Dikasteret e tregtisë të Kinës dhe të ShBA-së takohen në Pekin, 28 gusht 2023(Foto:VCG)
Dikasteret e tregtisë të Kinës dhe të ShBA-së do të zhvillojnë diskutime të drejtpërdrejta mbi çështjet e rëndësishme, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë të Kinës Shu Yuting në një konferencë shtypi të enjten në Pekin lidhur me vizitën e sekretares amerikane të Tregtisë Gina Raimondo. Sipas zëdhënëses, ekspertët e të dy vendeve kanë zhvilluar edhe konsultime “teknike” për forcimin e mbrojtjes së sekreteve tregtare dhe të informacioneve të biznesit.
Ministri kinez i Tregtisë Wang Wentao zhvilloi të hënën bisedime me homologen amerikane Gina Raimondo, që ndodhej për vizitë në Kinë. Të dy palët pranuan të krijojnë kanale të niveleve të ndryshme për të shtuar kontaktet ekonomiko-tregtare.
Foto:VCG
Si mekanizëm për sqarimin e sistemeve të ndërsjella të kontrollit të eksportit dhe forcimin e kontakteve, Kina e ShBA-ja do të shkëmbejnë informacione për kontrollin e eksportit sipas ligjeve të tyre përkatëse, gjë që do të favorizojë njohjen e komunikimin midis dy qeverive për politikat e ndërsjella në këtë drejtim dhe shprehjen e shqetësimeve të kompanive të të dy vendeve.
Sipas zëdhënëses, krijimi i mekanizmit ka ofruar një platformë të rëndësishme për nisjen e diskutimeve të rregullta për çështjet me interes të përbashkët në fushën ekonomiko-tregtare. Kjo është një masë e rëndësishme për stabilizimin e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare dhe krijimin e një mjedisi të mirë për zhvillimin e bashkëpunimit konkret ndërmjet qarqeve të biznesit.
Foto:VCG
Në shtatë muajt e parë të këtij viti, vlera e përdorimit real të investimeve amerikane në Kinë u rrit 25.5 %, çka tregon besimin e ndërmarrjeve amerikane për mjedisin e biznesit në Kinë. Ditët e fundit, Kina ka publikuar një sërë politikash për të përmirësuar mjedisin e investimeve të huaja.(Zhang Yan/Artan)