Shtëpia e Bardhë inkurajon amerikanët të marrin vaksinat përforcuese Covid-19
2023-08-31 11:17:07

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Shtëpia e Bardhë u bëri thirrje amerikanëve që të marrin doza përforcuese të vaksinave Covid-19 kur ato të bëhen të disponueshme muajin e ardhshëm, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përballen me një valë të re të infeksioneve me nënvariantin Eris.

“Ne besojmë se jemi përgatitur për vjeshtën. Besojmë se jemi në një pozicion më të mirë se kurrë në luftën kundër Covid”,- tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, përpara gazetarëve.

Sipas saj, vaksinat mbeten mbrojtja më e sigurt për shmangien e shtrimit në spital dhe vdekjen. Ajo shtoi se kjo është arsyeja pse amerikanët inkurajohen të vaksinohen, citon “ATSH”.

Doza të reja përforcuese të vaksinave pritet të jenë të disponueshme në mes të shtatorit.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, shtrimet në spital dhe vdekjet në lidhje me Covid-19 u rritën me mbi 20 për qind në gusht. Eris, nënvariant i “Omicron”-it, tani përbën rreth 20 për qind të të gjitha infeksioneve të konfirmuara Covid-19, duke e bërë atë llojin dominues që qarkullon në SHBA. (Elona)