Wang Yi: Marrëdhëniet Kinë-Kore e Jugut nuk duhet të ndikohen nga palët e treta
2023-09-01 14:42:40

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi i tha të enjten homologut të tij jugkorean Park Jin se zhvillimi i marrëdhënieve Kinë-Kore e Jugut ka një forcë të brendshme nxitëse e logjikë të pashmangshme dhe nuk duhet të ndikohet nga asnjë palë e tretë.

Foto:VCG

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi(Foto:Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

Gjatë një bisede telefonike me Parkun, të zhvilluar me kërkesën e palës jugkoreane, Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së, theksoi se politika e Kinës ndaj Koresë së Jugut ka ruajtur vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë.

Kina dhe Koreja e Jugut duhet t'i përmbahen synimit fillestar kur vendosën marrëdhëniet diplomatike, të ndjekin drejtimin e duhur të bashkëpunimit miqësor, të vazhdojnë të përmirësojnë mirëkuptimin e ndërsjellë midis dy popujve, të ruhen nga ndërhyrjet e faktorëve të jashtëm e të shmangin kundërvëniet ideologjike, duke nxitur së bashku zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të lidhjeve dypalëshe, për të çelur një tjetër 30-vjetor me bashkëpunim të vazhdueshëm, të fortë e të ngushtë, theksoi kryediplomati kinez.

Duke vënë në dukje se bashkëpunimi ekonomiko-tregtar me leverdi të ndërsjellë është themeli i marrëdhënieve dypalëshe, Wang tha se, me mundësitë e mëdha të zhvillimit ekonomik dhe tregun e saj gjigant, Kina po përshpejton ndërtimin e një sistemi të ri për një ekonomi të hapur të nivelit më të lartë. Sipas tij, zgjerimi i bashkëpunimit me Kinën do ta ndihmojë Korenë e Jugut të arrijë lulëzim dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Foto:VCG

Foto:VCG

Ministri Wang shprehu shpresën se Koreja e Jugut do të forcojë autonominë e saj strategjike, do të kundërshtojë veprimet dhe përpjekjet e ndryshme kundër globalizimit dhe për shkëputje ose pengim të zinxhirëve të furnizimit, si edhe do të thellojë bashkëpunimin me palën kineze në fusha të ndryshme, për t'u shërbyer më mirë popujve të dy vendeve. “Kina mbështet Korenë e Jugut të luajë një rol pozitiv në promovimin e bashkëpunimit trepalësh si vend kryetar i bashkëpunimit Kinë-Japoni-Kore e Jugut,” shtoi ai.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm jugkorean Park Jin shprehu ngushëllime për përmbytjet e fundit në disa krahina të Kinës, si edhe shpresën që Lojërat e 19-ta Aziatike që do të mbahen në Hangzhou, të kenë sukses të plotë, si një veprimtari madhështore paqeje e bashkimi.

Duke vënë në dukje se Koreja e Jugut dhe Kina janë vende fqinje të ngushta dhe partnere të rëndësishme, Park tha se ky vit shënon fillimin e 30-vjetorit të dytë të marrëdhënieve dypalëshe. Ai shtoi se qeveria e presidentit Yoon Suk-yeol vlerëson lart rezultatet e frytshme të arritura që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve dhe do të vazhdojë t’u kushtojë rëndësi e t’i promovojë këto marrëdhënie.

Pala jugkoreane mirëpret rritjen e kontakteve të nivelit të lartë me Kinën, forcimin e shkëmbimeve njerëzore, përmirësimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe ndërtimin aktiv të një marrëdhënieje të shëndetshme dhe të pjekur Kore e Jugut-Kinë, tha Park.

Foto:VCG

Foto:VCG

Ai theksoi se Koreja e Jugut nuk ka ndërmend të marrë pjesë në shkëputjen ose shënjeshtrimin e ndonjë vendi për sa u përket zinxhirëve të prodhimit dhe furnizimit dhe se "desinicizimi" nuk është as i mundur dhe as i dëshirueshëm.

“Koreja e Jugut është e gatshme të thellojë bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë me Kinën e të ruajë qëndrueshmërinë dhe funksionimin e lirshëm të zinxhirëve të prodhimit dhe furnizimit, duke nxitur së bashku rritjen e ekonomisë rajonale, tha Park.

Të dy palët shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi çështje si lëshimi nga Japonia i ujërave të ndotura radioaktive dhe Gadishulli Korean.(Zhang Yan/Artan)