Grupi TÜV: Panairi CIFTIS, një platformë për zhvillim të përbashkët
2023-08-31 11:19:17

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Më 2-6 shtator në Pekin do të zhvillohet Panairi Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime i Kinës për vitin 2023 (CIFTIS). Sivjet ky panair do të fokusohet te çështjet "e nxehta", si lëshimi i ulët i karbonit e teknologjia digjitale, ndërkohë që, me më shumë pjesëmarrës nga vendet e ndryshme, do të ketë një nivel më të lartë ndërkombëtarizimi.

 

Kryeekzekutivi i grupit gjerman "TÜV Rheinland", dr. Michael Fübi, u shpreh që në panairin e kaluar grupi i tij ka pasur shumë arritje, çka ka forcuar vendosmërinë e tyre për të marrë pjesë në panairin e sivjetshëm.

 

Në panairin e vjetshëm, grupi TÜV fitoi çmimin “Rast i dalluar i tregtisë së shërbimeve në provincën Guangdong 2022”, me platformën e shërbimeve për testimin dhe certifikimin ndërkombëtar “Një brez, një rrugë”, duke u ftuar për të marrë pjesë në një ekspozitë në qytetin Shenzhen.

 

Siç mësohet, platforma e TÜV -it ka mbuluar mbi 60 vende përgjatë “Një brez, një rrugë”. Synimi është që të ofrohen shërbimet e ashtuquajtura “me një ndalesë” për ndërmarrjet eksportuese dhe produktet përkatëse. Kështu, këto ndërmarrje mund të “dalin jashtë vendit” në mënyrë më efikase.

 

Dr. Michael Fübi tha që CIFTIS është bërë një platformë e rëndësishme në nxitjen e hapjes së tregtisë së shërbimeve globale.

 

“Panairi CIFTIS ka rëndësi të madhe. Siç është edhe tema e sivjetshme, 'Hapja drejton zhvillimin', zhvillimi i mëtejshëm i botës varet nga hapja dhe mbështetja e ndërsjellë, bashkëpunimi dhe përfitimet e përbashkëta mes vendeve të ndryshme. Prandaj, grumbullimi i ndërmarrjeve nga rajone të ndryshme mund të nxisë zhvillimin e përbashkët në të ardhmen,” theksoi ai.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Grupi TÜV është një institucion profesional testimi dhe certifikimi që është formuar në vitin 1872. Ky grup me famë botërore është përfshirë në tregun kinez prej 40 vjetësh dhe ka krijuar degë në shumë qytete kineze, si Pekin, Shangai dhe Shenzhen. Dr. Fübi u shpreh që, pas hyrjes në tregun kinez, TÜV ka dëshmuar procesin e zhvillimit të sektorëve të ndryshëm në Kinë dhe rritjen gjithnjë e më shumë të vëmendjes dhe kërkesave të  banorëve për cilësinë e jetës.

 

“Fokusi ynë fillestar ishte t'i ndihmonim kompanitë kineze 'të dilnin jashtë vendit' dhe të garantonim sigurinë dhe qëndrueshmërinë e produkteve kineze të eksportuara në tregjet ndërkombëtare. Por vitet e fundit është bërë e qartë se tregu vendas po i kushton gjithashtu gjithnjë e më shumë vëmendje cilësisë dhe kërkesa për shërbimet tona të certifikimit është rritur ndjeshëm. Aktualisht, numri i punonjësve në Kinë përbën një të katërtën e të gjithë punonjësve të TÜV-it, gjë që tregon se biznesi kinez po lulëzon. Veçanërisht në fushën e zhvillimit dhe certifikimit të produkteve, përparimi teknologjik i Kinës e tejkalon madje edhe atë të Gjermanisë, gjë që kërkon që ne të përmirësojmë vazhdimisht shërbimet tona. Pra, ky është një proces i përfitimit të ndërsjellë dhe zhvillimit të përbashkët,” u shpreh ai.

 

Kryeekzekutivi i "TÜV Rheinland" bëri të ditur më tej që vitet e fundit, ky grup ka shtuar vazhdimisht investimet e tij në tregun kinez. Në vitin 2021, grupi njoftoi se do të investojë në ndërtimin e një qendre operacionale në Deltën e Lumit Jance me një sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi gati 40 mijë metra katrorë, në Taicang. Qendra operacionale është e ndarë në dy faza. Faza e parë mbulon qendra testimi për modulet fotovoltaike, pajtueshmërinë elektromagnetike e pjesët e automjeteve etj., të cilat u vunë zyrtarisht në përdorim në fund të vitit të kaluar. Faza e 2-të do të shtrihet në laboratorët e testimit të tekstilit, kimikateve, industrisë së lehtë dhe sigurisë elektrike dhe është planifikuar të përfundojë deri në vitin 2024.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

 

“Ne presim që rritja e biznesit në Kinë të arrijë në 15 % këtë vit, sepse, nga njëra anë, kërkesa për cilësi dhe siguri në tregun kinez është rritur ndjeshëm dhe eksportet janë të forta, ndërsa nga ana tjetër, kërkesat në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm janë bërë gjithnjë e më të larta në dy vjetët e fundit. Kjo është edhe arsyeja pse projekti ynë më i madh i investimeve jashtë vendit në botë është vendosur në Kinë, që është qendra operacionale e Deltës së Lumit Jance,” tha Fübi.

 

Lidhur me të ardhmen, Fübi u shpreh që grupi i tij ka besim të plotë për hapjen me nivel të lartë, zhvillimin me cilësi të lartë dhe gjallërinë e potencialin e ekonomisë kineze, si edhe për ndryshimin e modelit të zhvillimit të Kinës. TÜV është i bindur që biznesi i tij mund të ngjitet në një shkallë të re me mbështetjen e platformës së panairit CIFTIS. (Jiang Lei)