Norvegjia mbyll ambasadën në Mali
2023-09-02 15:51:20

foto/VCG

foto/VCG

Qeveria norvegjeze ka vendosur të mbyllë ambasadën e saj në Bamako, kryeqyteti i Malit, deri në fund të vitit 2023. Vendimi erdhi pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që përfundon mandatin e Misionit të Stabilizimit të Integruar Shumëdimensional të OKB-së në Mali (MINUSMA) dhe i kërkon këtij organizmi të nisë procesin e tërheqjes, shkruan “Xinhua”.

“Kjo do të ketë pasoja për sigurinë e misioneve norvegjeze dhe të tjera diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare në Mali”, bëri të ditur përmes një deklarate Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.

Sipas ministrisë, që nga dy grushtet ushtarake të shtetit në vitet 2020 dhe 2021, situata politike në Mali ka qenë e paqëndrueshme. Qeveria kalimtare e udhëhequr nga ushtria ka ndërprerë bashkëpunimin e saj të sigurisë me Francën dhe OKB-në. 

“Kur të përfundojë misioni i OKB-së, do të bëhet më e vështirë mbajtja e aktivitetit normal diplomatik në vend”, thuhet në deklaratë. 

Përveç Malit, Ambasada e Norvegjisë në Bamako ka qenë gjithashtu përgjegjëse për përfaqësimin e vendit në Burkina Faso, Mauritani, Niger dhe Çad. 

Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se po punon për zgjidhje për të mbrojtur përfaqësimin diplomatik të Norvegjisë në të gjitha këto vende pasi ambasada të mbyllet. (Irma)