foto/VCG
Shkollave fillore dhe të mesme në Kinë u është kërkuar të sigurojnë që nxënësit të angazhohen në të paktën dy orë aktivitet fizik në ditë, me një orë gjatë dhe një tjetër jashtë orarit të shkollës. Shkollat me burimet e nevojshme inkurajohen të zgjasin seancat ditore të aktivitetit në natyrë brenda shkollës për nxënësit në një kohëzgjatje prej dy orësh, sipas qarkores së Ministrisë së Arsimit që njofton nisjen e një fushate mbarëkombëtare njëmujore për parandalimin dhe kontrollin e miopisë, bën të ditur “Xinhua”.
Në qarkore theksohet nevoja që shkollat të ndajnë kohën e mësimdhënies që përfshin pajisjet elektronike në një mënyrë shkencore dhe të arsyeshme, të zbatojnë një kufi ditor mbi ngarkesën e përgjithshme të detyrave të shtëpisë me shkrim dhe të sigurojnë që nxënësit të kenë orët e mjaftueshme të gjumit.
Për më tepër, shkollat duhet t'i udhëzojnë nxënësit që të përfshihen në aktivitete në natyrë gjatë pushimeve brenda orarit të shkollës dhe t'i inkurajojnë ata të fokusohen në objekte të largëta për të promovuar shëndetin e syve.
foto/VCG
Duke pranuar rolin vendimtar të kopshteve në parandalimin e miopisë, ministria theksoi nevojën për të menaxhuar prevalencën e miopisë te fëmijët parashkollorë dhe të vegjël të shkollave fillore.
foto/VCG
Qarkorja theksoi gjithashtu rëndësinë që prindërit të marrin një rol aktiv në parandalimin dhe kontrollin e miopisë. Prindërve u kërkohet të japin shembull, duke kufizuar kohën para ekranit, duke rritur aktivitetet në natyrë dhe duke krijuar një mjedis familjar që promovon shëndetin e syve. (Irma)