Foto nga CFP
Parisi është bërë kryeqyteti i parë në Evropë ku prej 1 shtatorit ka nisur ndalimi i përdorimit të skuterëve elektrike, pasi kjo lëvizje mori mbështetjen e shumicës së banorëve që votuan në një referendum që u mbajt në prill, njofton “RTSH”.
Pesë vite më parë, Parisi ishte një ndër të parët kryeqytete evropiane që miratuan përdorimin e këtyre mjeteve elektrike. Por 3 humbje jetësh dhe 459 lëndime të pësuara nga këta skuterë vetëm vitin që shkoi, iu dha shtysë zërave që ata të shpalleshin të jashtëligjshëm.
Kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo, e cila u bë një zë i fuqishëm kundër këtyre pajisjeve, tha se nxjerrja e tyre nga qarkullimi do të ulte ndjeshëm problemet në qarkullimin rrugor.
E ndërsa më parë kishin shprehur besimin për një ndryshim vendimi në minutën e fundit, tre kompanitë që kanë licensa për të skuterë elektrikë në Paris, u shprehën për mediat e huaja se kishin hequr nga qarkullimi flotën e tyre që në total përbëhej prej 15 mijë skuterësh.
Vëmendja e tyre tashmë do të përqëndrohet te biçikletat elektrike, të cilat deri tani nuk janë bërë subjekt diskutimi për rrezikshmëri. (Fatosi)