Ekspertët: Rritja e kreditimit tregues pozitiv
2023-09-04 10:05:04

Kreditim (Foto Lapsi.al)

Kreditim (Foto Lapsi.al)

Banka e Shqipërisë bëri të ditur  se për 7-mujorin e parë të vitit, kreditimi i biznesit dhe individëve nga bankat vazhdon të qëndrojë në nivelin më të lartë në tetë vitet e fundit. Konkretisht sipas të dhënave të BSH-së, kredia e re në muajin korrik 2023 kishte vlerën e 22.4 miliardë lekëve. Ndërsa për periudhën janar-korrik janë dhënë gjithsej 162 miliardë lekë kredi të reja, me një rritje prej 0.9% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Eksperti i ekonomisë, prof.Adrian Civici e komenton këtë  si një shenjë pozitive të ekonomisë dhe besimit që kanë individët dhe bizneset në ecurinë e zhvillimeve në vend.

“Në një këndvështrim të përgjithshëm, rritja e huamarrjes nënkupton një dinamikë më të mirë të ekonomisë, një besim më të madh për marrjen e kredisë dhe të investimeve të llojeve të ndryshme dhe është një tregues që ekonomia shqiptare dhe besimi në ekonominë shqiptare është në rritje. Të kërkosh të marrësh kredi dhe të investosh në llogaritë që bën gjithkush në planet e biznesit apo në investimet e tij mendon dhe beson që ky lloj investimi do shpërblehet me një normë të kënaqshme fitimi dhe do jetë i suksesshëm.“-tha Civici.

Prof. Adrian Civici (Foto Universiteti Mesdhetar)

Prof. Adrian Civici (Foto Universiteti Mesdhetar)

Sipas ekspertëve, nëse nuk do të ishim përballur me rritje të normës bazë të interesit mund  të kishim patur edhe një rritje më të lartë të kreditimit.

“Natyrisht që po sepse në thelbin e politikës monetare që është rritja bazë e normës së interesit me synim dhe qëllim kryesor kontrollin dhe uljen e inflacionit. Thelbi i rritjes së normës baze të interesit është një stopim apo dobësim i kërkesës për investuar në ekonomi dhe për ta bërë paranë më të shtrenjtë. Natyrisht kur Banka e Shqipërisë filloi një cikël të rritjes së normës bazë të interesit para gati dy vitesh për t’iu përgjigjur detyrimit të saj për të ulur inflacionin dhe për ta kthyer atë në parametrat e pranuara 3% të saj. Efekti kolatoral më i dëmshëm që pritej në këtë rast ishte shtrenjtimi i kredisë dhe për pasojë edhe një lloj zvogëlimi apo frenimi të saj. Në fakt duke parë ecurinë, që nga 18 apo 24 muaj më parë kjo frikë apo ky efekt negativ i pritshëm ishte në përmasa minimale nga sa pritej fillimisht sepse nuk preku në thelb kërkesën për kredi, nuk ndikoi në uljen drastike të investimeve, si pasojë e shtrenjtimit të kostos së parasë. Tashmë që jemi në një situatë ku kjo lloj politike po edhe faktorë të tjerë kanë ndikuar që Shqipëria të ulë inflacionin në mënyrë të konsiderueshme, të jetë në një nivel inflacioni relativisht afër edhe objektit të Bankës së Shqipërisë, aq më tepër me një perspektivë 6 apo 12 mujore, për t’u kthyer inflacioni brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, edhe rritja e kreditimit është një element që reflekton pikërisht këtë lloj situate.”- u shpreh eksperti.

Pozitiv është fakti që rritja e normës bazë nuk ka patur ndikim në luhatje të mëdha të kreditmit.

“Mund të themi që norma bazë e interesit, rritja e saj si në shumë vende të tjera të botës, ndikohet edhe kredimarrja duke u zvogëluar ose duke u reduktuar në Shqipëri ku ky fenomen ndodhi në përmasa shumë të vogla. Fakt është që tani që edhe inflacioni duket më i stabilizuar edhe leku më i forcuar edhe trendet e rritjes ekonomike janë pozitive, sidomos dy elementë të rëndësishëm që duhet të përmendim, rritja e besimit të konsumatorëve dhe investitorëve për ekonominë shqiptare. Parashikimet për një rritje ekonomike pavarësisht se në dukje mund të jetë e vogël rreth 3.5%, gjithësesi është një element me trend pozitiv, sidomos në ndikimin e dy faktorëve. Së pari, situata post Covid që ka qenë e vështirë për të gjitha vendet për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe së dyti zhvillimin që kanë marrë disa sektorë si turizmi, ndërtimi apo dhe ndonjë sektor tjetër”- thekson prof. Civici.

Kredi (revista monitor)

Kredi (revista monitor)

Kërkesa për kredi reflekton nevojën më të lartë për kredi që kanë patur disa sektorë.

“Duke parë edhe sjelljen e bankave të nivelit të dytë apo bankave tregtare në Shqipëri, natyrisht që bankat në analizat e reflektimit të tyre dhe vlerësimit apo gjykimit që ata kanë në veçanti apo për ekonominë në përgjithësi ekonomike apo fiskale dhe nga ana tjetër kërkesat për zgjerim që kanë disa sektorë, veçanërisht siç është sektori i turizmit. Është normale që me periudha të vështirësive ekonomike, inflacionit të lartë apo dhe cilësisë së kredi kërkuesve që bankat gjykojnë që nuk janë në ato nivele që duhet, përfshirë këtu edhe cilësinë e planeve të biznesit, apo standardit të kolateralit, ndërmarrin politika shtrënguese si të thuash për sa i përket kontrollit të kreditimit. Nga ana tjetër natyrisht zhvillimi shumë i shpejtë dhe zgjerimi shumë i madh që ka pasur sektori i turizmit, por edhe sektori i shërbimeve në përgjithësi në këtë vit, ka bërë që të ekzistojnë shumë stimuj pozitiv për të investuar në këtë sektori. Duke bashkuar këtu edhe një zgjerim shumë të madh kreditimi në fushën e pasurive të paluajtshme, kryesisht në apartamente, banesa, infrastrukturë në përgjithësi por edhe disa sektorë të tjerë të shërbimit apo prodhimit, kanë bërë që këto të jenë një lloj hapësire apo rezervuari që kushtet gjithnjë e më shumë me kredi dhe investime të bëjnë individët apo institucionet apo biznese të ndryshme me këtë situatë ku ne jemi sot.”

E ndarë në zëra, kredia për bizneset në muajin korrik kishte vlerën e 15.8 miliardë lekëve dhe kredia për individët kishte vlerën e 6.55 miliardë lekëve.