Foto nga CFP
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha të enjten se e ka kontaktuar Rusinë me “propozime konkrete” për të rinovuar marrëveshjen e dështuar të drithit, nga e cila u tërhoq në korrik. Veprimi i Moskës u pasua me një seri sulmesh kundër porteve të Ukrainës dhe depove të grurit.
“Propozimi ka të bëjë me nevojën për të ringjallur nismën e Detit të Zi”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres gjatë një konference shtypi në selinën e organizatës. “Në të njëjtën kohë, kemi disa zgjidhje konkrete lidhur me shqetësimet për qasje më efektive në tregjet globale të ushqimeve dhe plehrave ruse me çmime të përshtatshme”.
Ai tha se propozimi trajtonte disa nga shqetësimet e Moskës, ndërsa nuk dha detaje të mëtejshme. Zoti Guterres nënvizoi se çdo ringjallje e nismës duhet të jetë e qëndrueshme.