Kina ka pasur rimëkëmbje e rritje ekonomike dhe bazat që mbështesin rritjen afatgjatë të ekonomisë së dytë më të madhe në botë mbeten të pandryshuara, tha ambasadori kinez në ShBA Xie Feng.
Në artikullin me titullin "Ekonomia kineze po ecën më mirë sesa mund të mendoni", të botuar në "Washington Post" të enjten, Xie hodhi poshtë disa tituj të fundit në lidhje me ekonominë kineze, duke përmendur disa fakte rreth saj.
Prodhimi i brendshëm bruto i Kinës u rrit me 5.5 për qind në gjysmën e parë të vitit, duke tejkaluar shumicën e ekonomive kryesore. Banka Botërore, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikojnë që ekonomia kineze në vitin 2023 do të rritet përkatësisht me 5.6, 5.4 e 5.2 për qind.
Duke cituar këto të dhëna, Xie tha: "Siç ka ndodhur për shumë vjet, Kina mbetet motori më i rëndësishëm i rritjes globale."
Shtresa me të ardhura të mesme në Kinë – më shumë se 400 milionë njerëz tani – pritet t'i kalojë 800 milionët deri në vitin 2035, shtoi ai.
Ndërsa Kina vazhdon të përmirësojë konsumin, të lehtësojë hyrjen në treg, të përmirësojë mjedisin e biznesit dhe të forcojë zinxhirët e furnizimit dhe industrisë, bazat që mbështesin rritjen e saj afatgjatë mbeten të pandryshuara, theksoi ai.
Ambasadori kinez tha se një nga pikat kryesore të ekonomisë së Kinës në gjysmën e parë të vitit 2023 është rikthimi i konsumit, i cili kontribuoi për 77.2 për qind të rritjes, mbi 44 pikë përqindjeje më shumë se vjet.
Në artikull, Xie theksoi gjithashtu se elasticitetin e tregtisë së jashtme të Kinës dhe forcën tërheqëse të saj për investimet e huaja.
Kina vazhdon të zërë rreth 14 për qind të tregut global të eksportit, ndërsa eksportet e saj të automjeteve elektrike, baterive litium-jon dhe qelizave diellore u rritën 61.6 për qind në gjashtë muajt e parë të vitit 2023, tha ai.
Duke vënë në dukje se më shumë amerikanë e kanë kuptuar që nocioni se Kina mund të shembet ekonomikisht dhe Amerika ende do të lulëzojë, është "fantazi e plotë", Xie i kërkoi SHBA-së të heqë kontrollet ndaj eksportit të teknologjisë, kufizimet e investimeve, sanksionet ekonomike dhe tarifat e larta kundër Kinës. (Çang Çuo)