Foto nga CFP
Me rënien e natës, ura që lidh qarkun autonom Hekou Yao të Kinës dhe Lao Cai në Vietnam ndriçohet nga drita vezulluese, ndërsa tingulli i muzikës “live” jehon nëpër rrugët e populluara përgjatë bregut të lumit, me flladin e ngrohtë subtropikal që shton hijeshinë e atmosferës së gjallë. Rruga Ekzotike në Hekou, që ndodhet në provincën Yunnan të Kinës jugperëndimore, është e mbushur me vizitorë. Qarku ndodhet përtej lumit, më pak se 100 metra nga Lao Cai.
Qëkur porti Hekou u rihap në fillim të janarit, qarku ka rifituar gjallërinë e tij pasi tregtia ndërkufitare dhe shkëmbimet kanë lulëzuar. Dhe me këtë vjen edhe gjallërimi i tregtisë dhe kulturës.
“Është absolutisht një kënaqësi të kthehem këtu pas tre vjetësh”,- deklaroi Dan Huong, një këngëtare vietnameze që punon në një restorant të quajtur “Honghe Valley 1897”.
Dan filloi të punonte në restorant kur u hap për herë të parë në vitin 2011, por aktiviteti u ndërpre për shkak të pandemisë Covid-19. Pas rifillimit të biznesit, Dan, e cila flet rrjedhshëm kinezisht, filloi përsëri të performojë dhe u prit ngrohtësisht nga të ftuarit kinezë. Tani ajo punon në Lao Cai gjatë ditës dhe në restorant në mbrëmje. “Zakonisht vij këtu rreth orës 18:00. Më duhen rreth 30 minuta në këmbë dhe kthehem para orës 23:00”,- thotë ajo.
Chen Yonghui është pronari i restorantit që përmban elementë vietnamezë. Restoranti u rihap pas Festivalit të Pranverës këtë vit dhe tani të ardhurat e tij bruto ditore janë rreth 15.000 juanë (2180 dollarë). Biznesi po lulëzon falë rifillimit të plotë të tregtisë ndërkufitare. Statistikat lokale treguan se numri i njerëzve që kalonin përmes portit i tejkaloi 100.000 nga 8 janari deri në 8 shkurt, me mesataren ditore që së fundi arriti në afro 6000. Shumë punëtorë vietnamezë kanë vendosur të kthehen në Hekou për të rinisur punën.
Në restorantin e Chen, gjysma e 30 punonjësve të tij janë vietnamezë. “Ne i kemi ndihmuar punonjësit vietnamezë të aplikojnë për leje qëndrimi të përkohshme, u kemi ofruar strehim dhe ushqim falas, si dhe kemi ofruar sigurime”,- deklaroi Chen.
Pas Festivalit të Pranverës, një mesatare ditore prej rreth 400 vietnamezë aplikojnë për leje për të vizituar të afërmit dhe miqtë e tyre, si dhe leje pune në qendrën e administrimit në Hekou. Jin Yan, një banor vendas, i ndihmon vietnamezët të aplikojnë për lejet e tyre të punës në qendrën e administrimit.
“Shoku im hapi një bar në Rrugën Ekzotike dhe biznesi është përmirësuar ndjeshëm dhe kënaqshëm. Ai ka rekrutuar tre punëtorë të tjerë vietnamezë”,- tha Jin, duke shtuar se njerëzit janë të sigurt për zhvillimin e ardhshëm të Hekou pas rifillimit të tregtisë ndërkufitare.