Foto:VCG
FMN-ja publikoi më 25 korrik variantin e përditësuar të raportit “Perspektiva e ekonomisë botërore”, ku e ngriti parashikimin e rritjes së ekonomisë globale të këtij viti deri në 3 %, shifër kjo 0.2 pikë përqindjeje më e lartë në krahasim me nivelin e prillit. Mirëpo, pavarësisht rigjallërimit, ekonomistët e FMN-së paralajmëruan se ekonomia botërore nuk ka dalë nga vështirësia dhe ende ekzistojnë rreziqe.
Në momentin kyç të rigjallërimit të ekonomisë, Samiti i 18-të i G20-të do të zhvillohet nga 9 deri më 10 shtator në Nju-Delhi të Indisë. Bashkësia ndërkombëtare shpreson se, si forumi më i rëndësishëm i bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar, G20 mund të luajë një rol më aktiv në nxitjen e rimëkëmbjes ekonomike dhe të zhvillimit të vazhdueshëm të botës. Siç mësohet, vende si Kina dhe India kanë shprehur mbështetje të plotë ndaj Bashkimit Afrikan që të bëhet anëtar zyrtar i G20-tës, duke e ngritur përfaqësimin dhe të drejtën e fjalës së Afrikës në dialogun ekonomik global.
Foto:VCG
Lidhur me këtë, z. Dipankar Banerjee, ish-drejtori i Institutit të Studimeve të Paqes dhe të Konfliktit të Indisë, vuri në dukje se India, si vendi kryetar i radhës, caktoi si temë të samitit “Një Tokë, një familje, një e ardhme”. Sipas tij, për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur dhe më të lulëzuar, vendet e ndryshme duhet të punojnë së bashku, duke nxitur zhvillimin global në një mënyrë më konstruktive dhe bashkëpunuese.
Kina është gjithmonë pjesëmarrëse aktive e përmirësimit të qeverisjes globale dhe luan një rol pozitiv si anëtare e G20-tës. Brenda kësaj kornize, pala kineze ka paraqitur Nismën e Bashkëpunimit për Sigurinë Ndërkombëtare të Drithërave, ka lehtësuar vazhdimisht presionet e borxheve të vendeve në zhvillim, duke dhënë kontributin më të madh në zbatimin e planit të shtyrjes së shlyerjes së borxheve, dhe ka forcuar shkëmbimet e bashkëpunimin konkret me vendet e ndryshme në fusha si përballimi i ndryshimeve klimatike, për të çuar përpara zhvillimin e vazhdueshëm të gjelbër e me lëshim të ulët karboni në përmasë globale.
Daniel Leigh(Foto:VCG)
Daniel Leigh është drejtor i Divizionit të Studimeve të Ekonomisë Botërore pranë Departamentit Kërkimor të FMN-së.
“Ne patjetër e mirëpresim ambicien e autoriteteve kineze për ta hapur më shumë ekonominë, gjë që do të thotë hapje e mëtejshme në tregti dhe në investime financiare e Kinës. Jemi të mendimit që Kina ka një rol shumë të rëndësishëm në hapjen dhe forcimin e integrimit të botës,” theksoi ai.
Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva(Foto:VCG)
“Gjatë organizimit të Samitit të parë të G20-tës në vitin 2008 në ShBA, kur shpërtheu kriza financiare, diskutuam për nevojat e vendeve të zhvilluara që të investojnë në vendet e pazhvilluara, që ato të sigurojnë financime për rritjen ekonomike, ndërtimin e industrive të vogla e të mesme, përmirësimin e bujqësisë dhe uljen e varësisë së tyre te vendet e zhvilluara. Por asnjë vend nuk e bëri këtë, përveç Kinës”, tha presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva.
Tani ndryshimet e botës, të kohës dhe të historisë po ndodhin në një mënyrë si kurrë më parë dhe bashkësia ndërkombëtare ndodhet para sfidave të shumëfishta të rralla. Por, para sfidave dhe rreziqeve, disa vende e kanë politizuar, e kanë instrumentalizuar dhe e kanë përdorur si armë ekonominë botërore, kanë nxitur konfrontimet në grup, kanë ndërtuar “oborre të vogla me mure të larta” dhe kanë spekuluar për “shkëputje” dhe “çrrezikim”, gjë që prish qëndrueshmërinë e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit, duke ndikuar në sistemin aktual të ekonomisë botërore.
Për këtë, presidenti i nderit i Shoqatës ChinaRo Vicentiu Gheorghe tha se i ashtuquajturi “çrrezikim” do të shtojë rreziqet në kuptimin real dhe është një “vetëvrasje” ekonomike, sepse është kundër ligjeve bazë të globalizimit dhe liberalizmit ekonomik. “Ai nuk gjen mirëpritje dhe nuk do të sjellë rezultate të mira”, tha z. Gheorghe.
Ndërsa Dan Ives, kryemenaxher i Studimeve të Aksioneve në kompaninë amerikane “Wedbush Securities” , vuri në dukje se tani zinxhirët e furnizimit për herë të parë në vitet e fundit janë pothuajse kthyer në normalitet. “Gjëja e fundit që dëshiron të shohësh, janë problemet e mëtejshme të zinxhirëve të furnizimit. Mendoj se çdo kufizim mund ta ndërlikojë këtë situatë,” theksoi ai.
G20-a është një platformë për forcimin e bashkërendimit makroekonomik e nxitjen e përbashkët të rigjallërimit dhe të rritjes së ekonomisë globale. Prandaj mbrojtja e multilateralizmit dhe bashkëpunimi kundër sfidave duhet të jenë motivi i këtij grupi.
Sipas dr. Michael Borchmann, ish-drejtor i Drejtorisë së Punëve Evropiane e Ndërkombëtare të landit gjerman të Hesenit, temat dhe planet e këtij samiti të G20-s janë plot pritshmëri. “Mirëpo, nëse duam të arrihen rezultate të frytshme gjatë zbatimit, kushtet paraprake janë gatshmëria e të gjithë pjesëtarëve të G20-tës”, shtoi z. Borchmann.(Zhang Yan/Artan)