Rëndësia globale e Samitit të 15-të të BRICS-it
2023-09-01 10:04:53

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Akronimi “BRICS”(Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut), nënkupton grupimin e këtyre shteteve, me synim rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe zgjerimin e tregtisë mes tyre. Mes kërkimit për një botë shumëpolare, Kina, India, Brazili dhe Rusia hodhën themelet e BRICS në vitin 2009, me Afrikën e Jugut që iu bashkua katërshes në vitin 2010.

Grupimi BRICS sot përfaqëson më shumë se 42 përqind të popullsisë së botës, 30 përqind të territorit të saj, 23% të PBB-së botërore dhe 18 përqind të tregtisë botërore. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), deri në vitin 2028, ato mund të përfaqësojnë një të tretën e ekonomisë botërore.

Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut zhvilluan në datat 22-24 gusht 2023, në Johanesburg të Afrikës së Jugur, samitin(takimin e nivelit më të lartë) e tyre vjetor, duke e quajtur takimin si “Samit historik”.

Pesë vendet anëtare te BRICS synuan në takim vendosjen e ekulibrave mes zhvillimit të vendeve dhe rajoneve të ndryshme, për të parë përtej mbizotërimit të vendeve  perëndimore të veriut të botës dhe supremacisë së dollarit amerikan.

Samiti i Johanesburgut solli diçka të re për botën. Nga 1 janari 2024, përveç Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut, gjashtë vende të tjera do t’i bashkohen grupimit BRICS. Nëse programi i anëtarësimit konfirmohet, Arabia Saudite, Argjentina, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Etiopia dhe Irani do të jenë pjesë e BRICS+. Një zgjerim që duket se mbyll një epokë dhe shënon fillimin e një faze të re. Ajo që ishte Bota e Tretë sot është një “Jug i botës”, i cili ndihet më i fortë, me axhenda më të gjera dhe që bashkon lojtarë gjithnjë e më të rëndësishëm në politikën dhe ekonominë botërore. Samiti u konsiderua me të drejtë nga shumë analistë të ekonomisë si një nga ngjarjet më të mëdha me natyrë gjeo-ekonomike në nivel botëror, pasi vendimet e Johanesburgut mund të kenë ndikime të rëndësishme në ekonominë botërore. Për rëndësinë e këtij Samiti flet për Grupin Mediatik të Kinës Prof.Asoc.Dr.. Klodian Muço, ZvDekan i Fakultetit Ekonomik në Universitetin Katolik  “Zonja e Këshillit të Mirë” në Tiranë, ekspert i ekonomisë.

Prof.Asc Dr. Klodian Muço në intervistë për CMG

Prof.Asc Dr. Klodian Muço në intervistë për CMG

CMG: Prof. Muço, vendet e BRICS, Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, zhvilluan në datat 22-24 gusht, në Johanesburg të Afrikës së Jugur, samitin e radhës, të konsideruar si takim historik. Pse kishte rëndësi, sipas jush, ky takim i nivelit më të lartë?

Prof.Asoc.Dr. Klodian Muço: Samiti gjykohet si një nga eventet më kryesore në aspektin gjeo-politik dhe gjeo-ekonomik, për vetë faktin se vendet e BRICS konsiderohen vende shumë të rëndësishme. 

Po kalojmë nga një botë njëpolare, ku kishim vendet perëndimore, me SHBA-të në krye dhe me Bashkimin Evropian, dhe nga ana tjetër tani, të gjitha vendet e tjera të

rëndësishme, që konsideroheshin në thonjëza vende “të kategorisë së dytë”, tashmë janë bashkuar dhe po mundohen të krijojnë një pol të ri ekonomik dhe një pol të ri

edhe politik.

Këto vende duan të bëjnë një barazpeshë, qoftë për Bankën Botërore, qoftë për Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ato po mendojnë që nuk duhet më të jenë të

varura nga Banka Botërore, apo nga FMN. Ato nuk duhet të jenë më “midis vendeve të tjera”, dhe ajo që është më e rëndësishme, është aspekti që ato nuk duhet të jenë më të varura nga dollari.

Dollari amerikan është konsideruar që nga viti 1944, nga Konferenca e Bretton-Woods-it, si monedha e shkëmbimeve ndërkombëtare. SHBA-të kanë përfituar nga

Bretton-Woods-i deri në vitin 1971, kur ishte pariteti dollar-ar. Por edhe pas vitit 1971, përsëri dollari amerikan u konsiderua monedha e shkëmbimeve ndërkombëtare.

Për BRICS-in si grupim dhe për një pol të ri kishte dy dekada që po flitej, por tashmë u bë realitet. Ajo që është më e rëndësishme ka të bëjë me faktin që, jo vetëm që u shtua Afrika e Jugut që nga viti 2010, por në këtë konferencë-samit janë edhe shumë vende të tjera që kanë kërkuar të anëtarësohen. Të gjitha vende në zhvillim.

Samiti BRICS (Foto China Daily)

Samiti BRICS (Foto China Daily)

CMG: Keni shumë të drejtë, Prof. Muço, sepse praktikisht takimi i nivelit më të lartë të Johanesburgut u quajt edhe Samiti i zgjerimit. Dhjetëra vende kanë bërë edhe kërkesë zyrtare dhe nga 1 janari 2024, shumë vende me peshë në ekonominë botërore do të jenë anëtare të BRICS. Ju keni bërë studime lidhur me monedhat alternative në tregtinë dhe në ekonominë botërore. Mendoni se është momenti i duhur për një monedhë alternative të BRICS?

Prof.Asoc.Dr. Klodian Muço: Po bëj një parantezë të shkurtër. Në vitin 1944, në Bretton-Woods ishin dy plane kryesore që u diskutuan dhe u votuan. Ishte plani White amerikan për dollarin si monedhë ndërkombëtare. Ishte dhe Plani Keynes i nobelistit për ekonominë John Maynard Keynes, për një monedhë ndërkombëtare që nuk kontrollohej nga një vend i vetëm, por thjesht do të intensifikonte shkëmbimet tregtare mes vendeve, pa u kontrolluar nga asnjë shtet specifik.

Pas shumë diskutimesh, fitoi Plani White dhe u tha atëhere që SHBA-të i blenë këto shtete, me anë të Planit Marshall që do të bënte investime në vende të ndryshme. Thuhet që Keynes nga marazi, një javë më vonë pësoi infarkt dhe vdiq. Pas kësaj paranteze të shkurtër, krijimi i një monedhe alternative që po diskutohet sot, është pak a shumë e njëjta ide e Keynes, e prezantuar në vitin 1944. Ndër vite është diskutuar shpesh herë që të krijohet monedha panafrikane, një monedhë e përbashket që e kanë krijuar vendet e Afrikës së Veriut. Ideja është që të kemi një monedhë, të cilën nuk e kontrollon asnjë vend i veçantë. Monedha do të jetë vetëm si një formë shkëmbimi ndërmjet shtetesh. Do të

intensifikojë shkëmbimet tregtare, pa ndërhyrë tek normat e këmbimit valutor mes monedhave. E keni parasysh edhe situatën e vendit tonë, Shqipërisë, ku monedha jonë vendase po forcohet përgjatë muajve të fundit. Kjo po çon në vështirësi eksportet. Eksportuesit shqiptarë janë shumë në vështirësi dhe kërkojnë mbështetje qoftë nga

banka qendrore, qoftë nga qeveria. Monedha alternative edhe në rajonin tonë do të duhej pikërisht për të bërë ndërhyrje, që të mos kishim këtë forcim të monedhës

vendase dhe vështirësi të mëdha të eksporteve. Pra, të kemi një monedhë që nuk kontrollohet nga një politikë monetare e një vendi të caktuar dhe as nuk rivlerësohet, as edhe nuk shvlerësohet. Është thjesht një mjet shkëmbimi. Ndryshe nga monedhat tradicionale që ne njohim, që kanë tre funksione të caktuara, monedha alternative do të ketë vetëm dy funksione. Do të jetë vetëm mjet shkëmbimi dhe njësi vlere dhe kaq. Nuk do të ketë atë aspektin spekulativ. Prandaj dhe do të jetë e rëndësishme dhe kam përshtypjen se ajo çka po mendojnë vendet e BRICS është një masë e duhur dhe një kundërbalancë ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Monedha ndërkombëtare alternative do të rishkruajë pjesën e ekonomisë botërore, në rast se do të vendoset realisht. Të kemi parasysh, një nga vendet e ftuara në Samitin e Johanesburgut ishte Arabia Saudite. Është një vende prodhues shumë i rëndësishëm i naftës, së bashku me Iranin. Arabia Saudite është shprehur disa herë që nuk do ta shesë më naftën e saj me dollarë. Pra, që tani kanë filluar hapat e parë për të bërë një kundërbalancë ndaj dollarit.

Po të kemi parasysh teoritë ekonomike të ekonomistëve heterodoksë, të cilët janë afër Keynes-it, del qartë domosdoshmëria. Ata thonë: ti je një ekonomi, në një grup vendesh që janë gati tre miliardë banorë. Në rast se këto vende do të shkëmbejnë vetëm në mes tyre, edhe pse janë vende me një kërkesë agregate të ulët, si popullsi, luajnë një rol të rëndësishëm.

Po ashtu, të gjitha këto vende kanë një të përbashkët: janë vende që prodhojnë lëndë të para. Janë vendet afrikane që kanë burime pa fund. Dhe vendet afrikane të ftuara në Konferencën e Johanesburgut ishin pikërisht vendet që duan të anëtarësohen në BRICS. Ato e shohin këtë anëtarësim si një mënyrë për t’i dhënë fund kolonializmit dhe shfrytëzimit nga vendet e zhvilluara.

CMG: Grupimi BRICS përfaqëson më shumë se 42% të popullsisë së botës, 30% të territorit të saj, 23% të PBB-së botërore dhe 18% të tregtisë botërore. Megjithatë, ndërmjet tyre, vendet BRICS realizojnë vetëm 6% të tregtisë totale. Ju duket anomali dhe a ka potencial që tregtia mes tyre të zhvillohet më fort në të ardhmen?

Prof.Asoc.Dr. Klodian Muço: Është anomali në fakt, por po të kemi parasysh se cilat vende janë nismëtarët e BRICS-it, Rusia ka qenë kryesorja, që e shikonte BRICS-in si një alternativë për t’i bërë një kundërbalancë SHBA-ve. I dyti vend është Kina. Rusia njihet për burime natyrore të mëdha, por jo për teknologji të avancuar. Pesha e saj është shitja e lëndëve të para. Kina, nga ana tjetër, blen lëndë të para, por biznesi i saj primar është prodhimi me kosto të ulët dhe investimi në teknologji, në prodhimin e produkteve të teknologjisë së lartë me kosto të ulët. Kështu që nuk është Rusia blerësi i parë i Kinës, por as edhe Kina blerësi i parë i Rusisë.

BRICS (Foto China Daily)

BRICS (Foto China Daily)

CMG: Juve e përmendët që Arabia Saudite ka patur dëshirën, që të shesë produktin e saj kryesor, naftën, me një monedhe alternative. Falë studimeve tuaja, por edhe faktit që nga 1 janari 2024, Arabia Saudite dhe shumë vende të tjera me peshë në ekonominë botërore do të jenë vende anëtare të BRICS, si e gjykoni perspektivën e monedhës alternative BRICS?

Prof.Asoc.Dr. Klodian Muço: Ka një sërë studimesh, përsa i përket rolit të monedhave komplementare. Edhe kur filloi Pandemia nga Covid-19, një sërë ekonomistësh të njohur në nivel global, hodhën idenë e krijimit të një Agjencie të Borxhit dhe krijimin e një monedhe digjitale, që mund të kontrollohej nga Banka Qendrore Evropiane, etj.

Ideja është që u vu re se shvlerësimi apo rivlerësimi i vazhdueshëm i monedhave po bëhej pengesë në shkëmbimet tregtare ndërkombëtare. Apo edhe që politika e

lehtësimit monetar, pra kalimi i normave të interesit afër zeros, mbaroi, mori fund. Prandaj dhe të gjitha vendet tani janë të detyruara që të rrisin në mënyrë të vazhdueshme normat e interesit. Politika monetare e tyre kësisoj u shndërrua në një pengesë për zhvillimin ekonomik të vendeve. Vendosja, hyrja në lojë e një monedhe që nuk ka rol në aspektin spekulativ, por është thjesht një mjet shkëmbimi, do të lehtësojë me siguri shkëmbimet mes vendeve të BRICS-it. Unë këtë e shikoj shumë të rëndësishme.

Një ndër studimet që kam tentuar të bëj, praktikisht është bërë një pjesë e tij, ka qenë për Ballkanin Perëndimor. Ideja e implementimit të një monedhe komplementare, kur u diskutua krijimi i tregut të përbashkët të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Berlinit. Në mënyrë që të mos kemi këto problematika të forcimit të monedhave kombëtare, që ne i hasim në ditët e sotme.

 U hodh ideja dhe ky ishte qëllimi i studimit në një universitet të huaj, me një profesor të huaj, që të kishim një monedhë të përbashkët, të cilën nuk e kontrollonte asnjë nga vendet tona, por do të ishte thjesht një mjet shkëmbimi, që të mos kishte shvlerësime dhe këto vende ta përdornin atë pa arësye spekulative, që të mos intensifikoheshin shkëmbimet tregtare, si pasojë e rëndësisë që ka një monedhë, në raport me të tjerat.

Intervistoi Fatos Çoçoli