nuk mungojnë. Ditës ka fusha në rërë për të luajtur futbool apo volejboll, ndërsa gjatë natës, jeta e natës ofron lokale me muzikë live ku ftohen artistët më të famshëm të momentit.
Shumë pranë Velipojës, pushuesit mund të gjejnë një tjetër plazh, Rrjollin.
Në juglindje të Velipojës, shtrihet një fshat i bukur dhe kryesisht i panjohur, Boks-Rrjoll, i cili së bashku me plazhin e tij të virgjër me ujëra të kristalta dhe rërë të mbushur me jod, e bëjnë këtë zonë të adhurueshme.
Ndër bukuritë e shumta të fshatit, më e goditura është plazhi i tij i virgjër me rërë dhe ujë të pastër si kristali.
Plazhi ka një shtrirje prej 4 km e cila shtrihet në një zonë me pyll e duna të vogla rëre. Plazhi i “strukur” e deri para pak kohëve i shfrytëzuar vetëm nga banorët e këtij fshati, vitet e fundit është kthyer në përzgjedhje të mirëfilltë të pushuesve. Çdo herë e më shumë njerëzit po synojnë që gjatë pushimeve të shkëputën nga zhurma e përditshme, e për këtë, plazhi i Rrjollit është një zgjedhje shumë e zgjuar.
Neritana Kraja