Eldorado Aga, studenti i drejtësisë me pasion sportin
2023-08-30 09:46:09

Eldorado Aga vazhdon studimet e larta në degën e drejtësisë, por pasioni për sportin dhe sidomos komentimin sportiv ka bërë që ai të angazhohet edhe në këtë fushë. Eldorado ka luajtur edhe me ekipin e volejbollit të Farkës. Madje komentimin sportiv e ka nisur me ndeshjet e volejbollit për të vijuar më pas edhe me ndeshjet e futbollit. Synimet e tij janë që të arrijë rezultate të larta në fushën e drejtësisë dhe të krijojë një karrierë të mirë në këtë fushë. Në një intervistë për Radio Ejani Eldorado tregon pasionin për sportin si dhe synnimet e tij në të ardhmen përsa i përket fushës së drejtësisë.

CMG: Prej vitetsh punon si gazetar dhe komentator sportiv, një profesion i trashëguar besoj dhe nga babai juaj?

Eldorado Aga: Janë gati dy vite që merrem me komentimin sportiv, që nga gushti i vitit 2021 dhe ka qenë një eksperiencë shumë e bukur dhe e rastësishme, duke qenë se fillimisht nuk e mendoja që do ta bëja këtë punë. Patjetër që pasioni për sportin, një pjesë edhe nga ana e babait, por gjithashtu dhe nga rrethi shoqëror më bënë që të jem këtu ku jam tani.

CMG: Do të ndjekësh rrugën e babait për ta vazhduar këtë profesion edhe në të ardhmen?

Eldorado Aga: Unë jam rritur në një ambient ku sporti ka qenë kryefjala çdo ditë dhe ka qenë diçka vërtetë e natyrshme. Aktualisht po vazhdoj studimet në drejtësi të cilat janë prioriteti im. Përsa i përket komentimit sportiv do të jetë një eksperiencë të cilën do ta vazhdoj derisa nuk do të ketë përplasje me prioritetin tim, që në këtë rast është drejtësia.

CMG: Ke komentuar vetëm ndeshjet e kampionatit shqiptar të futbollit apo edhe ato ndërkombëtare?

Eldorado Aga: Këtë vit kam komentuar kampionate të ndryshme, duke filluar nga kampionati italian, po ashtu dhe kampionatin shqiptar ku javë pas jave kam qenë në stadiume të ndryshme. Kam komentuar kampionatin skocez, por gjithashtu dhe volejbollin, duke qenë se vite më përpara aktivizohesha me ekipin e Farkës në volejboll. Volejbolli ishte një pasion që më bëri që të nis komentimin sportiv, duke qenë se kam filluar të komentoj ndeshje volejbolli dhe më pas kam kaluar tek futbolli.

CMG: Vazhdon të jetë volejbolli akoma një pasion për ty ?

Eldorado Aga: Volejbolli ka qenë një pasion i imi, diçka që e kam bërë me shumë dëshirë dhe kam kujtime shumë të bukura, emocione shumë të forta që kam përjetuar gjatë gjithë rrugëtimit tim. U bënë gati dy vite që nuk aktivizohem me volejbollin, një pjesë e ndikimit nga ana e shkollës, për t’ju përkushtuar asaj më shumë dhe gjithashtu edhe pjesa e vlerësimit financiar, duke qenë se është një angazhim që aktivizohesh çdo ditë, por në fund pret që të marrësh diçka mbapsht përsa i përket anaës financiare.

CMG: Para shumë vitesh lojërat me dorë kanë qenë shumë të zhvilluara në Shqipëri. Si e shikoni ecurinë e këtyre sporteve në vendin tonë?

Eldorado Aga: Gjej rastin të kujtoj disa rekorde historike të siguruara nga skuadrat shqiptare të volejbollit në vitet 80-90. Në vitin 1972 skuadra e Dinamos së meshkujve pozicionohej e katërta në Europë, në vitet 1980-90 Dinamo e femrave zinte vendin e tretë, që janë arritje vërtetë të paimagjinueshme tani për skuadrat shqiptare. Duket vërtetë diçka utopike që një skuadër shqiptare të konkurojë tani në kompeticionet europiane dhe të arrijë këto vende. Është një keqardhje e madhe që nuk është ruajtur ky standard, nuk kemi arritur dot të mbajmë hapin e vendeve të tjera përsa i përket investimeve dhe vëmendjes kushtuar volejbollit, gjë e cila ka sjellë edhe rezultate më të dobëta, duke u larguar gradualisht nga këto pozicione dhe objektiva.

CMG: Si e shikon ecurinë dhe nivelin e kampionatit tonë të futbollit, por dhe kampionateve në botë?

Eldorado Aga: Shoh një rritje graduale të vëmendjes kushtuar futbollit në Shqipëri dhe mendoj që ka patur një vëmendje të shtuar pas Europianit të vitit 2016 ku kombëtarja shqiptare arriti një rekord historik, duke u kualifikuar në Europianin e vitit 2016 në Francë. Gjithashtu theksoj dhe pjesën e investimeve, pasi skuadrat janë ndërgjegjësuar që t’i kushtojnë më tepër rëndësi dhe ekipeve të moshave, për të patur talente të rinj, por edhe për të afruar lojtarë nga jashtë për të forcuar skuadrat dhe për t’u bërë më konkurrues në arenën europiane.

Eldorado Aga gjate nje interviste (Foto personale)

Shikojmë skuadrat shqiptare në turet e Konferencë Ligë që po bëjnë mjaft mirë. Këto janë rezultate të cilat tregojnë punën e mirë që po bëhet me skuadrat shqiptare dhe patjetër një arsye më shumë për ta çuar një hap akoma më tej ecurinë e tyre.

CMG: Ke gjëtur ndonjë lidhje midis sportit dhe drejtësisë për të cilën ndjek studimet?

Eldorado Aga: Është diçka vërtetë unike do të thoja, meqenëse janë disi larg  nga njëra tjetra, por shpeshherë ka dhe pika takimi midis tyre, duke filluar që çdo veprim në jetën tonë të përditëshme shpeshherë nuk duket sikur ka elementë juridikë, por në fakt ka. Në sport një pjesë e mirë e punës organizohet nëpërmjet kontratave, ku normalisht ka dhe elementë juridikë të cilat shpesh herë bëjnë që të përqëndrohesh më tepër edhe nga ana juridike, për të gjetur zgjidhje më të mirë.

CMG: Ndjekja e studimeve për drejtësi ka qenë dëshirë e jotja apo shtytje nga familja?

Eldorado Aga: Përsa i përket drejtësisë ka qenë një preferencë e imja. Kur përfundova studimet në gjimnaz ishin disa mundësi që parashtroheshin, duke filluar me ekonominë dhe informatikën. Në fund zgjodha drejtësinë, duke qenë se ishte një pasion i imi  dhe është diçka që e bëj me dëshirë dhe mendoj se do ta shtyj më tej përsa i përket një karriere të tillë.

CMG: Si e shikon ecurinë në fushën e drejtësisë dhe çfarë synon të bëhesh në të ardhmen?

Eldorado Aga: Në fakt variacionet janë të shumta, por dëshira ime që nga fillimi kur kam vazhduar shkollën ka qenë që të bëj magjistraturën, për të vijuar si gjyqtar ose prokuror. Ky është një objektiv që kërkon disa vite që të realizohet, por punoj çdo ditë për të shkuar drejt atij objektivi. Janë dhe shumë mundësi të tjera, duke filluar si jurist, avokat, pedagog apo noter, por në fund dëshira ime mbetet që të jem në magjistraturë.

CMG: Ke menduar të shkosh për studime të mëtejshme ose specializime në një universitet të huaj jashtë vendit?

Eldorado Aga: Gjithmonë studimet jashtë vendit dhe eksperiencat jashtë kanë qenë interesante, ku kujtoj dhe organizimet me shkollën të cilat janë elemente që të ndihmojnë të përmirësohesh profesionalisht dhe për të pasur një CV më të pasur, por edhe për të njohur njerëz të rinj dhe për të përjetuar eksperienca. Mendoj se sa herë një eksperiencë e tillë do të parashtrohet, ka një vlerësim maksimal për ta provuar.

CMG: Të pëlejnë udhëtimet dhe ku ke udhëtuar?

Eldorado Aga: Udhëtimet janë një tjetër pasion i imi dhe mundohem që sa herë kam kohë të lirë të shkoj të shoh vende te tjera. Nuk jam një person që më pëlqen plazhi apo organizime të tilla, që shpeshherë kanë pak monotoni brenda. Më pëlqen të lëviz dhe të shoh vende të ndryshme, të prek kulturën e tyre, të shoh gjëra që nuk mund t’i shohësh këtu. Kam udhëtuar, kam qenë në Turqi, Itali, Hungari, Austri, Spanjë dhe së fundi në Holandë e Belgjikë. Secili vend ka bukurinë e tij. Një sugjerim për të gjithë që të udhëtojnë sa më shumë.

Eldorado Aga gjate nje raportimi (Foto personale)

CMG: Nëse do të vendosje për të jetuar në këto vende që ke pare, cilin dpo të zgjidhje?

Eldorado Aga: Nga të gjitha këto vende do të veçoja Spanjën. Kam qenë në Madrid, ku është një atmosferë vërtetë e ngrohtë dhe njerëz shumë mikpritës, një kuzhinë vërtetë e mirë ku gatimet tradicionale më kanë pëlqyer shumë. Mendoj se Spanja mund të ishte një mundësi për të jetuar.

CMG: Mendon se duhen krijuar ekipet zinxhir në futboll, që të kemi më pas dhe skuadra më të mira të këtij sporti?

Eldorado Aga: Akademia është një nga elemetët kryesore të ekipeve përsa i përket furnizimit të atyre me lojtarë, për t’i dhënë mundësinë elementëve të rinj që të aktivizohen edhe me skuadrat e të rriturve. Mendoj që duhet të ketë një vlerësim të shtuar përsa i përket akademive. Gjithashtu duhet t’u jepet një prioritet përsa i përket lojtarëve të rinj, t’u jepet një shans të provojnë mundësitë e tyre dhe në rast se tregojnë se kanë aftësitë e duhura, pse të mos vazhdojnë.

 Një tjetër element që duhet prekur është dhe pjesa e infrastrukturës së ekipeve të moshave, ku një pjesë e tyre nuk kanë kapacitetet e duhura përsa i përket fushave, dhe mendoj që përmirësimi i kësaj infrastrukture do të ftonte më shumë të rinj për t’u angazhuar me sportin. Përmirësimi i kushteve me këto fusha që ata zhvillojnë stërvitjen patjetër që do t’i ndihmonte dhe shtynte ata për të shkuar drejt sportit, duke qenë se është një veprimtari vërtetë pozitive. Mendoj se jo domosdoshmërisht çdokush duhet të bëhet sportist, por është e rëndësishme të mësohet me trajtimin sportiv, për të fituar karakterin e nevojshëm që një sportist ka.

CMG: Së fundi një mesazh për brezin tuaj, për rrugën që duhet të ndjekin drejt një suksesi.

Eldorado Aga: Këshilla ime do të ishte që të ndjekin pasionet e tyre, të ndjekin atë që kanë më shumë dëshirë të bëjnë. Nuk është e rëndësishme që të kesh një punë që do të fitosh të ardhura të mëdha në rast se nuk e keni pasion, sepse do të vijë një moment dhe një pikë që nuk mund të kthehesh dot mbrapa. Gjëja më e mirë është të bësh punën që do dhe të ardhurat do të vijnë më mbrapa.

Intervistoi; Gazmend Agaj