Foto nga Xinhua
Zv.presidenti kinez Han Zheng theksoi të mërkurën se bashkëpunimi ekonomik e tregtar është themeli për zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-Mbretëri e Bashkuar.
Gjatë një takimi me sekretarin e Jashtëm britanik James Cleverly në Pekin, Han tha se Kina dhe Mbretëria e Bashkuar kanë vendosur marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadori për më shumë se gjysmë shekulli dhe kanë arritur rezultate pozitive në bashkëpunimin praktik në fusha të ndryshme.
Përballë rreziqeve dhe sfidave të gjendjes së tanishme ndërkombëtare, të dy vendet, si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ekonomi të mëdha të botës, duhet të zbatojnë frymën e respektit të ndërsjellë e të bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, të respektojnë interesat thelbësorë dhe shqetësimet kryesore të njëri-tjetrit dhe të nxisin së bashku paqen e zhvillimin botëror, vuri në dukje Han Zheng.
Ai shtoi se të dy qeveritë duhet të krijojnë një mjedis të mirë biznesi dhe të eksplorojnë aktivisht pikat e reja të rritjes për bashkëpunimin praktik.
Duke vënë në dukje që Kina është një vend i rëndësishëm me ndikim global dhe po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në qeverisjen ndërkombëtare, Cleverly tha se Mbretëria e Bashkuar vlerëson kontributin e rëndësishëm të Kinës në ekonominë botërore dhe uljen e varfërisë.
Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të forcojë shkëmbimet e nivelit të lartë dhe komunikimin strategjik me Kinën, për të krijuar konsensus dhe për të thelluar bashkëpunimin, shtoi ai.