Nisma “Një brez, një rrugë” sjell vitalitet të ri në portin më të madh të Greqisë
2023-09-01 10:17:55

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Qëkur kompania kineze “COSCO Shipping” bleu portin më të madh të Greqisë, atë të Pireut, 13 vjet më parë, porti ka përjetuar rritje të shpejtë dhe është shndërruar në një qendër transporti shumë aktive në udhëkryqin e Azisë, Evropës dhe Afrikës.

Projekti kryesor në bashkëpunimin dypalësh është përshëndetur si një histori shembullore suksesi nën nismën kineze “Një brez, një rrugë”.

Tassos Vamvakidis është menaxher komercial i “Piraeus Container Terminal S.A.” (PCT), një degë e “COSCO Shipping”. Ai është punësuar në portin e Pireut që në moshën 16-vjeçare. Duke qenë dëshmitar i lulëzimit, rënies dhe ringjalljes së portit për më shumë se gjysmë shekulli, ai tha se i bëne përshtypje veçanërisht ndryshimet që ndodhën në 13 vitet e fundit.

Në vitin 2010, kapaciteti operativ i kontejnerëve të Pireut ishte rreth 1.5 milionë TEU (njësi matëse për kontejnerët). Sot, kjo shifër është në 6.2 milionë TEU, tha Vamvakidis. Nuk është çudi që terminali i kontejnerëve të Pireut tani renditet në mesin e 40 porteve më të mëdha në botë.

Përpara investimit të COSCO-s, porti renditej i 93-ti. Gjatë viteve 2009-2010, “Piraeus Container Terminal”, pasi fitoi dy tendera ndërkombëtarë, mori përsipër menaxhimin e Terminalit II dhe III të portit. Në vitin 2016, “COSCO Shipping” fitoi shumicën e aksioneve në “Piraeus Port Authority S.A.” (PPA).

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Gjashtëqind milionë euro (658.2 milionë dollarë amerikanë) investimi total nga “COSCO Shipping” e ka bërë “Piraeus Container Terminal” një port kryesor mesdhetar krahas atyre të Roterdamit, Antwerpen dhe Hamburgut në Evropë”,- tha Panos Zerefos, menaxheri financiar i “Piraeus Container Terminal”, gjatë një interviste për “Xinhua”.

“Pireus Port Authority” ka publikuar rezultate po aq mbresëlënëse vitet e fundit. Kompania njoftoi të ardhura dhe rentabilitet rekord në vitin 2022. Qarkullimi vjetor i saj ishte 194.6 milionë euro vitin e kaluar, një rritje prej 26.2 për qind nga viti 2021. Fitimi i saj para tatimit arriti në 74.7 milionë euro, që ishte 51.7 për qind më i lartë se një vit më parë.

Në vitin 2022, porti trajtoi 880.416 pasagjerë, një rritje prej 190 për qind, me anije lundrimi me 667 shtretër, një rritje prej 79 për qind krahasuar me vitin 2021. Kjo ishte mbi nivelet para pandemisë. Imazhi i ri i një porti modern, të besueshëm dhe efikas ka ndihmuar në tërheqjen e më shumë investimeve të huaja në Greqi.

Gjigantët e biznesit si “ZTE”, “Hewlett-Packard” dhe “Huawei” filluan të përdorin terminalet e ngarkesave si qendra logjistike për mallrat e tyre, duke u pasuar nga më shumë projekte në disa sektorë.

Gjatë gushtit, në një event për të festuar 20-vjetorin e listimit të “Piraeus Port Authority” në bursën e Athinës, drejtuesi i kompanisë, Yu Zenggang, deklaroi se kjo ngjarje përkoi me shpalljen e dividentit më të lartë ndonjëherë që do t'u shpërndahej aksionerëve. Ai arriti në 1.04 euro për aksion, një rritje prej 65.6 për qind krahasuar me vitin 2021.

Kinezja “COSCO Shipping” ka investuar sistematikisht në shoqëri, infrastrukturë, teknologji dhe mjedis, duke kontribuuar në zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë dhe shoqërisë së Greqisë.  Sipas një instituti kërkimor lokal, deri më tani, projekti i Pireut ka krijuar vende pune drejtpërdrejt për mbi 3000 banorë vendas dhe 10.000 persona në mënyrë indirekte.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kompania gjithashtu ka investuar mbi 600.000 euro për komunitetet lokale për të mbështetur arsimin dhe kulturën në vitet e fundit. Ministria greke e Kulturës bëri të ditur këtë verë se deri në fund të vitit 2025, një ndërtesë dhe hapësirat ngjitur me të brenda portit që “Pireus Port Authority” i dha shtetit grek vitin e kaluar do të shndërrohet në Muzeun e Antikiteteve Nënujore.

“Një port i dikurshëm i madh me probleme të mëdha konkurrueshmërie është bërë një nga portet më konkurruese në Evropë. Investimi tepër i rëndësishëm kinez po përparon shumë mirë. Projekti ka qenë i suksesshëm”,- deklaroi gjatë një konference shtypi në Athinë këtë verë guvernatori i Bankës së Greqisë, Yannis Stournaras.

Sipas kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, investimi i “COSCO Shipping” në portin e Pireut është një shembull i bashkëpunimit të frytshëm ndërkombëtar dhe është një situatë e favorshme për të gjithë aktorët e përfshirë.