Iris Bega dhe pasioni për këngët popullore tiranase
2023-09-02 10:54:17

Iris Bega është këngëtare e njohur e muzikës popullore tradicionale të Shqipërisë së mesme dhe kryesisht asaj tiranase. Ajo po aq bukur këndon dhe serenatat korçare dhe këngë të trevave të tjera të vendit. Prej disa vitesh soliste në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, Irisi ka marrë pjesë në shumë aktivitete artisike si brenda dhe jashtë vendit, duke u vlerësuar me çmime. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës Irisi na tregon për jetën e saj artistike, dashurinë që ka për këngën tiranase si dhe aktivitetet muzikore.

Iris Bega gjate nje koncerti (Foto personale)

Iris Bega gjate nje koncerti (Foto personale)

CMG: Këtë sezon veror Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore ka pasur një aktivitet të ngjeshur artistik. Si i ka pritur publiku koncertet tuaja?

Iris Bega: Aktivitetet tona kanë qenë edhe këtë sezon të shumta. Këtë viti e kishim muajin gusht plot me aktivitete, ku me këngët, vallet dhe me traditën e Shqipërisë shkuam në Krujë, Velipojë, Shëngjin dhe Durrës. Pritja ishte shumë e bukur nga të gjithë, ku përveç shqiptarëve kishte dhe shumë turistë të huaj, që ishin të interesuar tek na shihnin me kostumet popullore, të dëgjonin këngët tona, vallet e bukura dhe nuk pushonin së bëri foto me gjithësecilin nga ne. Atmosferat ishin shumë të bukura nëpër sheshe ku na pritën mjaft mirë.

CMG: Çfarë repertori kishit në koncerte për pushuesit?

Iris Bega duke interpretuar (Foto personale)

Iris Bega duke interpretuar (Foto personale)

Iris Bega: Vetë emri Ansambël përfaqëson të gjitha trevat, ku kishte materiale nga Shqipëria e mesme, të trevës së jugut dhe veriut, valle nga të gjitha trevat si dhe orkestrale shumë të bukura. Koncertet kanë qenë me larmi dhe shumë të bukura.

CMG: Kishte raste që turistët e huaj bëni foto me ju dhe kërcenin me këngët dhe vallet tona popullore?

Iris Bega: Turistët e huaj ishin kuriozë dhe rrinin me telefona në dorë gati për të bërë foto. Ne kemi një traditë me ansamblin, që mbasi mbarojmë koncertin, tërhiqet një valle ku marrim dhe publikun për të kërcyer bashkë me ne. 

Iris Bega gjate nje koncerti me ansamblin (Foto personale)

Iris Bega gjate nje koncerti me ansamblin (Foto personale)

CMG: Përveç angazhimit me Ansamblin ju këndoni live prej shumë vitesh tek Serenata Korçare. Si ka qenë ky vit me pjesëmarrjen dhe performancën tuaj aty?

Iris Bega: Serenata Korçare është shtëpia ime e dytë, përveç Ansamblit shtetëror, sepse aty ka shumë familjarë të mirë, por dhe ata që drejtojnë këtë vend dhe aty mësova shumë nga këngëtarja e madhe Afërdita Zonja. Unë me Afërditën punova prej shumë vitesh dhe ja “vodha” serenatat, mënyra sesi ajo interpretonte dhe i mora repertorin pa të keq, por mësova shumë prej saj. 

CMG: Cili është repertori juaj kur këndoni live në këtë ambjent familjar?

Iris Bega: Ne kemi një repertor të gjerë me valle, këngë të Shqipërisë së mesme si dhe këngë të huaja sepse aty vijnë dhe shumë turistë të huaj. Është një ambjent shumë i mirë. Unë tani këndoj me Ermira Kolën, që është një këngëtare potente dhe jemi shumë mirë të dyja.

CMG: Ju këndoni live, por nuk keni publikuar shumë këngë me videoklipe, ndonëse gjithmonë e keni ruajtur traditën e këngës së mirëfilltë popullore.

Iris Bega: Tradita e këngës tironase fle tek unë, sepse të rritesh mes tironasve që të gjithë këndonin. Unë e kam dhe në gen muzikën dhe me Tiranën nuk vendos asgjë, me këngët tiranase sidomos. Këngët e shtruara të Tiranës për mua janë arie më vete dhe shumë të bukura.

Iris Bega (Foto personale)

Iris Bega (Foto personale)

CMG: Keni pasur dikë në familje që ka kënduar dhe ju e keni të trashëguar këngën tiranase?

Iris Bega: Unë kam pasur xhaxhain i cili ka kënduar, babai ka qenë trompist, vëllai dhe motra gjithashtu muzikantë. Kështu që kjo traditë ka shkuar në gen. 

CMG: Gjithmonë ju shohim të veshur me kostumin popullor tradicional në aktivitete të ndryshme. Mendoni se kostumi popullor është një vlerë e shtuar e këngës tiranase?

Iris Bega: Patjetër që po, sepse pa kostumin popullor nuk ka etiketim të këngës tiranase, përveç të tjerave sepse duke veshur dhe kostumin si dhe ta mbash mbi supe për vite me radhë kudo, sigurisht që është shumë vlerë. 

CMG: Me Ansamblin keni qenë në disa turne jashtë vendit, por  ndalemi te turneu në Shangai të Kinës. Si u prit Ansambli në Kinë?

Iris Bega: Ansambli shtetëror ka qenë në vitet 70-të për herë të parë në Kinë ku bëri bujë me virtuozët e atëhershëm. Për herë të dytë shkuam në Kinë dhe qëndruam 15 ditë. Ishte një udhëtim shumë i gjatë dhe shumë i bukur, një pritje madhështore. Ishte diçka e jashtëzakonshme që nga pritja në aeroport, plus koncertet dhe aktivitete të ndryshme ishin me shumë emocion. Ata i njihnin perfekt këngët tona, vallet dhe kostumet dhe ishin të interesuar në maksimum. Kështu që ka qenë vërtetë një kohë shumë e bukur që kemi kaluar në Kinë.

Iris Bega ne interviste per CMG

Iris Bega ne interviste per CMG

CMG: Kishte nga publiku kinez që kërcenin me këngët dhe vallet tona?

Iris Bega: Ata ishin pak të frenuar në atë pjesë, por kishin ritmin e vet dhe duartrokisnin, duke e përcjellë dashamirësinë ndaj këngëve dhe valleve me duartrokitje dhe flamuj në dorë, sepse mbanin flamurin e tyre dhe flamurin tonë. Kjo ka qenë rruga me e bukur që do të mbahet mend gjatë.

CMG: Ansambli ka pasur dhe disa bashkëpunime këtu në Shqipëri me grupe artistike nga Kina. 

Iris Bega: Ne kemi shkëmbyer eksperienca, ku kemi treguar sesi këndohen këngët e trevave, gjë të cilën ne e bëjmë shpesh jo vetëm për të huajt, por edhe për studentët nëpër shkolla.

CMG: Janë gëzimet familjare pjesë e axhendës suaj të aktiviteteve muzikore dhe si është repertori juaj në një dasëm tiranase?

Iris Bega: Në dasmat tiranase nisim me këngët e vjetra, pastaj me ato të gëzueshme. Mua kur jam në dasma më ngacmojnë dhe më thonë që të këndoj dhe serenata. Kështu që i këndoj dhe ato sepse vallëzimi është pjesa më e bukur e një gëzimi familjar, ku njerëzit vallëzojnë, por çdo gjë fle vetëm te Shqipëria e mesme.

CMG: Kam vënë re që e ruani edhe në të folur traditën dhe dialektin tiranas.

Iris Bega: Patjetër se dhe kjo është pjesë e traditës, dhe kam parë që edhe te këngët ka të bëjë shumë dialekti sepse nëse nuk e ke atë nuk e përcjellë dot këngën siç duhet. Shqipëria e mesme do nuanca te këngët dhe unë prandaj e ruaj fort. 

Irisi me veshje popullore (Foto personale)

Irisi me veshje popullore (Foto personale)

CMG: Keni qenë pjesë e një projekti të muzikës popullore tradicionale “Tirona All Stars”. Flasim për pjesëmarrjen tuaj në këtë projekt artistik?

Iris Bega: Ky ishte një projekt shumë i bukur, ku u përshinë këngët e vjetra të Tiranës. Gjithashtu orkestra përbëhej  nga ustallarët e vjetër të mirëfilltë të Tiranës, dhe falë organizatores kryesore që u bë shkak për gjithë këtë Edit Pula, ajo më mori për të realizuar këtë album muzikor. Ne u vlerësuam dhe me çmim në Londër, ku u futëm në dhjetëshen më të mirë atje. Ishte vërtetë një eksperiencë shumë e bukur dhe për t’u vlerësuar sepse kishte këngë shumë të bukura ku çdo gjë ishte live.

Iris Bega ne kalane e Gjirokastres (Foto personale)

Iris Bega ne kalane e Gjirokastres (Foto personale)

CMG: Mendon se brezi i ri është rikthyer te tradita e muzikës së vërtetë popullore?

Iris Bega: Në Ansambël kemi prurje me vallëtarë dhe këngëtarë djem dhe vajza, që janë të rinj por e këndojnë bukur dhe e duan këngën ppullore. Gjithashtu dhe djemtë si solistë, por dhe në isopolifoni janë karakteristike të ansamblit. Të gjithë të rinjtë që kanë ardhur në Ansambël janë shumë të mirë dhe të talentuar. 

CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore?

Kengetarja Iris Bega (Foto personale)

Kengetarja Iris Bega (Foto personale)

Iris Bega: Sigurisht që tani nis sezoni dhe do të kemi koncerte pafund, Në fund të gushtit kishim dhe një koncert në Pogradec, recital i orkestrës së Ansamblit ku u intepretuan këngë shumë të bukura. Gjithashtu interesi i publikut ka qenë shumë i madh për këto koncerte dhe kam besim se do të jetë akoma më i fortë sepse na pyesin gjithmonë se kur kemi koncerte. 

Intervistoi: Gazmend Agaj