Një tur me magji nga Edmond Murraj
2023-09-01 11:53:08

Edmond Murraj dhe artistët e ftuar ne Magic Show

Fundi i muajit gusht solli në qytetin e Fierit prestigjatorin dhe iluzionistin e mirënjohur Edmond Murraj, i cili performoi me shfaqjen “Magic Show”. Publiku në teatrin “Bylis” shijoi një spektakël të vërtetë nga magjistari Edmond Murraj, ku u  ndërthurën mjaft bukur bota e magjisë si dhe arti i iluzionit e pabesueshmërisë. Në këtë spektakël krahas prestigjatorit Murraj, ishin të pranishëm edhe artistë të njohur të skenës shqiptare, duke dhuruar emocione të bukura në teatrin “Bylis” të Fierit.  Me lojën dhe truket magjistari prestigjator Murraj tërhoqi vëmendjen e spektatorëve, të cilët  gjatë gjithë shfaqjes shprehën habinë e tyre me duartrokitje. Në disa raste protagonistë të numrave artistikë të prestigjiatorit  u bënë dhe fëmijët e pranishëm në aktivitet. Spektaklit nuk i munguan këngët dhe as humori brilant i parodistëve të Vlorës me aktorët Afrim Agalliu, Agron Hamo, si dhe aktori i humorit fierak, Vasil Vaso të cilët i dhanë gjallësi shfaqjes. Gjatë spektaklit performoi dhe këngëtarja  e re e talentuar Kristel Qari.

Prestigjatori Edmond Murraj jeton prej vitesh në Greqi, ku ka punuar si prestigjator në teatër dhe shfaqje të ndryshme televizive.  Në Shqipëri ai ka qenë prezent disa herë, si konkurrent në spektaklin “To Si Que Vales”, apo  i ftuar për të ekzekutuar numrat e tij artistikë  në spektaklin  televiziv“Al Pazar”.

Së  fundi prestigjatori ka ardhur posaçërisht nga Anglia për një tur shfaqjesh, duke e nisur në muajin korrik me Vlorën, për të vijuar në gusht në Sarandë, e në fund të muajit gusht me  shfaqjen për publikun e Fierit,  në teatrin “Bylis”.

Në një intervistë për “Al Pazar” ai ka thënë: “Këtë profesion e ushtroj në teatër, në aktivitete të ndryshme në të gjithë Greqinë. Kam mbi 30 vjet që këtë profesion kaq të bukur unë e ushtroj me kënaqësi shumë të madhe dhe gjithmonë numrat artistikë, janë surprizë për publikun”.

-Shfaqjet me magjistarë apo iluzionistë janë gjithmonë të mahnitshme dhe argëtuese për publikun. Është interesante teksa sheh iluzionistët që kryejnë truke që  tërheqin vëmendjen e publikut, duke e argëtuar.

David Copperfield 

Nadir Mura

Rregulli një i prestigjatorëve është se  përqendrohen mbi krijimin e pritshmërive dhe perceptimeve. Prestigjatorët janë të vetëdijshëm se në çastin që njerëzit shohin, dëgjojnë, ndjejnë, shijojnë apo nuhatin çfarëdolloj gjëje, automatikisht në mendjet e tyre shkrepen një sërë pritshmërish dhe perceptimesh. Realisht, në mendjet e njerëzve hapet një “file” që u tregon atyre çfarë dinë rreth atij subjekti dhe të refuzojnë çdo gjë tjetër që nuk “përputhet”. Prestigjatorët e ndërtojnë komunikimin e tyre dhe efektet rreth pritshmërive dhe perceptimeve që ato nxisin në mendjet e ndjekësve gjatë shfaqjes.

Këta artistë specialistë të iluzionit  gjithmonë kanë tërhequr vëmendjen e qenies njerëzore. Sapo një magjistar të jetë në një ambjet të caktuar apo mes një grupi miqsh, të gjithë do të hiqnin dorë nga gjithçka që bëjnë, për t'i kushtuar vëmendje të menjëhershme. Duket se qenia njerëzore do në një farë mënyrë të mashtrohet, për sa kohë që  kurrë nuk zbulon hilen, pra sepse sekreti i magjistarit mbetet në ajër. Autori Peter Berry ka publikuar një sondazh në lidhje me magjistarët më të famshëm në histori. Midis magjistarëve dhe iluzionistëve më të njohur nga historia janë klasikët në vendin e parë Houdini i Madh, vendin e dytë e mban magjistari kinez Fu-Manchu, ndërsa  një nga magjistarët mjaft të njohur si David Copperfield mban vendin e tetë në sondazh. Në Shqipëri ka disa të rinj që e kanë nisur të merren me këtë lloj arti, por ndër më të njohurit  janë Nadir Mura dhe Edmond Murraj.

Sava Lena