Ushqimet shumë të përpunuara rrisin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare
2023-08-30 11:31:16

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Në takimin vjetor të Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë në Amsterdam, studiuesit zbuluan se konsumimi i ushqimeve shumë të përpunuara si drithërat e gatshme, pijet e gazuara dhe ushqimi i shpejtë, rrisin ndjeshëm rrezikun e presionit të lartë të gjakut, sëmundjeve të zemrës, të atakut në zemër dhe goditjeve në tru, shkruan “The Guardian”, raporton “ATSH”.

Nga njëri prej studimeve të paraqitura, të realizuar nga Universiteti i Sidnejit, ku u morën në vëzhdim mbi 10.000 gra të moshës së mesme gjatë 15 viteve të fundit, u zbulua se 39% e tyre kishin më shumë gjasa të prekeshin nga presioni i lartë i gjakut, në krahasim me ato që konsumonin më pak ushqim ultra të përpunuar.

Studimi i dytë, i paraqitur nga Yang Qu, në emër të studiuesve në Universitetin Ushtarak Mjekësor të Kinës, zbuloi se ata që hanin më shumë ushqime të përpunuara kishin gati 25% më shumë gjasa të vuanin nga një atak në zemër, goditje në tru ose anginë.

Sipas studiuesve, rritja me vetëm 10% e konsumimit të ushqimeve të përpunuara rrit ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Ekipi zbuloi gjithashtu se ata që kishin më pak se 15% të dietës së tyre të përbërë nga ushqime të përpunuara ishin më pak të rrezikuar të vuanin nga problemet mjekësore të lidhura me zemrën. (Irma)