Foto nga CFP
Presidenti amerikan, Joe Biden, miratoi paraprakisht shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Florida, të SHBA-së, pasi stuhia tropikale “Idalia” që i është afruar këtij shteti u shndërrua të martën në uragan, duke shtuar frikën se do të ketë pasoja shkatërrimtare, raporton “BBC”, citon “RTSH”.
Sinoptikanët thanë se intensifikimi i fundit do ta bëjë uraganin jashtëzakonisht të rrezikshëm kur të përplaset në vijën bregdetare perëndimore të shtetit.
Pjesa më e madhe e Floridës, përfshirë zonën shumë të populluar rreth Tampës, është parashikuar që do të preken nga moti me erëra të forta, rrebeshe shiu dhe stuhi të forta.
Rreth 14 milionë banorë të Floridës janë paralajmëruar mbi uraganin, për shkak të itinerarit të pasigurt që po përshkon “Idalia”, ndërsa është fuqizuar duke lëvizur drejt veriut mbi Gjirin e Meksikës.
“Ka për të qetë një uragan i fuqishëm. Do ta prekë shtetin e Floridës në shumë mënyra”,- tha guvernatori Ron DeSantis.
Ai theksoi se janë mobilizuar më shumë se 1100 roja kombëtare dhe janë përgatitur 400 mijë litra karburant për t'ua ofruar pikave të karburantit përgjatë rrugëve ku do të kryhen evakuimet.
Banorët e zonës po ashtu janë paralajmëruar se do të mbeten pa energji elektrike kur të afrohet uragani. (Irma)