Kina i ka kërkuar zyrtarisht Japonisë që të përgjigjet për trajtimin e ujit të ndotur bërthamor nga termocentrali bërthamor Fukushima Daiichi që planifikon të derdhë në det, duke mos marrë parasysh opinionet e vetë qytetarëve japonezë, por edhe të komunitetit ndërkombëtar. Vendimi paraqet rreziqe të konsiderueshme dhe të paparashikueshme për mjedisin detar global dhe shëndetin e njerëzve, deklaroi ambasadori kinez në Japoni, Wu Jianghao, pas takimit me zëvendësministrin japonez për Punët e Jashtme, Masataka Okano.
CFP
Në pikëpyetje trajtimi i ujit të ndotur bërthamor të Fukushimës
Japonisë iu kërkua zyrtarisht nga Kina të përgjigjet pse ajo thekson qëllimisht trajtimin e tritiumit, ndërkohë që mbetet evazive për materialet e tjera radioaktive në lidhje me shkarkimin në det të ujit të ndotur bërthamor nga termocentrali bërthamor Fukushima Daiichi. “Japonia pretendon se këto materiale plotësuan standardet kombëtare të sigurisë pas trajtimit, por dihet se uji i ndotur në Fukushima përmban mbi 60 lloje materialesh radioaktive, shumë prej të cilave u mungojnë metodat efektive të trajtimit”,- deklaroi ambasadori kinez në Japoni, Wu Jianghao, pas takimit me zëvendësministrin japonez për Punët e Jashtme, Masataka Okano, të hënën, duke sqaruar më tej qëndrimin e vendosur të Kinës për çështjen e çlirimit të ujit të ndotur bërthamor në oqean.
Megjithëse uji i ndotur i ruajtur në rezervuarë iu nënshtrua pastrimit përmes Sistemit të Përparuar të Përpunimit, një përfaqësues i “Tokyo Electric Power Company”, operatori i termocentralit Fukushima, tha se në rreth 66 për qind e ujit nuk janë hequr në mënyrë efektive substanca radioaktive përveç tritiumit, dhe ka tejkaluar standardet e shkarkimit, raportoi të shtunën rrjeti televiziv japonez “TBS”.
CFP
Takeshi Takano, një peshkatar 72-vjeçar në prefekturën e Fukushimës, deklaroi për “TBS” se ndërsa qeveria japoneze dhe “TEPCO” vazhdojnë të lëshojnë ujë toksik në det, ndjenja e tij e mosbesimit ndaj tyre po rritej gradualisht.
“Që nga fillimi, ata ishin të prirë për shkarkimin e ujit në oqean, duke vazhduar me procesin, pa dëgjuar opinionet tona”,- tha Takano.
Pavarësisht kundërshtimit të fortë vendas dhe ndërkombëtar, Japonia vazhdoi me planin e shkarkimit. Vendimi paraqet rreziqe të konsiderueshme dhe të paparashikueshme për mjedisin detar global dhe shëndetin e njerëzve, duke shkaktuar zemërim në komunitetin ndërkombëtar, tha Wu.
Sipas tij, Japonia duhet të përballet me realitetin, të reflektojë mbi veprimet e saj dhe të ndalojë menjëherë shkarkimin. Shqetësimi dhe kundërshtimi i madh i shprehur nga Kina, bazuar në prova shkencore dhe faktike, është plotësisht i arsyeshëm dhe i justifikueshëm, tha ai.
Lidhur me planin e monitorimit të Japonisë, Wu tha se ai nuk është as gjithëpërfshirës dhe as sistematik, pasi nuk arrin të monitorojë të gjitha materialet që ndodhen në ujin e ndotur bërthamor. Për më tepër, procesi i monitorimit nuk mbulon një gamë të gjerë të specieve detare, dhe si rrjedhim nuk mund të përmbushë kërkesat për vlerësimin afatgjatë të ndikimit ekologjik detar.
Manipulimi i të dhënave
CFP
“Shumica e të dhënave të publikuara nga Japonia janë marrë, testuar dhe raportuar nga “Tokyo Electric Power Company”. Duke marrë parasysh historinë e manipulimit, fshehjes dhe falsifikimit të të dhënave nga “TEPCO”, komuniteti ndërkombëtar ka një arsye të vlefshme për të dyshuar në vërtetësinë dhe besueshmërinë e të dhënave”,- tha Wu.
Sipas tij, nëse Japonia është vërtet e bindur për sigurinë, ajo duhet të mbështesë në mënyrë aktive arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë monitorimi ndërkombëtar që përfshin pjesëmarrje të plotë dhe efektive nga të gjitha palët përkatëse, duke përfshirë monitorimin e pavarur të palëve të treta të kryera nga vendet e tjera. Gjatë takimit me zëvendësministrin japonez Masataka Okano, Wu protestoi ashpër për problematikat me të cilat përballen ambasada dhe konsullatat kineze në Japoni, pasi ata kanë marrë një numër të madh telefonatash nga Japonia, duke ndërhyrë seriozisht në funksionimin normal të tyre.
Kina i kërkoi Japonisë që ta trajtojë çështjen në përputhje me ligjin dhe të sigurojë në mënyrë efektive sigurinë e ambasadës dhe konsullatave kineze, institucioneve, kompanive, qytetarëve dhe turistëve kinezë në Japoni. Një shumicë dërrmuese e vendeve, duke përfshirë shumë qytetarë brenda Japonisë, kanë pikëpamje kritike dhe të kundërta për planin e derdhjes së ujërave në oqean, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin, në një konferencë shtypi në Pekin të martën. Japonia nuk duhet të mbyllë një sy për këtë situatë, shtoi ai.
CFP
“Është veçanërisht e rëndësishme të theksohet se çështja e lëshimit të ujit të ndotur bërthamor në det ka të bëjë me mjediset detare dhe shëndetin e njerëzve. Nuk është vetëm çështje e Japonisë dhe nuk mund të trajtohet si një çështje që mund të vazhdojë pa pengesa thjesht sepse disa vende mund të ketë dhënë pëlqimin politik”, tha Wang.
Sipas tij, veprimet e Japonisë zbulojnë më tej prioritetin e pushtetit ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe shpërfilljen e interesave publike ndërkombëtare në favor të interesave vetjake.
Ndërsa administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk e ka shprehur hapur mosmiratimin e planit të shkarkimit të ujit të Japonisë, Uashingtoni zyrtar ka reduktuar ndjeshëm importet e produkteve ujore dhe bujqësore japoneze deri tani këtë vit.