Qytetet shqiptare në tabllotë e piktorëve
2023-08-30 09:42:36

Emri i qytetit shpesh herë lidhet me emrin e piktorëve që ky qytet ka lindur. Ndodh që shpesh herë një qytet ta njohim, jo duke e shëtitur, por nga peizazhet apo tabllotë që piktorët kanë krijuar të frymëzuar prej tij. Sepse piktorët gjithmonë janë të prirur të pikturojnë qytetin e tyre, si pjesë e identitetit dhe frymëzimit që nuk rresht kurrë. Rrugica, kala, shtëpi, çati, shëtitore, pallate të larta apo copëza kujtimesh që vijnë si një ëndërr. Por, si janë pikturuar qytetet shqiptare, jo vetëm nga piktorët vendas, por edhe nga artistë të tjerë që kanë gjetur aty frymëzimin?   

Tirana- Buron Kaceli - Lagjia ne buzembremje - foto Art Buron Kaceli

Tirana- Buron Kaceli - Lagjia ne buzembremje - foto Art Buron Kaceli

Tirana

Tirana ka qenë dhe është burim frymëzimi për shumë artistë. Një ndër ta është edhe pwr piktorin Vangjush Mio, i cili në vitin 1942 pikturon qendrën e Tiranës. Është një kompozim klasik, i saktë dhe transparent, me harmoni të ngjyrave të qeta, me penelata të buta dhe delikate, që transmeton qetësinë urbane dhe qytetarëve të atyre viteve. Një ftesë për të jetuar në atë qytet.

Ndërkohë ne do të veçojmë mënyrën me të cilën, një tjetër piktor, Buron Kaceli, ka pikturuar Tiranën. I lidhur fort pas natyrës, qytetit të tij të lindjes dhe sidomos lagjes së tij, nga shtëpia e tij ai sodit përreth dhe pikturon. Në sfond dallohet mali i Dajtit, shtëpitë e ulëta, një apo dykatëshe te Selvia dhe në sfond pallatet e reja të një qyteti që po transformohet. Penelatat janë të shkathëta, të zhdërvjellta e deçizive, plot kolorit dhe ndjenjë. Peizazhe të tilla si “Magjia në buzëmbrëmje”, apo “Lagjia në muzg”, janë të natyrës impresioniste, kanë pak a shumë të njëjtin mjedis në fokus, por interpretimi përmes pikturimit është i ndryshëm, emocioni gjithashtu. Nuk është më Tirana e Mios por Tirana sot.

Tirana, ajo e dikurshmja, pa kulla të larta dhe pallate shumëkatëshe, ndoshta një ndër peizazhet më të bukur të Tiranës, është realizuar nga piktor  Vangjel Gjikondi në vitin 1983. Është peizazhi i parë i realizuar nga piktori, në kohën kur ishte student në Akademinë e Arteve si një detyrë shkolle, por që arriti të merrte pjesë është në Bienalen e Aleksandrisë në vitin 1984. Një tabllo tepër e bukur impresioniste, plot dritë, me tone të qeta e të ngrohta, ku edhe e bardha vishet me nuanca të grisë së kthjellët, duke nxjerrë në pah kullën e bukur të sahatit, minaren e xhamisë dhe selvitë e larta aty pranë. Një imazh që nuk e gjejmë më në Tiranë kaq të pastër e të thjeshtë, për shkak të tranfromimeve të mëdha që sheshi po pëson çdo ditë.

Korca- Vangjush Mio, 1949- foto Albanian artists

Korça- Vangjush Mio, 1949- foto Albanian artists

Korça

Emri i Korçës lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me emrin e piktorit Vangjush Mio. Nëse ka një piktor që e ka pikturuar Korçës, rrugicat e saj, Drenovën, apo Pogradecin, ai pa dyshim është peizazhisti korçar Vangush Mio.

Në peizazhet e tij Mio shpërfaq dashurinë dhe përkushtimin e lartë për qytetin e tij. Në pikturën e tij, vërehet përherë një nostalgji përmes një note të lartë poetike, që nuk haset te asnjë piktor i traditës. Piktura e tij është një poezi e lartë dhe një muzikë e qetë shpirtërore. Aty spikat një lirizëm i thellë dhe peizazhe të idealizuara që bëjnë për vete publikun sot e kësaj dite.

Vangjush Mio- Tirana, viti 2942- foto GA

Vangjush Mio- Tirana, viti 2942- foto GA

Berati

 Qyteti muze i Beratit është pikturuar nga shumë artistë, ndër ta edhe të huaj, por Agron Polovina është ndër artistët që një pjesë të madhe të krijimtarisë së tij ia ka kushtuar qytetit të tij të lindjes. Ai dallohet për peizazhet plot dritë të Beratit në tërësi dhe në veçanti, të lagjeve karakteristike të “qytetit të një mijë e një dritareve”. Peizazhet e tij të Beratit janë të fuqishëm në ngjyra e mjaft dekorativë. Duket që piktorin e ka ushqyer dhe influencuar piktura e mjeshtërve të ikongrafisë mesjetare të qytetit të tij, për mirëmbajtjen dhe restaurimin e të cilave ai  ka punuar, ndaj ai ka ditur që të merrte tharmin prej tyre dhe ta sillte në kohë.  Nga ana tjetër kur sodit peizazhet e tij, ata vijnë drejt nesh transparente, të dritshme, brilante, plot ajër dhe fluide, si ndjesitë që të krijojnë rrugicat e Mangalemit sa herë t’i vizitosh.

Ndërkohë një tjetër piktor, Arben Golemi i ka kushtuar qytetit të Beratit rreth 280 peizazhe të realizuara në çdo lagje e rrugice të Beratit, duke shpalosur historinë dhe kulturën mijëra-vjeçare të qytetit.

Shkodra - Kalaja e Shkodres - Agim Kadillari - Foto Arkivi perivat FB

Shkodra - Kalaja e Shkodres - Agim Kadillari - Foto Arkivi perivat FB

Shkodra

Të shumtë janë artistët që kanë pikturuar Shkodrën, por ne do të ndalojmë tek Xheneta dhe Agim Kadillari.

Çifti Kadillari, janë të njohur si piktorët që pikturojnë qytetin e tyre. Edhe pse jetojnë e punojnë bashkë stilet e tyre në pikturë ruajnë individualitetin. Të dy merren kryesisht me peizazhin e vendlindjes. Agimi ka pikturuar me dhjetëra herë kalanë e Shkodrës apo pjesë të tjera të qytetit. Ai shquhet për delikatesën dhe njëkohësisht ekspresionin në penelatë. Ndërsa Xheneta për emocionin e saj grafik në pasqyrimin e peizazheve të qytetit që ajo njeh aq mirë.

Himara

Himara dhe bukuritë e saj janë pikturuar nga shumë piktorë shqiptarë, por ne do të ndalojmë tek Marius Tzavellas. Ndjeshmëria e tij për Himarën është evidente. E ka pikturuar gjithmonë fshatin e tij të lindjes, që fëmijë dhe vazhdon ta pikturojë me të njëjtën dashuri, duke përcjellë emocione të ndryshme në kohë. Përdor kryesisht akuarelin, akrilikun dhe vajin, ndërsa pikturon si impresionist. Mund ta konsiderojmë si Monet i artit shqiptar.

Gjirokastra - Ksenofon dilo, 1972- foto GA

Gjirokastra - Ksenofon dilo, 1972- foto GA

Gjirokastra

Kur permendim qytetin e Gjirokastrës, menjëherë na shkon nëpër mend një peizazh i piktorit Ksenofon Dilo, që e ka pikturuar Gjirokastrën, qytetin e tij me shumë poezi, me ngjyra të përmbajtura dhe tonalitete të qeta, që në vitin 1972. Ky peizazh i punuar nga Ksenofon Dilo është zgjedhur edhe nga botuesi i Kadaresë, si kopertinë për librin”Kronikë në gur”.

Por qytetin vazhdon të pikturohet nga të tjerë piktorë të rinj sepse stafeta vazhdon. Piktori Edi Kojani është një prej tyre. Ai i ka kushtuar Gjirokastrës mjaft punime interesante, ka pikturuar shumë pjesë të qytetit duke përcjellë emocione të forta që vijnë nga talenti dhe përkatësia e identitetit. Përveç kalasë, çative karakteristike shkallë- shkallë, klubit të gjuetarëve, ai ka piktuar lagjen Varrosh në të cilën ka lindur duke përcjellë edhe një copëz të historikut të saj.

Neritana Kraja