Lin Festival (Foto nga instagrami)
“Rijetojmë trashëgiminë tonë kulturore dhe muzikore”. Kjo ishte motoja dhe qëllimi i Lin Festival. Ky projekt artistik u mbajt nga 24-25 gusht, ku dita e fundit ju dedikua të rinjve, me një atmosferë festive dhe muzikë elektronike nga ora 18.00 deri pas mesnate. Eventi ka për qëllim parësor evidentimin e vlerave etno - kulturore dhe prezantimin e tyre para turistëve të huaj, por edhe qytetarëve shqiptarë që vizitojnë Pogradecin në këtë sezon veror. Në këtë kuadër, grupi muzikor Alt'n beats & Friends, duke i përshtatur më së miri me ambientin, risolli këngët e vjetra, por edhe të reja shqiptare, temat muzikore më të spikatura të filmave shqip, motive të veriut dhe të jugut, si edhe materiale muzikore nga e gjithë bota, duke i gërshetuar me ritmet elektronike bashkëkohore. Artistët e ftuar interpretuan live për dy netë të paharruara për banorët dhe turistët që shijuan koncertin në fshatin Lin të Pogradecit. “Lin festival” erdhi me muzikë shqiptare dhe arbëreshe si një format ndryshe dhe një risi njëkohësisht, aktivitet i cili u zhvillua në bazilikën paleokristiane të fshatit turistik. Krahas koncertit, pjesë e këtij projekti ishte edhe një panair produktesh dhe artizanë nga Pogradeci, Tirana dhe Kosova.
Fshati Lin i Pogradecit (Foto Balkan web)
Zhvillimi i aktivitetit duke evidentuar vlerat e trashëgimise kulturore, kultivimi dhe promovimi i vlerave nepërmjet performancës së artistëve dhe aktiviteteve të ndryshme është një mënyrë e mirë kjo për promovimi turizmit edhe në këtë zonë të Shqipërisë. Promovimi i siteve arkeologjike përmes kulturës muzikore, prezantimi i traditës, prezantimi dinjitoz i produkteve vendase, etno -kostumografisë, riteve e kërcimeve të kësaj treve. Promovimi i zonës përmes prodhimeve artizanale e kulinare, me synimin që ky aktivitet të marrë jetë edhe në vazhdimësi, duke u kthyer në traditë.
Gjatë aktiviteteve vizitorët shëtitën në fshat ku vizituan kishën e vjetër, një shtëpi ku prodhohet rakia në mënyrë artizanale (ku zihet rakia), si dhe me anë të një guide shoqëruese vizituan Mozaikun e Linit. Gjatë darkës publiku shijoi mbrëmje muzikore dhe letrare, me poezi nga Mitrush Kuteli dhe Lasgush Poradeci. Materialet muzikore të përzgjedhura për këtë event, u përpunuan në mënyrë të tillë që t’i rezistojnë kohës, duke përcjellë tek publiku një gërshetim të mirëstudiuar të tradicionales me modernen, e duke ruajtur me shumë kujdes autenticitetin e veprës origjinale.
Në intervistë për Radio Ejani na flet për “Lin Festival” ideatori, kuratori dhe producenti i kësaj nisme që tashmë finalizoi edicionin e parë, Altin Tila.
Altin Tila dhe banda muzikore (Foto nga facebook)
CMG: Ju këtë vit keni sjellë në fshatin Lin të Pogrdecit, “Lin Festival”. Si ju lindi ideja për krijimin e këtij festivali dhe përse pikërisht në Lin?
Altin Tila: Si artist dhe producent gjatë karrierës time kam marrë pjesë në shumë festivale dhe evente të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Është maturuar brenda meje dëshira për të organizuar një festival, që portretizon më së miri vlerat e trashëgimisë sonë etno- kulturore. Kjo dëshirë lidhet edhe me faktin që prej mëse 15 vitesh kam prodhuar dhe stilizuar muzikën e Eposit dhe rrënjëve tona të dokumentuar në tre albume dhe të jetësuara në evente, në bashkëpunim me TI center, event ky që zhvillohet në ditët e trashëgimisë kulturore dhe në përmbajtje ka: etnografi, kostumografi dhe muzikë.
Dashuria ime për qytetin e Pogradecit dhe në veçanti për fshatin Lin, kulmoi me edicionin e parë të “Lin Festival” të zhvilluar për dy ditë radhazi. Gjatë ditës u zhvilluan aktivitete me fokus turizmin si dhe panairi i artizanëve. Mbrëmjeve u zhvendosëm në Mozaikun Paleokristian ku u mbajt shfaqja Gala, e cila në përbërje kishte poezi e prozë nga Mitrush Kuteli si dhe nga autorë të tjerë. Koncerti i grupit muzikor “Alt’ n beats“ që unë e udhëheq, performoi nga fonoteka më e mirë e muzikës së kultivuar shqiptare nga të gjitha trevat: pogradecare, arbëreshe, shkodrane, kosovare etj, të risjella në një koncept modern të stilit Jazz, Funk, Bossanova. Këto aktivitete u përcollën me shumë interes nga një auditor i gjerë rreth një mijë persona në të dyja ditët, si dhe nga prezenca e autoriteteve lokale e qëndrore, tek të cilët ne shpresojmë mbështetje për vazhdimësinë e këtij festivali.
Pamje nga festivali(Foto nga facebook)
CMG: Ky festival a do të ketë vazhdimësi?
Altin Tila: Synimi është që në vazhdimësi të kemi edhe artistë të njohur që lëvrojnë muzikën shqiptare në botë dhe natyrshëm obligimi që në bashkepunim me guidat turistike të sjellim të paktën 50-60% më shumë vizitorë të huaj në Lin, gjë e cila nuk mungoi edhe në këtë edicion të parë.
CMG: Çfarë ka ndryshe “Lin Festival” nga festivalet e tjera që janë mbajtur përgjatë këtij sezoni veror nëpër Shqipëri?
Altin Tila: “Lin Festival” ka në fokus evidentimiin e vlerave etno- kulturore dhe zakonet tona të trashëguara ndër shekuj. Dua të falenderoj disa nga personat që morën pjesë si performues e organizatorë të këtij eventi; Eritan Kamolli drejtor artistik dhe violinist, Eni Guçi këngëtare, Altin Tila kitarist, Xhemil Gjini perkusionist, Arbies Komoni aktor, Brisi Trajko ishte moderator, Klavio Shaholli digital marketing, e shumë të tjerë.
-Publikut shijoi performancë në disa gjini: muzikë, kulinari, etnografi (artizane, sfilate slow fashion) si dhe aktivitetet të tjera. Fshati turistik Lin shtrihet në bregun perëndimor të Liqenit të Ohrit, 20 km larg qytetit të Pogradecit. Ai ndodhet poshtë Qafës së Thanës, mbi një gadishull të vogël, me dalje direkte në liqen. Ka një botë ujore shumë të pasur, ku dallon peshku i vogël sardelja ose siç i thonë vendasit “pllashica”, por edhe korani i famshëm. Në kufi me Maqedoninë e Veriut, vitet e fundit për shkak të turizmit, ky fshat ka filluar të jetë mjaft i preferuar jo vetëm për vendodhjen fantastike gjeografike, por edhe për pasuritë natyrore, kulinare etj. Fshati Lin tashmë është mjaft i njohur edhe ndërkombëtarisht pas zbulimit të vendbanimit 8 mijë vjeçar nga arkeologët shqiptarë dhe zviceranë.
Intervistoi: Sava Lena
Zbulimi arkeologjik 8000 vjeçar në Lin (Foto Observer Kult)