Foto nga GMW.cn
Së shpejti do të fillojë viti i ri shkollor e Wang Keqi, studente e vitit të tretë në degën e fotografisë të Akademisë së Arteve të Bukura të Universitetit Normal të Guizhou-t, u kthye në shkollë me frytet e shërbimit të saj vullnetar gjatë pushimeve verore.
Wang Keqi është një vullnetare e praktikës sociale e shkollës së dërgimit të shërbimeve të fotografisë në fshat "Një familje me një fotografi" dhe ajo ka marrë pjesë në këtë praktikë sociale për tre vjet radhazi.
Foto nga GMW.cn
Qëndrimi përballë sfondit që ju pëlqen, me pozë të bukur dhe duke bërë një foto të mirë për ta mbajtur si kujtim, kjo është përditshmëria e njerëzve të zakonshëm. Por, për shkak se në shumë fshatra të provincës Guizhou në pjesën jugperëndimore të Kinës të rinjtë dhe moshat e mesme shkojnë në zona të tjera për të punuar, të moshuarit dhe fëmijët që mbeten në vendlindje e kanë të vështirë të kenë një ritual kaq të përditshëm. Wang Keqi dhe shokët e saj kaluan me aparatet fotografike dhe printerat në fshatrat malore, për të kapur momente të bukura të të moshuarve dhe të fëmijëve të atjeshëm.
Foto nga GMW.cn
Për arsye që praktika sociale zhvillohet zakonisht gjatë periudhës së pushimeve dhe nuk ka mbështetje financiare, familjarët e Wang-ut nuk e kuptojnë pse ajo hoqi dorë nga pushimet për tre vjet rresht për të marrë pjesë me shpenzimet e saj në këtë veprimtari.
Wang Keqi iu përgjigj: "Janë buzëqeshjet e lumtura në fytyrat e tyre që më bëjnë të ndiej se gjithçka ia vlen".
Foto nga GMW.cn
Në vitin e parë të universitetit, Wang Keqi mori pjesë për herë të parë në praktikën sociale dhe shkoi bashkë me ekipin në fshatin Niujianshui të distriktit autonom Weining të qytetit Bijie në provincën Guizhou. Ndërsa vizitoi shtëpitë e fshatarëve, një plak që jetonte vetëm tërhoqi vëmendjen e saj.
I moshuari nuk kishte grua dhe fëmijë, vetëm një qen pranë tij, por nuk ishte aspak pesimist dhe herë pas here buzëqeshte kur fliste. “Gjysh, a mund të të bëjmë një foto?” pyeti Wang Keqi.
“Po, por dua të bëj foto me qenin tim, i cili ka shumë vite me mua.” Menjëherë, i moshuari e mori qenin në krahë, buzëqeshi dhe u vu përballë me aparatin.
Wang Keqi shtypi butonin dhe bëri foton e parë të të moshuarit dhe qenit. Kur fotot u shtypën ngadalë nga printeri, Wang Keqi u prek nga sytë pritës të plakut.
Foto nga GMW.cn
“Buzëqeshja në fytyrën e atij të moshuari jo vetëm që tregon dëshirën e tij për gjërat e reja, por edhe optimizmin ndaj jetës,” tha Wang Keqi. Që asokohe, ajo ka udhëtuar në shumë fshatra, vetëm për të sjellë më shumë surpriza për njerëzit në viset malore.
Pastaj, Wang Keqi dhe ekipi i saj udhëtuan nga shkolla në malësi, nga klasa në fusha, duke përdorur përvojën e tyre profesionale dhe aparatet në duar për të përcjellë ngrohtësi dhe lumturi "të ngrirë" te të moshuarit dhe fëmijët thellë në male.
"Për shumë prej fshatarëve ishin fotografitë e para profesionale që bënin. Mendoj se pas shumë vjetësh kur të jenë të rritur, fëmijët do të jenë shumë të lumtur të shohin veten e tyre në atë kohë ", theksoi Wang Keqi.
Foto nga GMW.cn
Në vitin 2012, Universiteti Normal i Guizhou-t filloi projektin e praktikës sociale “Një familje me një fotografi” e deri tani kanë kaluar 11 vjet. Ekipi i fotografisë ka kryer gati 30 aktivitete dhe ka shkuar në më shumë se 30 fshatra në provincë për të bërë dhe printuar mijëra foto falas. Më shumë se 5 000 familje kanë një portret të lumtur familjar dhe më shumë se 2 200 të moshuar e 2 500 fëmijë kanë fotot e tyre të para profesionale.
“Nga pagesa nga xhepat tanë deri te ofrimi i fondeve nga shkolla dhe qarqe të ndryshme, ne kemi përjetuar vështirësi dhe kemi fituar shumë njohje,” tha Wang Keqi. Ekipi zbaton gjithmonë ëndrrën dhe synimin origjinal "Le të mbajmë mend lumturinë e dashurinë familjare përgjithmonë".
"Ditën Kombëtare të këtij viti, ne duam t'u bëjmë më shumë surpriza të moshuarve dhe fëmijëve në mal, si për shembull të vizatojmë portretet e tyre." Wang Keqi dhe shokët e saj nga dega e artit vazhdojnë të sjellin dhurata të bukura për të moshuarit dhe fëmijët në male, në mënyrë që të ruajnë lumturinë në foto dhe në pikturë. (Çang Çuo)