Kisha e Shën Premtes Fier (Foto nga facebook)
Është miratuar projekti për restaurimin e kishës mesjetare, Shën Premte në Fier, e ndërtuar në shekullin XIII. Pranë Apolonisë, në fshatin Povelçë, ndodhet kisha e Shën e Premtes, e cila është shpalluar Monument Kulture në vitin 1978 dhe që prej asaj kohe i ka munguar restaurimi. Mungesa e mirëmbajtjes solli rrënimin e saj, por Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka marrë vendimin për restaurimin e kishës. Mësohet se shumë shpejt, specialistët e trashëgimisë kulturore do të nisin punën për restaurimin e objektit, kryesisht në çati.
Restaurimi i kishës së Shën Premtes shënon një nga investimet e para të Bashkisë së Fierit në objektet trashëgimi kulturore me impakt në turizëm. Kjo kishë i përket shekullit të 13-të, të periudhës mesjetare dhe përbën një dëshmi historike që Shën e Premtja mbeti në ''këmbë'' për të dëshmuar vendndodhjen e Spinaricës mesjetare, qytetit-port, tashmë të zhdukur të Adriatikut jugor. Së bashku me Apoloninë fqinje, Spinarica, do të jetë një vlerë e shtuar edhe e turizmit kulturor në këtë trevë të bashkisë Fier.