Më 24 gusht, Japonia filloi shkarkimin e ujërave radioaktive të trajtuara nga termocentrali i dëmtuar bërthamor Fukushima në Oqeanin Paqësor. Një mbikëqyrës i OKB-së ka miratuar planin për shkarkimin e ujit të trajtuar, por aksionet e Japonisë kanë acaruar fqinjët dhe jo vetëm.
Kina ka kërkuar pezullimin e planeve të derdhjes së ujit në Fukushima. Ajo e dënoi Japoninë si të papërgjegjshme dhe ka ndaluar disa importe ushqimore. Koreanojugorët janë në panik për të blerë kripë, duke bërë që çmimet të rriten me 27% brenda pak ditëve. Protesta janë mbajtur në Japoni dhe vende të tjera. Fiji, Filipinet dhe vendet ishullore të Paqësorit kanë shprehur kundërshtim të fortë për këtë veprim palës japoneze. Por, pse bota është kaq e zemëruar me Japoninë?
CFP
Historiku, realiteti dhe pasojat e Fukushimës
Në vitin 2011, Japonia pati një tërmet që ishte më i forti i regjistruar në vend dhe që më pas shkaktoi një cunami. Mbi 18,500 njerëz humbën jetën dhe më shumë se 450,000 ngelën të pastrehë. Dhe për më tepër kjo shkatërroi termocentralin bërthamor të Fukushimas. Cunami ndërpreu furnizimin me energji elektrike dhe si pasojë nuk kishte mundëso për të ndaluar shkrirjet në reaktorët bërthamorë. Ishte katastrofa bërthamore më e rëndë në botë pas asaj të Çernobilit në vitin 1986.
Kanë kaluar gati 12 vjet që nga ajo kohë dhe nivelet e rrezatimit në atmosferë kanë rënë, ndërtesat e dëmtuara të reaktorëve janë trajtuar dhe janë përdorur robotë. Japonia është ende duke luftuar pasojat e fatkeqësisë së Fukushimës duke mbledhur 1.3 milionë tonë ujë (sa 500 pishina me përmasa olimpike) të cilat u përdorën për të ftohur reaktorët e dëmtuar. Tashmë ato ujëra janë grumbulluar në 1000 rezervuare. Nuk ka më hapësirë, dhe këtë ujë të mbledhur Japonia po e hedh në det. Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme pasi uji ka mbetje radioaktive, ende përmban tritium që është radioaktiv dhe është e vështirë t’a ndash nga elementët e tjerë.
CFP
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike thotë se uji i holluar do të ketë “ndikim minimal” në mjedis dhe shëndetin e njerëzve, por fqinjët dhe vetë japonezët nuk janë dakord. Japonia është duke e kthyer Paqësorin në një pellg depozitimi mbetjesh radioaktive dhe po shkel detyrimet e saj ndërkombëtare, shprehet një studiues kinez. Në radhë të parë është shkelur detyrimi për të mos ndotur zonat përtej juridiksionit detar, pra detyrimi për të mos lejuar ndotjen përtej ujërave territoriale kombëtare. E drejta ndërkombëtare është shumë e qartë: “kur shtetet kanë motive të arsyeshme, se aktivitetet e tyre mund të shkaktojnë ndotje substanciale të cilat mund të jenë të dëmshme në mjedis, do të duhet të vlerësojnë efektin e mundshëm të këtyre aktiviteteve me anë të studimeve mjedisore”. Japonia nuk e ka kryer këtë, as konsultim me fqinjët, dhe as nuk është munduar të ofrojë alternativa. Ky veprim tregon shpërfilljen e plotë për shëndetin dhe sigurinë e njerëzve.
Implikacione të pazbardhura ende
Derdhja e grimcave radioaktive në oqean mund të ketë pasoja të rënda mjedisore dhe shëndetësore. Materialet radioaktive mund të ndikojnë në jetën ujore dhe potencialisht të hyjnë në zinxhirin ushqimor, duke paraqitur rreziqe si për ekosistemet detare ashtu edhe për shëndetin e njerëzve. Është e rëndësishme të shmangen derdhje të tilla, për të parandaluar dëmtimin afatgjatë në mjedis dhe dëmtimin e mundshëm të organizmave të gjalla. I gjithë ky aktivitet pritet të vazhdojë rreth tre deri në katër dekada. Shumë shkencëtarë thonë se ndikimi i ekspozimit me dozë të ulët mbetet i panjohur. Por edhe pse thuhet që është i sigurt, shqetësimi publik në të gjithë rajonin mbetet i lartë. Japonia ka zgjidhje tjetër për ujërat e ndotura bërthamore, por kostoja është “shumë e lartë”.
CFP
Ka disa vende që i njohin mirë pasojat e “testeve” të tilla me oqeanin. Për ishujt e paqësorit trashëgimia e armëve bërthamore të testuara në ujërat e tyre nga SHBA, Britania e Madhe dhe Franca në vitet 1940 është ende një plagë historike dhe mjedisore. Ata e kundërshtojnë me pathos çdo gjë të kësaj natyre pasi kanë vuajtur ndër dekada pasojat e mbetjeve bërthamore në shëndetin e tyre.
Japonia thotë se ka dhënë shpjegime të detajuara dhe “të mbështetura nga shkenca” për të, por që në fillim plani u përball me kundërshtime dhe skepticizëm. Aktivisti i Greenpeace në Tokio, Katsuwe Suzuki në mars të këtij viti tha se qeveria japoneze ka ulur fiktivisht rreziqet e rrezatimit dhe ia ktheu shpinën provave të qarta pasi ata kanë zgjedhur opsionin më të lirë për të hequr qafe problemin.
Meqë është kaq i sigurt, pse nuk e ripërdorin brenda Japonisë, në vend që ta derdhin në oqean, ishte pyetja e qindra qytetarëve ditët e fundit në Twitter.
Standardi i dyfishtë kur në lojë është Kina
Thuhet se janë afro 60 miliardë dollarë që Japonia ka shpenzuar vitet e fundit për imazhin e saj në botë, ose “soft power”, në media, politikë dhe botën akademike. Por nuk ishte e gatshme t'i shpenzonte paratë për zgjidhjen e problemeve aktuale. Jo vetëm kaq, qeveria japoneze po përdor një kombinim të marifeteve të kësaj “fuqie të butë” mediatike brenda dhe jashtë vendit në një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen, për të krijuar antagonizëm dhe për ta kthyer veten nga fajtori që rrezikon shëndetin dhe mjedisin global në një viktimë të pafajshme të sulmeve të opinionit publik kinez, korean, etj. Pra, po përpiqet të portretizojë veten si viktimë, duke ekzagjeruar shprehjet e pakënaqësisë midis disa qytetarëve kinezë dhe duke e përdorur atë për të larguar vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar nga situata!
CFP
Kina njoftoi ndalimin e importeve të të gjitha produkteve ujore me origjinë nga Japonia që në momentin që kur Japonia filloi të hedhë në det ujërat e kontaminuara, megjithatë, për disa media perëndimore pretenduan se kjo "ka më shumë peshë politike sesa ekonomike".
“Lehtësisht radioaktiv” kështu shprehej media më e madhe gjermanë DW për situatën, me çudi të madhe, pasi ata janë pionierë të aksionit parandalues kur bëhet fjalë për ambientin, por jo kur është Japonia që i bën këto dëme...
Mjafton të imagjinojmë nëse Kina, apo edhe ndonjë vend tjetër që nuk është në G7 do ta bënte këtë? Histeria mediatike dhe politike do të kishte marrë dhënë, do të kishim dëgjuar ekspert mbi ekspertë për rreziqet, por ja që po heshtet. Ku janë ambientalistët marinë që zënë rrugët e Evropës për mbetjet plastike? Frika e mirëbazuar e fqinjëve është mëse e justifikuar, sepse njerëzit do të ekspozohen ndaj materialeve radioaktive dhe kjo do të thotë se pasojat do të jenë të vazhdueshme, ndër breza.
Së fundmi, vendimi i Japonisë është i njëanshëm, pa konsensus e pa transparencë. Për të tilla situata vetëm një raport nga mbikëqyrja e OKB-së nuk është i mjaftueshëm, çështje të tilla kërkojnë më shumë negociata e më shumë inspektime. 12 vjet pas tërmetit të Fukushimës, një tragjedi natyrore po transformohet në një tjetër katastrofë, kësaj radhe me dashje dhe vullnet të plotë njerëzor/qeveritar.
Një shprehje e moçme thotë “Mund të zgjedhësh miqtë, por jo fqinjët”, dhe në fakt fqinjët i zgjedh gjeografia. Me të vërtetë nuk mund të zgjidhen fqinjët, por mund të zgjidhet se çfarë lloji fqinji do të jesh më ata që të rrethojnë, dhe Japonia ka zgjedhur të jetë fqinji që fal veç probleme.
Dr. Marsela Musabelliu