Shpiragu mund të shumëfishojë prodhimin e naftës në Shqipëri
2023-08-29 09:29:16

Faza e kolaudimit nga Kompania Shell (Foto ATSH)

Faza e kolaudimit nga Kompania Shell (Foto ATSH)

Kompania britanike dhe hollandeze “Shell Plc.”, e pranishme në 99 vende të botës dhe e renditur ndër dhjetë kompanitë më të mëdha në botë, për nga prodhimi dhe shitjet e naftës, kishte 11 vite që kryente shpime dhe kërkim të naftës në disa zona në Berat dhe në Përmet. Sipas Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, kompania pak ditë më parë, në 6002 metra në thellësi të tokës, në pusin Nr. 5 në Shpirag, ka zbuluar një rezervë të madhe gazi e nafte të cilësisë më të lartë.

Edi Rama dhe ZvKryeministrja dhe Ministrja e Energjise Belinda Balluku, vizituan Pusin 5 të Shpiragut. 

Tepër optimist është shprehur kryeministri Edi Rama për këtë zbulim:

Kryeministri Rama dhe zvkryeministrja Balluku (Foto Sot)

Kryeministri Rama dhe zvkryeministrja Balluku (Foto Sot)

“Lajmi tjetër fantastik është që nafta e zbuluar është e cilësisë më të lartë. Është hera e parë që kjo ndodh në vendin tonë, pasi burimet e naftës që janë zbuluar në të shkuarën dhe që janë shfrytëzuar dhe shfrytëzohen akoma, siç është për shembull, Patos – Marinza, janë burime të një nafte të rëndë që si e tillë, përdoret për bitum, solar, por nuk është një naftë që mund të hyjë në konsumin e automjeteve dhe vlera e saj është shumë modeste. Ndërkohë që sipas analizave të bëra në një laborator në Hollandë, nafta e zbuluar në zonën e Shpiragut është një naftë e të njëjtës cilësi me naftën premium të Arabisë Saudite.

Investimi i parashikuar dhe projekti që do të realizohet nga kompania nis me 3 miliardë euro dhe projeksioni është që deri në përfundim të të gjithë infrastrukturës së nevojshme, pasi do të fillojë puna për një sërë shpimesh për të krijuar gjithë kompleksin e nevojshëm për nxjerrjen e kësaj pasurie, është 7 miliardë euro investime në vendin tonë. Një investim që parashikon ndërtimin e gjithë infrastrukturës dhe logjistikës për depozitimin e rezervës, ndarjen në gaz, në naftë dhe në sulfur dhe kjo e treta ka një rëndësi të veçantë sepse krijon një bazë qoftë për prodhimin e imputeve bujqësore, qoftë për prodhimet kozmetike, bazë që Shqipëria mundet ta shfrytëzojë për të ndërtuar një komponent të ri industrial që sot na mungon”, tha kreu i ekzekutivit.

Lind pyetja: sa e madhe është kjo rezervë e naftës, gazit dhe sulfurit, e zbuluar nga Shell në tokën shqiptare mes Beratit dhe Përmetit? Ende nuk e dimë. Por nga disa të dhëna paraprake, të disponueshme që nga katër vite më parë, mund të arrijmë në përfundimin se kjo fushë e madhe naftëmbajtëse, e zbuluar kaq thellë në Shpirag, mund të na e shumëfishojë prodhimin e sotem të naftës, të cilin, sipas të dhënave nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, e kemi 20 mijë fuçi naftë në ditë.

Në njoftimin për shtyp të datës 24 maj 2019, kompania Shell cilëson se “Zbulimi i Shpiragut, në një rezervuar karbonatik të frakturuar, është në një strukturë gjeologjike, e njëjtë me fushat e mëdha të naftës të Val D’Agrit dhe Tempa Rossas në Itali.

Kryeministri Rama për naftën në Shpirag (Foto MCN TV)

Kryeministri Rama për naftën në Shpirag (Foto MCN TV)

Si Shell, ashtu edhe paraardhësja e saj, kompania Petromanas, kanë theksuar në raportet e tyre se formacioni gjeologjik i Shpiragut është “ekuivalent(i njëjtë)” me fushën naftëmbajtëse të Val D’Agrit në Itali.

Val D’Agri gjendet në zonën e Salernos në Italinë e Jugut dhe është zbuluar si vendburim nafte në vitin 1989. Zona naftëmbajtëse e Val D’Agrit u vu në shfrytëzim në vitin 1996 dhe vijon prodhimin edhe sot. Aktualisht, sipas Dhomës së Tregtisë së Salernos, Val D’Agri prodhon 100 mijë fuçi nafte në ditë në 24 puse, ose pesë herë më shumë se Shqipëria.

Nëse zona naftëmbajtëse e zbuluar në Shpirag në Shqipëri, është një vendburim i përmasave të tilla, atëhere praktikisht, me shfrytëzimin industrial të Shpiragut, pra me nxjerrjen e naft֝ës nga Pusi 5 dhe puset e tjera që  kompania Shell do të hapë, prodhimi i naftës tek ne mund të gjashtëfishohet.  Në tetor 2023, pritet që kompania Shell të realizojë testimin përfundimtar të vendburimit të zbuluar në Shpirag, për të vendosur më pas shfrytëzimin industrial të vendburimit.

Ndërkohë, sipas Kryeiministrit Rama, qeveria shqiptare ka filluar prej rreth një viti punën për konceptimin dhe ngritjen e fondit sovran të Republikës së Shqipërisë. Vendet që gëzojnë pasuri të tilla natyrore kanë fondet e tyre sovrane, që janë fonde që administrojnë këto pasuri publike.

Qëllimi kryesor i qeverisë shqiptare me ngritjen e fondit sovran, është balancimi midis shfrytëzimit aktual të të ardhurave nga vendburimi i ri i naftës dhe vënies në dispozicion i një pjesë të këtyre të ardhurave për të ardhmen, për gjeneratat e tjera të Shqipërisë.

Zona naftëmbajtëse në Shpirag (Foto ATSH)

Zona naftëmbajtëse në Shpirag (Foto ATSH)

Qeveria po konsultohet me Fondin sovran të Norvegjisë, i cili ndryshe quhet fondi i pensioneve të këtij vendi. Fondi sovran i Shqipërisë do të ketë një profil, i cili do të integrojë domosdoshmërinë për mbështetjen e pensionistëve, atyre që jetuan dhe punuan në këtë vend dhe nuk patën pjesën e tyre në pasuritë e tij, por edhe të qytetarëve që lindin sot në Shqipëri dhe kanë të drejtën të kenë pjesën e tyre në pasurinë e zbuluar rishtaz.

Fondi sovran i Shqipërisë do të jetë edhe një fond investimesh, ku një pjesë të të ardhurave do t’i vendosë për t’i shtuar në tregun ndërkombëtar të investimeve. Qeveria shqiptare po punon për këtë me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar të Universitetit të Harvardit dhe me fondet e tjera sovrane të Arabisë Saudite, të Azerbajxhanit dhe të Emirateve te Bashkuara Arabe. 

Fatos Çoçoli