Ndotja e ajrit, kërcënimi më i madh në botë për shëndetin e njeriut
2023-08-31 10:58:01

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Ndotja e ajrit përbën një rrezik më të madh për shëndetin global sesa pirja e duhanit ose konsumimi i alkoolit dhe ky rrezik përkeqësohet në rajone të caktuara të botës, si Azia dhe Afrika, detajon një studim.

Sipas këtij raporti nga Instituti i Politikave të Energjisë të Universitetit të Çikagos (EPIC) mbi cilësinë globale të ajrit, ndotja e grimcave të imëta - e emetuar nga automjetet, industria dhe zjarret - përbën kërcënimin më të madh të jashtëm për shëndetin publik në botë, citon “ATSH”.

“Por, pavarësisht këtij vëzhgimi, fondet e akorduara për luftën kundër ndotjes së ajrit përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të atyre, për shembull, të dedikuara për sëmundjet infektive”, thekson raporti.

Ndotja e grimcave të imëta rrit rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të mushkërive, sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru ose kancerit.

“Pajtueshmëria e përhershme me pragun e ekspozimit të grimcave të imëta të vendosur nga OBSH-ja do të rriste jetëgjatësinë globale me 2.3 vjet”, vlerëson EPIC, bazuar në të dhënat e mbledhura në vitin 2021.

Për krahasim, përdorimi i duhanit ul jetëgjatësinë globale me një mesatare prej 2.2 vjetësh dhe kequshqyerjen e fëmijëve dhe nënave me 1.6 vjet.

Në Azinë Jugore, rajoni i botës më i prekur nga ndotja e ajrit, efektet në shëndetin publik janë shumë të theksuara. (Elona)