Foto nga MPJ
Përfshirja zyrtare e Egjiptit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në BRICS do të ndihmojë në rritjen e ndikimit dhe rolit të vendeve arabe në çështjet ndërkombëtare, tha të martën ministri i Jashtëm kinez Wang Yi.
Wang, i cili është gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), i tha këto gjatë një takimi në Pekin me Adel Al Asoomi-n, kryetarin e Parlamentit Arab, disa ditë pasi të tre këto shtete arabe, së bashku me Argjentinën dhe Etiopinë, u përfshinë në BRICS, një grup ekonomish në zhvillim i përbërë nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut.
Kina është e gatshme të punojë me vendet arabe për të arritur zhvillim dhe begati të përbashkët, në mënyrë që të dy këto qytetërime të vjetra të japin kontribute të reja në zhvillimin dhe përparimin e njerëzimit, tha ai.
Adel Al Asoomi u shpreh nga ana e tij se marrëdhëniet ndërmjet vendeve arabe dhe Kinës janë në "një epokë të artë" dhe se pala arabe sheh te Kina "një partnere strategjike të besueshme dhe të sinqertë".
Parlamenti Arab është i angazhuar të mbështesë Kinën në arritjen e ribashkimit kombëtar dhe mbrojtjen e integritetit territorial dhe përkrah nismat e propozuara nga Kina, të tilla si "Një brez, një rrugë", Nisma e Zhvillimit Global, Nisma e Sigurisë Globale dhe Nisma e Qytetërimit Global, theksoi kryeparlamentari.
Al Asoomi tha më tej se angazhimi i Kinës për respektimin e sovranitetit dhe mosndërhyrjes ka fituar respektin e vendeve arabe.
Ai shprehu shpresën se Kina do të luajë një rol më të madh në nxitjen e paqes, qëndrueshmërisë dhe zhvillimit të vendeve arabe dhe të botës në përgjithësi.
Adel Al Asoomi ndodhet për një vizitë njëjavore në Kinë që do të zgjasë deri të enjten. Kryeparlamentari kinez Zhao Leji bëri thirrje për shtimin e shkëmbimeve ndërmjet dy organeve legjislative gjatë bisedimeve me të të hënën.