Kina ka pasur rritje të fuqishme në kapacitetin e instaluar të energjisë së përtëritshme në vitin 2023, falë përpjekjeve të mëdha për të nxitur tranzicionin e zhvillimit të gjelbër.
Fermë e prodhimit të elektrikut me energji të erës, Yichun, Provincë Jiangxi(Foto:VCG)
Kapaciteti i përgjithshëm i energjisë së përtëritshme të vendit arriti në rreth 2.71 miliardë kilovatë (kw) në gjysmën e parë të këtij viti, sipas raportit të fundit nga Administrata Kombëtare e Energjetikës.
Korporata e Investimeve Energjetike e Kinës, gjiganti më i madh i prodhimit të elektricitetit me anë të qymyrit në botë, ka njoftuar një arritje të rëndësishme në kapacitetin e instaluar të energjisë së pastër dhe të përtëritshme.
Deri në fund të gushtit, kapaciteti i përgjithshëm i instaluar i energjisë së pastër i kësaj kompanie ishte 100.14 milionë kilovat, duke shënuar një moment historik në përpjekjet e saj për kalimin drejt burimeve më të pastra të energjisë.
Një projekt fotovoltaik në qytetin Qingdao të provincës Shandong(Foto:VCG)
Kompania bëri të ditur se kapaciteti i përgjithshëm i instaluar i energjisë elektrike i saj ka arritur një nivel rekord prej 303.49 milionë kilovatësh.
Deri në fund të gushtit, pjesa e energjisë së pastër dhe të përtëritshme në kapacitetin e përgjithshëm të instaluar të Korporatës së Investimeve Energjetike të Kinës është rritur nga 25.8 për qind në vitin 2020 në 33 për qind, me një normë mesatare vjetore rritjeje prej 2.7 pikë përqindjeje, tregojnë të dhënat nga kompania.
Kapaciteti i instaluar i energjisë së përtëritshme të Kinës arriti në rreth 1.32 miliardë kilovatë në gjysmën e parë të vitit 2023, duke u rritur 18.2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ajo përbën 48.8 për qind të kapacitetit të përgjithshëm të prodhimit të energjisë në Kinë, duke tejkaluar historikisht kapacitetin e instaluar të energjisë elektrike të prodhuar me anë të përdorimit të qymyrit.
Ndër to, kapaciteti i instaluar i energjisë së erës u zgjerua 13.7 për qind, duke arritur në 389 milionë kilovatë, ndërsa ai i energjisë diellore ishte rreth 470 milionë kilovat, që përbën një rritje vjetore prej 39.8 për qind.
Një pikë e "karburantit" për makina me energji elektrike, Tunchang, provincë Hai'nan(Foto:VCG)
Kapaciteti i instaluar i prodhimit të energjisë në Kinë arriti në rreth 2.71 miliardë kilovatë, duke u rritur 10.8 për qind krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2022.
Kina ka shtuar investimet në energjinë e përtëritshme gjatë viteve të fundit si pjesë e synimit për zhvillimin e gjelbër.
Në gjashtë muajt e parë të vitit 2023, investimet e përgjithshme në energjinë diellore të kompanive kryesore të energjisë në Kinë u rritën me 113.6 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme, duke shkuar në 134.9 miliardë juanë (rreth 18.8 miliardë dollarë), treguan të dhënat nga Administrata Kombëtare e Energjetikës.(Zhang Yan/Artan)