Një serrë me Aloe Vera nga i riu Albi Sulo
2023-08-30 11:15:22

Aloe Vera (Foto Baalkanweb)

Aloe Vera (Foto Baalkanweb)

Kurioziteti për të njohur bimët e ka bërë të riun Albi Sulo të ndërmarrë një hap të rendësishëm në jetë duke ndërtuar një fermë me Aloe Vera në përiferi të Tiranës. Në një intervistë për mediat Albi tregon rrugëtimin e tij dhe vështirësitë që has në punën e përditshme.

“Ka qenë më shumë një nismë e bazuar në përdorime personale dhe ndërthyrje të studimeve që kam bërë në universitet. Unë kam kryer studime mjedisore dhe kërshëria për të njohur bimët, gjërat e rralla më ka bërë që t’i studioja ato dhe më pas t’i provoj tek vetja apo tek njerëzit e afërt. Aloe ishte interesante, përveç vështirësive të kushteve klimatike dhe famën që ka si bimë. Unë e provova vetë për studimet lidhur me përdorimet dhe më pas arrita të marr njohuritë e duhura si bëhet integrimi apo dhe përshtatja në bazë të llojit të klimës dhe kushteve të tjera”, theksoi Albi.

Tashmë Aloe Vera e kultivuar në zonën e Tiranës ka gjetur treg përtej Shqipërisë.

“Janë dy lloje tregjesh, tregu ndërkombëtar dhe tregu kombëtar. Në tregun kombëtar është më shumë për sa i përket përdorimit individual dhe janë disa sipërmarrje të vogla të cilat marrin lëndën e pare, xhelin e aloes, përmes gjetheve dhe e përdorin për kremra apo përdorime të ndryshme. Është gjithashtu edhe tregu ndërkombëtar, që bëhet një apo dy herë në vit dhe merret gati e gjithë sasia e gjetheve sepse xheli shitet përmes gjetheve. Gjethja është një rezervat natyror i xhelit që mban tre apo 4 javë, ndonjëherë më shumë se një muaj dhe çohet në destinacion e përcaktuar. Në këto raste zakonisht tregu ndërkombëtar kërkon  të gjithë sasinë e gjetheve dhe ajo shkon në ato që kemi marrëveshjet përkatëse.”- thotë Albi Sulo.

Albi Sulo në serrën me Aloe Vera)

Albi Sulo në serrën me Aloe Vera)

Kosto shtesë për biznesin e tij ka qënë transporti në disa destinacione.

“Ne kemi bërë tregtimin në vende të ndryshme në bazë të ofertave. Të fundit e kishim me Çekinë. Është në varësi të përshtatjes dhe interesit tonë, nëse ka kosto transporti. Përshembull  kemi pasur një kosto goxha të lartë të transportit vitin e kaluar. Kanë qenë kriza të ndryshme në botë, që kanë ndikuar gjithë rrjetin që nga Kina. Mungesa e faktorëve apo elementeve të caktuar sjell dhe rritjen e tregut. Ndonjëherë Shqipëria nuk është e varur,  por ka sjellë ndikim në çmim” tha Sulo

Bujqësia është një nga sektorët që fitimin e sjell më ngadalë, por kjo nuk e ka stepur Albin. Ai ka ambicje për të zgjeruar më tej sipërfaqet me të mbjella.

“Kuptohet që investimet në bujqësi nuk janë investime siç mund të flasim për ato si nafta. Sepse po bëre një investim në bujqësi nesër apo pasnesër nuk do zgjohesh shumë i pasur. Investimet në bujqësi janë investime afatgjate që sjellin disa përfitime të caktuara mbi bazë të sipërfaqes që kanë. Për sipërfaqen që kemi dhe për investimin unë jam i kënaqur dhe tashmë kemi në plan të zgjerojmë më shumë të njëjtën fushë, por edhe disa destinacion të tjera, që krijojnë më shumë hapësira tregu”, nënvizoi ai.

Një tjetër projekt është edhe për ofrimin e bimëve tropikale ekzotike.

“Duke pasur specializimin për bimë të rralla dhe mjekësore, shumë shpejt do të dalim me një projekt publikisht dhe me hapjen e degës së Landscape Design  me bimë tropikale ekzotike apo mjekësore. Në Shqipëri ka potencial sidomos në zonën mesdhetare apo të bregdetit, ku po bëhen shumë ndërtime, vila apo komplekse dhe ka një Landscape Design  relativisht miks, jo të mirëpërcaktuar.”

Albi Sulo (Foto Living)

Albi Sulo (Foto Living)

Kjo pritet të jetë në interes të klientëve.

“Në rastin e Shqipërisë kemi një sasi bimësh dhe njohuritë dhe po përpiqemi pasi kemi arritur njohjen dhe përshtatjen dhe me kushtet atmosferike, dhe gjeografike, të shohim potencialet dhe zhvillimin. Shohim një potencial për sa i përket zhvillimit të infrastrukturës, por dhe një kërkesë për sa i përket arkitekturës, mjedisit, sidomos në bregdet ka një kërkesë për bimët sa më tropikale, sa më ekzotike, në mënyrë që t’i rritet vlera.  Është shumë interesante sepse ka bimë që janë të tilla, janë vërtetë shumë të bukura, kanë shumë potenciale dhe nuk janë shumë të përhapura. Ne po përpiqemi përveç tregtimit që kemi filluar me Aloen, të merremi edhe me futjen e këtyre bimëve dhe në pjesën e dekorimit. Pra përveç përdorimit agrokulturor që është mjekësor, tani do të futemi edhe në atë që është dekoruese.”, vuri në dukje ai

Bima Aloe Vera (Foto Living)

Bima Aloe Vera (Foto Living)

Janë të shumta llojet e Aloe Vera-s që kultivon i riu shqiptar. Sipas tij janë dhjetëra lloje të Aloe Veras dhe në disa raste bletët ndihmojnë me spikatjen e llojeve të reja, që më pas kultivohen.