Inteligjenca artificiale po përparon, por është kilometra larg zëvendësimit të njerëzve
2023-08-30 14:41:12

Me shpërthimin e chatbot-eve si “ChatGPT” që drejton bumin aktual të teknologjisë, shumë njerëz janë të shqetësuar dhe shtrojnë pyetjen: A do t'i zëvendësojë inteligjenca artificiale njerëzit?

Foto:VCG

Foto:VCG

Diskutimet në mediet globale do të bënin të besohej se frika të tilla mund të jenë të pabaza. Megjithatë, suksesi i paparë i një gjeneruesi kinez të portreteve digjitale i bazuar në inteligjencën artificiale ka rindezur frika të tilla, veçanërisht në mesin e përdoruesve të medias sociale.

Përdoruesit e aplikacionit celular duhet të paguajnë 9.9 juanë (1.4 dollarë) dhe të ngarkojnë të paktën 20 portrete të fundit të tyre për të marrë një klon digjital, i cili më pas mund të përdoret për të krijuar lloje të ndryshme portretesh të përshtatshme për qëllime të mjeteve identifikuese, raste formale si takime biznesi apo edhe të rastësishme të stilit të jetesës.

Sipas një sondazhi në platformën e stilit të jetesës “Xiaohongshu”, 72 për qind e të anketuarve në Kinë preferuan më shumë foton e profilit të krijuar nga gjeneruesi i portreteve sesa fotot fizike të realizuara nga profesionistë.

Për disa prej tyre, cilësia e imazheve të krijuara nga inteligjenca artificiale është shumë mbresëlënëse, ndoshta më e mirë se ajo e fotografive të bëra në studiot e fotografive.

Shprehjet e fytyrës, qëndrimi, ndriçimi, pamja e përgjithshme... të gjitha aspektet teknike dukeshin superiore.

Foto:VCG

Foto:VCG

Veçanërisht, përdoruesit mund ta trajnojnë aplikacionin për të krijuar portretet e tyre që janë reale. Ekspertët e industrisë së inteligjencës artificiale thonë se inteligjenca artificiale gjeneruese mund ta bëjë këtë.  Më e rëndësishmja, sipas tyre, është se ky aplikacion të shkurton kohë dhe para, për t'u veshur dhe për të bërë poza të panatyrshme para një grupi njerëzish të panjohur. Me një pagesë minimale mund të arrihej produkti i dëshiruar pa dalë fare nga shtëpia.

Por, a do ta humbasin punën fotografët, videografët, specialistët e imazhit dhe hallkat e tjera të këtij zinxhiri biznesi? Sipas ekspertëve, nuk ka gjasa, nëse teknologjia e inteligjencës artificiale në zhvillim menaxhohet mirë, me një kontroll të fortë në drejtimin e evolucionit të saj.

Por kjo teknologji ka dhe kurthet e veta. Cilësia e portreteve të krijuara nga inteligjenca artificiale është e mirë, por për të gjithë ata që e përdorin aplikacionin imazhet kanë poza, veshje dhe kënde të njëjta ose të ngjashme, një lloj skenari i përshtatshëm për të gjithë.

Kjo do të thotë se homogjenizimi i bën studiot e fotografive ende një domosdoshmëri. Ato ofrojnë shërbime më të personalizuara dhe mund të shfaqin më mirë personalitetin unik të një individi.

“Është shumë herët të thuhet se aplikacionet e portreteve të inteligjencës artificiale do të zëvendësojnë studiot e fotografive. Firmat që zotërojnë aplikacione të tilla nuk kanë ende një model të qartë biznesi. Do të ishte e vështirë për to që të merrnin pagesa të përsëritura nga përdoruesit pas provës së parë”,- tha Wang Peng, studiues në Akademinë e Shkencave Sociale të Pekinit.

Foto:VCG

Foto:VCG

Një tjetër shqetësim është siguria e imazheve të ngarkaura në rrjet.

“Ndërsa inteligjenca artificiale gjeneruese rritet, mund të shfaqen probleme të sigurisë së të dhënave. Përvetësimi i paligjshëm i të dhënave, rrjedhja dhe abuzimi me qëllim të keq i tyre janë shqetësime që duhet të trajtohen”,- deklaroi Zhang Tianyi, menaxher i lartë i produkteve të “RealAI”, kompani e sigurisë së inteligjencës artificiale me bazë në Pekin e mbështetur nga Universiteti Tsinghua.

“Mund të ketë gjithashtu çështje të pajtueshmërisë me përmbajtjen, si përmbajtja mashtruese, falsifikimet dhe modelet e përhapjes, të cilat mund të mashtrojnë përdoruesit dhe të krijojnë probleme”,- tha Zhang.

Por jo të gjithë janë tepër të shqetësuar. Disa, në fakt, mendojnë se inteligjenca artificiale gjeneruese mund të jetë thjesht një modë kalimtare e teknologjisë. Një takim mbi vlerësimin e botës reale u zhvillua në qershor midis mjekëve të inteligjencës artificiale dhe mjekëve njerëzorë. Vlerësimi i transmetuar drejtpërdrejt përfshiu 120 pacientë të vërtetë dhe 10 mjekë të pranishëm nga Spitali i Kinës Perëndimore, Universiteti Sichuan. Për habinë e të gjithëve, mjekët njerëzorë patën një vlerësim mesatarisht 7.5 nga 10, ndërsa mjekët e inteligjencës artificiale shënuan vlerësimin 7.2.

Rekomandimet e mjekëve të inteligjencës artificiale u zbuluan se ishin 96 për qind po aq të mira sa ato të mjekëve të nivelit të lartë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Ma Ting, profesor i neuroinformatikës në degën e Institutit të Teknologjisë Harbin, në provincën Shenzhen, Guangdong, tha se inteligjenca artificiale me të vërtetë bën një ndryshim të madh në industrinë e kujdesit shëndetësor, por kur mjekët marrin vendime bazuar në diagnozat e pacientëve, ata marrin parasysh të dhëna shumëdimensionale.

“Të dhënat shumëdimensionale janë të vështira për t'u aksesuar dhe vlerësuar për inteligjencën artificiale.  Për të lejuar plotësisht inteligjencën artificiale të kalojë nga inteligjenca e saj perceptuese aktuale në inteligjencën njohëse, ne kemi ende nevojë për më shumë kërkime, më shumë të dhëna dhe algoritme më inteligjente”,- tha Ma.