Në mëngjesin e së shtunës u hap në Pekin Panairi Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime i Kinës (CIFTIS) për vitin 2023, ku Mbretëria e Bashkuar ka dërguar delegacionin e saj më të madh të biznesit në Kinë në katër vjetët e fundit. Shumë ekspozues britanikë shprehën pritshmërinë e tyre për t'u zgjeruar në tregun kinez nëpërmjet këtij panairi të tregtisë së shërbimeve.
Foto nga VCG
Si vendi i ftuar i nderit i Panairit Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime të Kinës 2023, Mbretëria e Bashkuar ka dërguar në edicionin e këtij viti delegacionin më të madh të biznesit në Kinë në katër vjet, që përfshin marka britanike në fusha të tilla si krijueshmëria, sporti, arsimi, teknologjia, energjetika, shëndetësia dhe shërbimet financiare.
"The Conan Doyle Estate" menaxhon veprat dhe të drejtat e autorit të serisë "Sherlok Holms" dhe njoftoi hyrjen e saj zyrtare në tregun kinez vitin e kaluar. Në Forumin e Bashkëpunimit Kulturor Kino-Britanik për Pronësinë Intelektuale të mbajtur gjatë Panairit për Tregtinë në Shërbime vitin e kaluar, Shoqata e të Drejtave të Pronësisë "Conan Doyle" arriti një bashkëpunim me një kompani kineze për të nxjerrë një seri dorëshkrimesh digjitale të Conan Doyle-it. Lidhur me këtë panair të tregtisë së shërbimeve, Chen Chenyu, përfaqësues i biznesit i Shoqatës së të Drejtave të Pronësisës "Conan Doyle", u tha gazetarëve se ai priste të negocionte bashkëpunimin për autorizim me më shumë partnerë të mundshëm.
Foto nga VCG
"Publiku kinez ka qenë gjithmonë shumë entuziast për të ashtuquajturat tema të gjendjes pezull, kështu që mezi presim të bashkëpunojmë me ekipet profesionale e krijuese të filmave dhe dramave televizive të Kinës për të përshtatur histori me temën e Sherlok Holmsit dhe për të prodhuar histori detektivësh që u përshtaten shijeve të audiencës kineze. Kështu që edhe ne po e presim me padurim. Jemi të lumtur që jemi në kontakt me partnerë të ndryshëm. Tema të reja të historive të Sherlok Holmsit po filmohen gjithashtu dhe ne po punojmë shumë për t'i paraqitur ato në Kinë."
"Topgolf", një kompani globale sportive dhe argëtuese nga Mbretëria e Bashkuar, është gjithashtu një "mike" e vjetër e CIFTIS-it. Gjatë edicionit të këtij panairi vitin e kaluar kompania njoftoi se dyqani i saj kryesor në Kinë, dhe gjithashtu qendra më e madhe sportive dhe argëtuese e kompanisë në botë deri më tani, do të hapej në Chengdu në prill 2023. Nicolas Chapin, kryeekzekutivi i degës së "Topgolf" në Kinë, tha se duke marrë pjesë në Panairin për Tregtinë në Shërbime të vitit të kaluar, kompania fitoi më shumë partnerë dhe disa aktivitete e projekte u zbatuan gjithashtu këtë vit. Ata mezi presin që të kenë përfitime më të mëdha në panairin e sivjetshëm të shërbimeve.
"Ne mezi presim të vazhdojmë të promovojmë produktet tona sportive e argëtuese në tregun kinez, dhe veçanërisht shpresojmë të hapim më shumë qendra sportive dhe argëtuese në Kinë, në mënyrë që markat e shërbimet tona të hyjnë në tregun më të gjerë kinez."
"Rezzil", një kompani britanike e trajnimit dhe analizës së të dhënave sportive VR, merr pjesë në Panairin për Tregtinë në Shërbime për herë të parë. Kjo kompani, e themeluar në vitin 2017, fokusohet në stërvitjen sportive simuluese virtuale. Ajo ka bashkëpunuar me shumë klube evropiane të futbollit për të personalizuar programet e stërvitjes VR për futbollistët. Në këtë panair, në Pavijonin Kombëtar të Britanisë, vizitorët mund të përjetojnë produktet e lojërave sportive VR të sjella nga kompania. Daunte Crawford, përfaqësues i ekipit të operacioneve sportive i kompanisë "Rezzil", u tha gazetarëve se ai shpreson që kompania e tij të krijojë më shumë kontakte biznesi dhe të gjejë partnerë nëpërmjet panairit të tregtisë së shërbimeve.
Foto nga VCG
"Ne besojmë se Kina ka një treg të madh sportiv. Ne jemi duke u zhvilluar mirë në Evropë dhe Amerikë, por ende nuk e kemi tërhequr interesin e tregut kinez. Shpresojmë t'i bëjmë njerëzit të ruajnë entuziazmin e tyre për teknologjinë më të fundit përmes sportit, dhe gjithashtu shpresojmë të krijojmë partneritete të reja, të vendosim kontakte me ekipe, agjenci qeveritare dhe organizata të ndryshme për t'i bërë ata të shohin rolin e produkteve tona në përmirësimin e nivelit konkurrues të sportistëve kinezë."
Gjatë këtij edicioni të CIFTIS-it, më shumë se 60 kompani dhe organizata britanike do të zhvillojnë dialogë politikash dhe veprimtari të tjera me partnerët kinezë dhe do të ofrojnë aktivitete ndërvepruese për vizitorët. Kang Peng, drejtor i marketingut në Departamentin Britanik të Biznesit dhe Tregtisë dhe kurator i Pavijonit Britanik, tha:
"Ne presim që publiku të kuptojë më mirë shërbimet e shkëlqyera të ofruara nga Britania e Madhe përmes Pavijonit Britanik në Panairin për Tregtinë në Shërbime të këtij viti. Gjithashtu, Britania e Madhe është eksportuesja e dytë më e madhe e tregtisë së shërbimeve në botë dhe panairi i tregtisë së shërbimeve ofron një mundësi e mirë për eksportet britanike të tregtisë së shërbimeve në Kinë. Pres me padurim thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e tregtisë së shërbimeve."